“Dua të këshilloj kineastët e rinj që çdo vepër ta bëjne me dashuri dhe vetëm me dashuri. Së dyti, dua t’u uroj atyre të kenë fat dhe sidomos të mos kenë fatin tim!”
Viktor STRATOBERDHA
Viktor Stratobërdha u lind më 15 maj 1925 në Korçë. Studimet e larta i kreu në Moskë për regji filmi, më vitin 1953, ku mbrojti diplomën si as/regjisor i filmit “Skënderbeu”. Në vitin 1945 u emërua në kinostudio, ku realizoi dy filma dokumentarë “Pushime të gëzuara” dhe “urime shokë studentë”. Bëri tentativën e parë për të xhiruar një film me metrazh të shkurtër, “Qeshim se nuk qajmë dot”, por që filmi u censurua dhe nga ai film kanë mbetur vetëm katër syzhetë të shkurtër nën titullin “Pse kështu?”.
Në vitin 1956 u dënua pas konferencës së Tiranës dhe u dërgua në Berat. Për disa vite punoi si regjisor i estradës e më pas në punë të rënda në prodhim, si në bonifikim etj. Në vitin 1979 u arrestua dhe më pas u dënua me 8 vjet heqje lirie. U lirua në vitin 1988. Pas vitit 1991 emigroi fillimisht në Greqi e më pas në Kanada, ku edhe u shua në moshën 75-vjeçare, më 31 maj 2000.