Xhirimi i filmit Furtuna, nga Abaz Hoxha

0

 

 

Në fund të vitit 1956 tetor u kthye nga Budapesti Kristaq Dhamo, i cili kishte kryer studimet për regji filmi dhe po përgatitej për mbrojtjen e diplomës me xhirimin e një filmi artistik. Kinostudioja deri atëherë kishte realizuar vetëm filma kronikalë e dokumentarë dhe me përjashtim të filmit “Skënderbeu”, ku realizuesit ishin pothuajse të gjithë rusë, nuk kishte as bazën minimale teknike dhe kuadrin e nevojshëm artistik për xhirimin e filmave artistikë.

U hodh ideja e xhirimit të filmit të parë artistik shqiptar të metrazhit të gjatë. Pati shumë skeptikë dhe diskutime. Disa mendonin se ishte një aventurë që do hidhte në erë disa miliona, duke ia besuar realizimin e filmit një çunaku pa përvojë. Aq më pak se mungonte edhe përvoja dhe kuadrot e tjera në skenografi, zërin, figurën, zhurmat muzikën organizimin, rekuizitë e kostumeri, sikurse dhe pajisjet përkatëse. Por Ll.Lipivani ishte njeri kurajoz dhe merrte vetë përsipër riskun dhe kishte besim në kuadrin e ri. Ai e mbështeti pa rezerva regjisorin, i vuri në dispozicion gjithë kapacitetin e tij dhe të kinostudios i dha kurajo për të ndërmarrë një vepër të tillë..

Kristaq Dhamo, që sapo kishte mbëritur nuk kishte as mjetet minimale të jetesës, mjete financiare dhe banesë. Por Llazari ndërhyri në ministri dhe i vunë në dispozicion një dhomë në një nga hotelet e Tiranës, të cilën e paguante shteti, që në atë kohë ishte shumë e vështirë. Ai i vuri në dispozicion gjithë kapacitetet ekzistuese dhe bazën teknike, për të realizuar xhirimin e filmit dhe ai xhiroi filmin “Tana”, i cili u shfaq në Tiranë në korrik 1958.

 

Shfaqja e filmit “Tana”, sikurse edhe filmit të shkurtër “Fëmijët e saj” me regji të H.Hakanit në shkurt 1958, krijoi besim se mund të xhiroheshin filma artistikë.

U hodh ideja për xhirimin e një filmi artistik që të përgjithësonte heroizmin e Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare. Iu kërkua shkrimtarit Petro Marko dhe ai shkroi skenarin “Bora e kuqe”, që kishte si subjekt një akt heroik të dëshmores Zonja Çurre dhe tre partizanëve të tjerë nga Tragjasi i Vlorës /Kujtim Hoxha, Azbi Metaj dhe Lilo Asllani, që pranuan më mirë të ngrinin në acarin e dimrit të ashpër 1943-44, sesa tu dorëzoheshin pushtueve gjermanë.

Vështirësia e parë që doli ishte se duhej të xhirohej në film me ngjyra që nuk kishim as përvojë, as mundësi teknike. Pas disa vrejtjesh pa fund, që e mërzitën autorin dhe gradualisht i hoqën vlerat origjinale skenarit duke e sakatuar atë, i ndryshuan edhe emrin në “Llogoret e bardha”. Ndonëse censura e sakatoi skenarin, ai ishte përsëri një bazë e mirë për realizimin e një filmi, që nëpërmjet një episodi të evokonte heroizmin partizan dhe të popullit.

Por përsëri krerët e partisë dhe të shtetit, megjithë këmbënguljen e Llazarit dhe Pipi Mitrojorgjit që në atë kohë ishte zëvendësministër i Kulturës, nuk patën besim te regjisori i ri. Dhe kërkuan ndihmë nga Bashkimi Sovjetik. Ata dërguan në Shqipëri regjisorin Grigori Çuhraj, që kishte dalë në elitën e kinematografisë sovjetike dhe ishte bërë i njohur në opinionin botëror me filmat e tij të suksesshëm “ I dyzetenjëjti” dhe “ Balada e ushtarit”.

Në shumë kontakte që pati me autoritetet e vendit dhe elitën e letërsisë, ai nuk pranoi të xhironte një film episodik dhe skematik. Në filmat e tij, kishte dëshmuar se kërkonte rrugë të reja dhe kishte thyer normat e realizmit socialist. Pikëpamjet e tij nuk mund të pajtoheshin me ato të krerëve të Partisë dhe të shtetit shqiptar që më vonë nuk lejuan të shfaqeshin as filmat e tij në Shqipëri, duke i cilësuar si revisionist dhe që synonin  deheroizmin dhe mohimin e herojve të  luftës patriotike të Bashkimit Sovjetik /Balada e ushtarit/.

Kështu ai u largua dhe erdhi në Shqipëri Juri Ozerov, i cili u pajtua me autoritetet shqiptare dhe bashkë me regjisorin e ri K. Dhamo dhe bashkautor me tre skenaristë të tjerë realizoi filmin “Furtuna”, që ishte edhe bashkëprodhimi i fundit me kinematografinë sovjetike.

Filmi ishte një konglomerat, shumë fragmentar, i ndërtuar mbi shumë episode dhe i shtrirë gjerë në kohë dhe megjithë interpretimin e elitës së aktorëve shqiptarë të teatrit ishte një film që nuk la mbresa. Por, megjithatë ai ishte një përvojë e madhe për regjisorin dhe gjithë personelin tjetër, që mori pjesë në xhirimin e tij, një pjesë e të cilëve shkuan edhe në Moskë dhe u njohën nga afër me studiot “Mosfilm”. Rolet kryesore të filmit u interpretuan nga Mario Ashiku /Arbeni/ dhe Ariadna Shengellaja /Zana/ një talent i ri i kinematografisë sovjetike me prejardhje artistësh. Rolin e kolonelit anglez Perkins e interpretonte aktori i njohur rus Nikolaj Gricenko, me të cilin unë pata edhe një miqësi të përkohshme .

 

SHARE

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here