Që sot nuk jeton më. Por Xhevdet Ferri ka lënë personazhet dhe intervistat. Kjo është një intervistë ndër të fundit që ka dhënë nga Pogradeci në 2018, ku ai flet për personazhet e veta. E ka dhënë për gazetarin pogradecar Ilir Shyta. Rast pas rasti e film pas fimi merr në analizë rolet në filmat e veta.
Nga Ilir Shyta
A e mbani mend se si jeni ngjitur në ekranin e filmit, kush ka qenë roli juaj i parë?
Roli i parë i imi daton në 1980 në filmin “Vëllezër dhe shokë”, i Dhimitër Anagnostit. Dhe unë sapo kisha përfunduar gjimnazin. Një koiçidencë fatlume. Në atë kohë unë banoja në Durrës. Teatri i Durrësit shkonte në Tiranë në një festival dhe trupës i duhej një djalë i ri si puna ime për një rol episodik. Dhe Anagnostit i interesonte një djalë për një rol.
Ishte në shfaqje dhe për fatin tim të mirë ishte ulur afër drejtorit të teatrit, Nikolin Xhojës një aktor i famshëm dhe sigurisht e pyet për mua. Pas dy ditësh takohemi. Dhe pas testimeve të kohës, Anagnosti më besoi atë rol. Unë akoma nuk kisha vendosur se çdo të studioja. Kështu me erdhi shumë më mirë oferta e tij. Mendoni për një djalë të ri joshja e filmit ishte e jashtëzakonshme. Ishte eksperiencë e jashtëzakonshme.
Pra Anagnosti ishte deçiziv…
Nëpërmjet filmave të tij kanë hyrë shumë aktorë që po të kaloje klonin e Anagnostit, karriera ishte e sigurt. Unë u konstatova menjëherë pa përfunduar rolin te filmi i tij. Ka shumë personazhe kinematografike që kanë kaluar laboratorin e tij. Te Gjoleka…, kishim një grup të mirë që u përfshimë në gjithë elementët e filmit, nga produksioni në asistim dhe një lloj delikatese ndaj personazhit. Ishte momenti që do i vinim një kurorë veprës së tij.
Në fillesa, kush ka qenë ëndrra juaj përveç kinemasë?
Sigurisht po ti kthehem kohës, nuk është shumë e lehtë. Në atë periudhë, njeriut nuk i lejohej të ëndërronte. E drejta e studimit, fakulteti përcaktohej nga partia. Dhe numri i studentëve që përfitonin të drejta ishte shumë i vogël. Dhe unë po të kisha aplikuar drejtpërdrejt, ndoshta do të kisha zgjedhur, arkitekturën apo juridikun. Dhe kjo ka bërë që gjatë eksperiencës sime të kaloj në administrim, mësimdhënie, deri në politikë. Mesa duket këto shprehitë e mëvonshme duhet të kenë fjetur diku.
Kthehemi në kinema. Ju jeni ikonë sot dhe keni interpretuar me gjigandët e atëhershëm. Përshembull, “Era e ngrohtë e Thellësive” me Kadri Rroshin…
Janë rastësi fatlume. Marrëdhënia me Kadriun ka qenë brilante. Paralelisht Kadriu ka qenë pedagog imi në shkollë. Mbaj mend filluam xhirimet në behar dhe i përfunduam në dimër. Kishte një episod që më kujtohet që xhirohej në dhjetor, në bulevardin e Tiranës. Xhirimet kishin filluar që në gusht.
Në atë kohë s’kishim as radio dhe ma bënin me dorë nga kamera, që ishte 800 metra larg. Kisha një monolog. Dhe dy shokët e mi, që shihnin mua që flisja me vete dhe isha me mëngë të shkurtra: Xhoda s’qenka mirë, paska rrëshqit. Dhe kur mbarova u thashë atyre: hajdeni këtu.
