Vera Grabocka reciton për herë të parë vargjet e poezisë ‘Shkallët’

0

 

 

Surprizat ishin pjesë e gjithë mbrëmjes, por ato kulmuan me momentin kur Vera Grabocka u ngjit në skenë. Dhe ashtu jashtë skaletës, siç është natyra e saj, e paparashikuar në profesion, por që di vetëm të prodhojë sukses gjë të cilën e ka dëshmuar me formatet dhe produksionet televizive që ka drejtuar ndër vite, Vera e cila ishte zotuar se do të fliste në fund të aktivitetit, mori mikrofonin dhe u ngjit në skenë menjëherë sapo u shfaq një kolazh me disa nga filmat më të mirë ku ka interpretuar Timo. Dhe e kishte një arsye  madhore! U frymëzua nga gjithë atmosfera dhe vendosi të recitojë për herë të parë një nga poezitë më të ndjera në këtë libër të dytë të të shoqit. “Shkallët” e çuan atë dhe gjithë të pranishmit në mbrëmje në një tjetër qiell, në një tjetër dimension.

 

Shkallë për qiell

Ngrita sytë, qiellin pashë,

Ku është skaji i tij, thashë,

A i soset fundi vallë?

Ndoshta duhen shpikur shkallë!

Të padukshme, pa dyshim,

Shkallë që zgjaten pambarim,

Që takojnë fund e fillim

Prej këtej, në askund,

Gjithësisë pa anë e fund.

 

Fantazova të shkoj lart,

Botën poshtë ta shoh nga larg…

Gjithë ç’pata, pas ta lë

Historitë një nga një,

Dashuritë pa shpirt në të,

Miq, të afërt që s’janë më,

Mitet, ëndrrat dhe çdo gjë

 

Sa ngjita shkallën e parë,

Ndjeva frikë…të jem i marrë?

N’atë udhë katrahurë,

Humb përjetë, s’kthehesh kurrë!…

(Nëse ndodh atje të mbes,

Zbrastësisë, në univers

Fillikat e i pashpresë,

Kush kujtohet të më presë?!

Nëna la një det me lot,

Iku herët nga kjo botë…

Kthehem…s’kthehem, çfarë pastaj,

Fatin tim mbi shpinë e mbaj!)

 

Rrugëtova aq kohë qiellit,

Mend sa preka yjet, diellin…

Sa herë hidhja nga një shkallë,

Falesha se isha gjallë…

Sa vështirë të mbijetosh,

Fatin tënd ta sundosh,

Në rënsh keq, të synosh lart,

Pas humbjes një tjetër fat.

Të mposhtësh çdo ankth e frikë,

Riskut t’i qasesh në zgrip,

Fshehtësisë në fund t’i shkosh,

Frymë të japësh, të mbarosh,

Errësirën ta përshkosh,

Gjersa fundit ta takosh,

Qiellit që t’i mori mendtë,

Atë fund a fundin tënd,

Ta shpërfillësh përnjimend!

 

U enda vite të tërë,

Jeta…një kështjellë në rërë…

Preka yje dhe kometa,

Hap më hap jeta dhe vdekja!

(Rënie ngjitje na shkon jeta…)

Në çdo skaj më stërmund,

Fundin prekja por s’kish fund!

Ishte fund sa ish fillim,

Hapësirës pa mbarim?!

(S’ka fillim as fund ky bosh,

Nis e sos ku ta mendosh!)

 

Mbërrin koha, që të zbres…

Yjet fikur, një mëngjes

Këmbët zbrita, kur për djall,

Mend u vara, s’kishte shkallë(!)

Udha çonte veç për lart,

(kurth qiellor, thashë përçart…)

Pas në tokë kthim s’kish më,

Shkallët shpinin në mosgjë,

Me shigjetën “udhë pa kthim”!

Gjithësisë pa mbarim!

Fati i ikjes thashë, më mundi,

Shkalla ime ish e fundit!

 

Fatin tënd, ti, kurrë s’e di,

Tha Krijuesi, biri im!

Asnjëherë mos e harro,

Mëkatar në këtë botë,

Në u bëfsh shenjtor o zot

Jetë e trupit zgjat një çast,

Kohë e vdekjes s’ka përmasë…

Askund qiellit s’është e shkruar,

Portë e hyrjes në parajsë!

 

Sa kohë rron, kurrë s’e di

Ku mbaron kjo pafundësi,

Përtej teje në largësi,

Pa kufi e fshehtësi…

Kush kërkon ta zbulojë,

Mbrapsht nuk kthehet përsëri

Sepse kur gjërat e bukura bëhen me dashuri, rezultati është gjithmonë ai i njohur!

 

 

 

SHARE

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here