Vladimir MUZHA: Mësuesit e mi ishin “Nder i Kombit” Robert Ndrenika, Mihal Luarasi, Vangjush Furxhi, Vera Zheji

0

 

 

 

VLADIMIR  MUZHA : Teatri“Bylis”, tempulli i jetës time

Fillimet e para në rrugën e artit kanë startuar në vitet e shkollës fillore në qytetin e Korçës ku ka lindur, më saktë kur ende ishte nxënës në shkollën ”Mësonjëtorja e parë shqipe”, në moshën trembëdhjetë vjeçare ku studionte për muzikë në instrumentin e violinës. Ndërkohë po në këtë periudhë është zgjedhur si solist në korin e shkollës.

 

Si do i kujtonit vitet e rinisë, pasioni për këngën që lindi në atë periudhë ku disa prej të rinjve nisën të  këndonin këngët tuaja dhe në rrugë, kur ju ende ishit njëzet vjeç ?

Eh. Vitet e rinisë janë vërtetë vitet më të bukura për mua, pasi në to trokasin pasionet e mia për artin, të cilat edhe sot i kujtoj me nostalgji e mall. Kur isha nxënës në shkollën e mesme, teknikumin e ndërtimit ”8 Nëntori” në Tiranë, drejtoria e shkollës, duke pikasur këngët që këndoja në shkollë, më caktoi të përfaqësoja shkollën në  konkursin e talenteve të reja midis shkollave të mesme të qytetit të Tiranës, duke u vlerësuar me diplomë si këngëtar i talentuar.

 

Ju kujtohet kënga me të cilët debutuat për herë të parë në skenë?

Po. Ishte kënga “Vrull aksionesh” e kompozitorit Bajram Lapi. Me këtë këngë jam paraqitur në konkurrimin e zërave të bukur zhvilluar në Tiranë.

 

Mendonit se fama që po krijohej si pjesëmarrës në “Anketa Muzikore” të Radio Tiranës  dhe festivalet e këngës në televizion, kishit gjetur rrugëtimin e jetës suaj?

Nëse do ta quajmë kështu, mendoj se këtu kanë ndikuar këngët që  pëlqeheshin kryesisht nga të rinjtë si “Kabina numër 3”, “Interesant”, “Tek Reklamat” dhe disa të tjera, të cilat i kam kënduar në anketa muzikore në Radio Tirana. Ndërkohë kam marrë  pjesë si këngëtarë në dy festivale të këngës në Radio Televizion.

Kujtoj me shumë kënaqësi festivalin e 9 –të, ku unë u paraqita me dy këngë, ”Festa e Dritave”, me kompozitor Pjetër Gaci dhe “Vallja që mbaron këtu” kompozuar  nga “Mjeshtri i Madh”, Avni Mula. Gjithashtu në festivalin e 10- të  këngës, kam kënduar këngën “Përmes Dritash” të Kastriot Gjinit, me të cilën u vlerësova me çmimin e dytë.

Kurrsesi nuk do të lija pa përmendur ndihmën që më ka dhënë  kompozitori i njohur dhe njeriu me virtyte të shkëlqyera, Kastriot Gjini, i cili shtëpinë e tij e ktheu në studio trajnimi vokal për mua. Vdekja e tij në moshë të re, ishte  një humbje për muzikën shqiptare.

 

Cili ishte motivi që tek ju shërbeu si trampolinë, ku tashmë kishit fituar një eksperiencë,  duke përzgjedhur një tjetër gjini të artit, aktrimin?

Në aktivitetet artistike të Tiranës ku merrte pjesë shkolla jonë, krahas pjesëmarrjes time si këngëtar, unë merrja pjesë dhe në grupin teatror, i cili njihej si grupi më i mirë teatror i  shkollave të mesme të qytetit.

Nga ky grup kanë dalë aktorë dhe regjisorë të njohur të skenës dhe kinematografisë shqiptare, ku do të veçoja të paharruarin Kujtim Spahivoglin, Sheri Mita, Kujtim Çashku, Ilir Bezhani dhe të tjerë. Në takimet e teatrove të zhvilluara midis shkollave të mesme,jam diplomuar me medalje për interpretim të veçantë artistik.