Ata më pyetën nëse isha mirë, “ça bën o Xhode”… Dhe u thashë mirë mo jam, nuk e shihni se kam kamerat përballë? Me Kadriun ka qenë një vit shumë i mirë. Punuam në film shumë gjatë dhe aty mrekullohesh. Eshtë një episode që ai hekuros këmishën dhe harrova që isha përballë kameras. U mrekullova me interpretimin e tij. Mos harroni se isha edhe fillestar. Distanca dukej me kilomtra të tëra.
Pastaj vjen “Besa e Kuqe”?
Ti i dike më mirë se unë rolet. Si mbaj mend, por më pas janë “Fushë e blertë, fushë e Kuqe, “Hije që mbeten pas”, “Vendimi”, “Dhe vjen një ditë”, “Përrallë nga e kaluara”, si e ka kjo… “Vitet e pritjes” dhe vazhdon…
Ndalemi tek “Dhe vjen një ditë”, aty kishit rolin me bashkëshorten tuaj zonjën, Rozeta…
Aty, gjithçka të madhe e bën të tillë Robert Ndrenika. Ka një shpirt human, dimension njerëzor në frymën dhe konstruktin e vetes. Këto personazhe janë skematikë. Djemtë e mirë që nuk kanë të metë.
Referencë për të evidentuar negativen. Dhe bëhen role të sheqerosura. Komplimenti më i mirë që kam dëgjuar për këtë rol, ka qenë nga Teodor Laço, që kur shikonim skenat thotë: ore ky djali ka aftësi të çuditshme. Të vështirat i mbështjell me një cipë që të gëlltiten. Këto personazhe lënë gjurmë.
“Gjurmë në kaltërsi” është një tjetër film artistik?
Te ky film ka një gjë shumë të bukur. Kur lexova skenarin nuk doja ta bëja rolin. Nuk doja ta prishja dorën. Doja të ruaja disa standarde. Filmi është më shumë dokumentar. Më thirrën në komitetin e partisë së shkollës, dhe thonë: ç’ështe kjo që rrefuzon ti. Nuk shkova nja tre muaj në shkollë.
Ishte hakmarrja ime. Por kam kaluar tre muaj fenomenal me pilotët. Mos harroni që deri në atë kohë s’kisha hypur në avion. Në atë kohë bëra shtatë fluturime. Dhe të grumbulluar bashkë aq djem të mirë, nuk i gjeje dot. E prita me padëshirë filmin dhe në fund rezultoi jo për personazhin, por në tërësinë e vet, në gjithë eksperiencën dhe emocionet, fluturime që nuk përsëriten.
Nëse do të më pyesje se çdo të bëje, atë gjë do të bëja. Unë kam qenë 19 vjec atëherë, djalë i ri. Ata pilotët më thoshin: do të bëjmë të vdekur atje lart. Kishte fenomene plot që i provoja për herë të parë. Sfida ishte adrenalinë e jashtëzakonshme.
Të flasim per interpretimet me bashkëshorten?
Me Rozetën jemi lidhur studentë, kemi punuar dy-tre role. Pas studimeve u martuam, u bëmë prindër. Kemi bërë edhe punë të tjera bashkë. Jemi kolegë dhe njohës të mirë të njëri- tjetrit. Nuk ka ndonjë avantazh se profesioni është profesion. Dhe në shfaqje teatrore kemi punuar bashkë. Kemi bërë një komedi “Tradhëti bashkëshortore” e kështu me radhë…
Një film interesant “Hije që mbeten pas”…?
Ky rezultoi një film shumë i mirë. Përtej pritshmërive. Dhe ka shëtitur shumë. Ai kishte një gjë. Që befasoi spektatorët. Si ka mundësi që regjimi lejoi të goditej korrupsioni në atë lloj niveli? Ai personazh nuk kishte ndodhur asnjëherë. Dhe jeta apo diferenca që kanë me shtresat e tjera.