Ndoshta kjo periudhë bëri që tashmë të vështroja për këtë gjini, e cila dalëngadalë do të krijonte hapësira të reja në studimet që unë do të vazhdoja në Institutin e lartë të Arteve, në degën e aktrimit.

 

Keni ndierë në vetvete keqardhje që braktisët këngën dhe u bëtë aktor?

Ende dhe sot nuk e kam kuptuar mos aktivizimin tim të mëtejshëm si këngëtar, ndoshta dhe ekzistencës së mentalitetit në atë kohë për talente në të gjitha fushat e jetës, që vinin në Tiranë nga rrethet. Gjithsesi për mua kënga dhe teatri, janë pjesë e pandarë e jetës time. Ndoshta nga kënga më larguan në “heshtje”, por nga teatri jo, e mbajta me forcën e talentit, punës dhe djersës time.

 

Kursi juaj i aktrimit përbëhej nga 13 studentë, të cilët  më pas do të bëheshin aktorë dhe regjisorë të njohur…

Mund të them se ishim vërtetë një kurs me studentë të talentuar. Shprehem kështu pasi për të ndjekur studimet, konkurruan 350 vetë dhe fituan të drejtën 22 studentë, por  e përfunduan atë vetëm 13 aktorë, ku do të përmendja Edmond Budina, Fadil Kujovska, apo Dili si i thoshim ne, ishte një nga shokët e mi më të mirë, (i cili u nda nga jeta para pak kohësh), Nikolla LLabro, Alfred Bualioti, Elida Janushi, Perika Gjezi, Spartak Pecani, Dhimitra Plasari, e të tjerë.

 

E ndjenit veten me fat që pedagogë të aktrimit keni pasur korifenj të skenës dhe filmit shqiptar, Mihal Luarasi ,Vangjush Furxhi, etj?

Ishte privilegj të kishe pedagog apo udhëheqës kursi artistët “Nder i kombit” Robert Ndrenika dhe “Artistë të Popullit” Mihal Luarasi, Vangjush Furxhi, Vera Zheji e të tjerë. Për mua aktori dhe pedagogu i mrekullueshëm Vangjush Furxhi, i cili u nda shumë shpejt nga jeta, nëçdo kohë do të jetë në kujtesën time.

 

Pas studimeve jeni emëruar si aktor i trupës së teatrit “Bylis”, e cila në atë periudhë pati prurje të reja dhe cilësore. Çdo të thoshit për konkurrencën që ekzistonte midis aktorëve?

Posa përfundova studimet në vitin 1974 emërohem aktor në teatrin “Bylis” të Fierit, i cili kishte tre vjet që ishte krijuar. Aty gjeta Pëllumb Kulla, Xhulieta Kulla, Muhamet Sheri, Zana Aliçka, Dhimiter Jano, Shpëtim Shehu, Andrea Pepi, dhe Mina Koxhaku. Më pas erdhën Fatos Sela, Natasha Sela, Niko Vrushi, Roland Çarka, Aurela Çarka (Hyseni), Agim Agolli, Astrit Hasani dhe shumë të tjerë. Padyshim që këto prurje krijuan konkurrencë dhe atmosferë të veçantë, pasi të gjithë kërkonin të afirmonin talentin e tyre. Kjo solli progres në teatër.

 

Përse  vitet  70- 85  vlerësohen si vite të arta për artin fierak?

Janë vërtetë vitet më të mira ku unë u kompletova si artist. Ndonëse kanë kaluar vite, dramat “Gjëmimi i atij dimri”, ”Dy krisma në Paris” dhe komedia “Shoku Niqifor”, ku teatri”Bylis”i Fierit  u  vlerësua me çmime të parë dhe të dytë në festivalet  kombëtare të teatrove. Vetëm me dramën “Dy krisma në Paris” shkruar nga Pëllumb Kulla dhe Sheri Mita, me regjisor Pëllumb kulla, u shfaq 250 net, duke u ndjekur nga spektatori në mbarë vendin.

 

Në këtë kohë mjaftë aktorë të “Bylisit” u”graduan”me tituj e medalje në festivale të aktrimit, midis tyre dhe ju. Çdo të thoshit për këtë strehëz dhe”banorët” e saj?