Romani ka histori tjetër. Por skenari ishte ndryshe. Dhe u kthye në histori që kishte një lloj burokracie, që kishte filluar të shkëputej nga inteligjenca. Për momentin, sistemi nuk atakohej…kjo lloj goditje…plus aty ka spektakël te Çimi, Reshati, Matilda…Filmi u xhirua në një periudhë tejet të nxehtë, në korrik, gusht….
Dialogu te amfiteatri i liqenit, çakmaku…?
Në atë kohë filmi ka një detaj që është një çakmak që kompromenton. Ai hidhet si çakmak i molepsur. Në këtë kuptim… Ishte detaji i shkuarjes së çiftit te shtëpia e re… Më tregonte Esat Mysliu se filmi ka qenë në Kajro dhe pati një reaksion të befasishëm.
Ky ndahet me të motrën në mëngjes dhe i jep një pako, që spektatorët folën për korrupsion. Kur hapet letra shihen dy copa bukë dhe salla atje shpërtheu me të qeshura. Në Shqipëri është një gjë normale, se ne niseshim me bukë me vete.
Por edhe interpretimi i Matilda Makocit mbetet i madh…
Mendoj se është një nga rolet më të mira të Matildës.
A keni një skenar të ri në duart tuaja?
Kam një skenar, është një porduksion italian i romanit të Elvira Dones, është për burrëneshat. Zhvillohet në veri të vendit dhe në Itali. Jam në rolin e xhaxhait që rrit këtë burrneshë. Në Itali më pas ajo kthehet në realitetin e vet gjinor. Është goxha personazh dhe sipas gjithë gjasave me fillimin e dëborës do nisim xhirimet.
Një njeri që bën drejtuesin… Nga aktor i suksesshëm, drejtues i një televizioni… Ku e gjen veten?
Nuk e di. Më vonë kuptova që kam qenë i afektuar edhe nga administrimi. Vërtet kam drejtuar Fakultetin e Artit Skenik, Teatrin Kombëtar, një media, produksione, jap mësim rregullisht në Universitetin e Arteve… është një lloj komplesi!
Premtojnë studentët tuaj?
Gjeneratat premtojnë. Midis tyre kemi talente shumë të mirë. Mua më dëshpëron se nuk po reformojmë dot sistemin dhe t’u sigurojë disa kapilarë në tregun e punës. Kemi shumë të diplomuar por sistemi i kualifikimit lë për të dëshiruar. Unë e ndjej te studentët që diplomohen.
Në shkollë ata janë entuziastë, kanë ambicie, por ditën që mbarojnë studimet, i rrok një dëshpërim. Dhe kjo percillet dhe te pedagogët. Dhe këtu kemi vënë dorë të gjithë. Nuk e kemi bërë dot mirë siç duhet reformën. Kinematografia është diçka më mirë sesa teatri. Mund të flitet për filmin shqiptar, kur ke personalitete dhe tituj që kanë bërë hajër në memorjen tonë dhe kompeticionin ndërkombëtar…
Keni qenë i suksesshëm dhe në politike…
Ishte një periudhë kohe e shkurtër, 96-97, kur shteti u shpërbë dhe ti kupton pse shteti ishte aq i dobët. Ajo periudhë nuk pati vazhdimësi. Ndoshta mund ta kisha dhe s’do e kisha refuzuar. La te unë një lloj kualifikimi në shtet dhe në administrim. Kur i prek gjërat kanë tjetër përkasje.
Ka diçka që ju ka dhembur për censurën?
Nuk më rezulton. E para, filmi në atë kohë kontrollohej shumë para bërjes. Ka ndodhur me “Vëllezër dhe shokë”, që më vonë filmi u ndalua dhe u kërkua të rishikohej një e treta e filmit. Ne e xhiruam atë film dhe kopjen e parë unë nuk e di ku është. Varianti i dytë është i dëmtuar. Nëse kam keqardhje, kam keqardhje që nuk është në publik variant i parë i filmit.