Festivalet kombëtare vlerësoheshin si ngjarje të mëdha artistike, ku ballafaqoheshin aktorë me role të përkryera, me nivel  kombëtar e botëror. Ajo periudhë që ju Fadil e vlerësoni me të drejtë e artë, mbetet periudha më e bukur e jetës sime artistike, ku nuk mungonte respekti i spektatorit, humori mes miqve e shokëve.

Ishin vite vërtetë të bukura. Kam marrë pjesë si aktor në të tre veprat e përmendura më lart, jam vlerësuar me diploma e medalje, si i vetmi shpërblim që merrnim në atë kohë. Pas çdo festivali të gjithë aktorët, mendonin dhe punonin për festivalin e ardhshëm.

 

Keni interpretuar me dhjetëra role në estradë, teatër dhe kinematografi. Cila prej këtyre të triave ju ka dhuruar më shumë kënaqësi?

Mendoj se çdo artist, personazhit i jep shpirt nga shpirti i tij për ta përcjellë atë sa më besueshmëri tek publiku. Gjithsesi mund të veçoj në këto momente komedinë“Shoku Niqifor” ku luaja rolin e djalit të tij dhe Johan Luka Karaxhalasi në rolin e një të dehuri, duke mos harruar rolin e avokatit De Monzi, në dramën “Dy krisma në Paris”, me të cilin në festivalin kombëtar të teatrove u vlerësova me diplomë.

 

Shpesh herë ju keni qenë i angazhuar dhe me trupën e estradës, madje i mirëpritur nga spektatori i çdo moshe…

Me trupën e estradës kam përjetuar kënaqësi të veçantë dhe ruaj kujtime të bukura, paçka se  disa nuk e pëlqenin suksesin që arrija para publikut, por nejse pak rëndësi ka kjo e dyta. Kam pasur raste ku njëherësh paralelisht luaja role në teatër dhe estradë.

 

Thuhet se me trupën e estradës përkrah suksesit të arritur, keni përjetuar dhe zhgënjim. Është e vërtetë?

Është e para herë që më jepet mundësia të shpreh një episod të hidhur në lidhje me estradën. Jo në pak raste drejtues të dalë boje me vendime burokratike, komandonin pa ndjenjë përgjegjësie. Ishte momenti që dhe në estradë po fitoja role të veçanta, njëherësh më duhej të rikthehesha me një rol dhe në teatër. Sërish shfaqjet vazhdonin dhe çdo natë në skenë pritesha me ovacione nga publiku fierak.

Padyshim kjo më lumturonte vërtetë. Arrita të gëzoja të drejtën e një premiere duke dhënë pesëmbëdhjetë shfaqje rresht. Ishte fund viti dhe trupa e estradës do të niste xhirimet për natën e vitit të ri, në televizionin TVSh. Po për çudinë time dhe të tjerëve, pas katër javësh, trupa e estradës, nis xhirimet pa më njoftuar mua. Roli im i cili ishte mirëpritur dhe kishte ngjitur aq shumë tek spektatori, roli me të cilin jetoja çdo ditë, me “urdhër nga lart” i kalon dublantit tim.

Unë e urova partnerin e estradës sonë, i cili luajti dhe ai mjaft mirë këtë rol në televizion. Ndonëse kërkova shpjegim për këtë spostim, asnjëherë nuk mora përgjigje nga “kuadrot’”, që kishin triumfuar në këtë aspekt. Shprehem me keqardhje për këtë rol, të cilin e vlerësoj si një nga punët e mia më të shtrenjta.

Besoj se çdo kush e kujton  dhe sot këtë personazh, që dikur ishte “prona” ime e që e privatizoi dikush tjetër. Ky ishte monologu i famshëm: “Doni më për… Belulin?”. “E, doni më…”!!!. Kështu e përfundoja dhe unë këtë monolog.

 

Cili mbetet për ju roli më i dashur që keni luajtur në skenë gjatë karrierës suaj të deritanishme si aktorë?

Padyshim roli i avokatit “De Monzi”, në dramën “Dy krisma në Paris”.

 

 Intervistoi:   FADIL SHEHU  – FLORIDA , Nëntor 2014

SHARE

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here