Do jetë gjithmonë muzika e Aleksandër Lalos ajo që do na lidhë me kinematografinë shqiptare. Mjeshtri nuk ishte vetëm kompozitori I dhjetëra këngëve që dëgjohen me ëndje sot, por dhe njeriu që i dha emocione përmes tingujve filmave shqiptarë. Në vitin 1972 ai do të kompozonte muzikën në filmin “Odiseja e tifozëve”.
“Dimri i fundit” filmi i dy regjisorëve Ibrahim Muçaj dhe Kristaq Mitro kujtohet gjithnjë për muzikën që është aq frymëzuese edhe sot. Më 1982 muzika e filmit “Një gjeneral kapet rob” nën regjinë e Spartak Pecanit, do të shënjonte përfundimisht ardhjen e një artisti të rëndësishëm në kinematografinë shqiptare. Lalo do të bëhej i preferuari i regjisorëve, të cilët do t’ia besonin atij skenarët mbi të cilën do të realizohej muzika.
Muzika e Lalos kishte ngjyra. Në 1986 Mevlan Shanaj një regjisor ende i ri i beson muzikën e filmit që do të pritej mirë nga publiku. Po kështu katër vite më parë më 1982 Vladimir Prifti i kishte besuar filmin “Era e ngrohtë e thellësive”. Me një aftësi të jashtëzakonshme Lalo arrinte të ndiqte emocionet e personazheve duke e bërë filmin të kujtohet ende sot përmes muzikës.
“Vajzat me kordele të kuqe” është një tjetër film që kujtohet sot, përmes muzikës që ndjek historinë e vajzave që donin të sillnin ndryshim në Shqipërinë e atyre viteve përmes regjisë së Gëzim Erebarës. Me regjisorin Spartak Pecani ai do të bashkëpunojë sërish në filmin “Treni niset në 7 pa pesë”, një film i njohur për interpretimet e Ndriçim Xhepës dhe Eva Alikajt.
” Dy herë mat”, “Era e ngrohtë e thellësive” apo “Tomka me shokët e tij”, janë të tjerë filma ku muzika mban firmën e Lalos. Pas viteve 90-të ai realizoi muzikën e filmit “Tingujt e harresës” nën regjinë e Leonard Bombajt. Duke e lidhur shumë muzikën me poezinë e fjalëve Lalo krijoi stilin e tij të jashtëzakonshëm, duke krijuar partitura që sot janë një vlerë e historisë sonë muzikore.
Puna e tij me orkestrën simfonike të TVSH-së është një vlerë që i ka dhënë shumë kujtesës sonë. “Krijuesi i vërtetë është ai që nuk rri dot pa shkruar”, shprehej Lalo, duke huazuar kështu shprehjen e një tjetër kompozitori Tonin Harapit. Duke bërë jetën e një artisti Lalo nuk mund të rrinte dot pa partiturat i bindur në nevojën për të lënë një gjurmë në këtë vend dhe pse vitet e fundit sicc shprehej në një intervistë e kishte të vështirë të ulej dhe të shkruante. “Këngë ka vite që nuk shkruaj, për shumë arsye”, shprehej ai. Ftesat për festivale nuk mungonin por ai preferonte atmosferën.
“Brezi ynë ka shkruar dhe akoma vazhdon të punojë me laps, aq më tepër që për ta paraqitur një këngë në komision, kënga nuk tregohet si më përpara në piano, por ekspozohet e plotë e realizuar në studio, gjë e cila ka edhe një kosto të konsiderueshme materiale. Ka tre vjet që festivali në RTSH bëhet live ku dhe mund të shkruaja këngë, por se di, ndoshta nuk ndjehem si më përpara. Kjo mbase dhe nga lloji i këngëve që kultivohen. Ka ndodhur një largim që se shpjegoj dot, megjithatë mirë është që të shkruaj këngë”, shprehej ai. I shqetësuar mbi situatën në të cilën ndodhej muzika shqiptare, ai e quante tregun muzikor sot një “supermarket”.
”Në “supermarketin” e krijimtarisë muzikore shqiptare ka më shumë produkte të skaduara, të cilat prishin çdo ditë shijet dhe gustot e shqiptarëve dhe padashur bëhen pika referimi të shëmtuara për brezat që vijnë”, shprehej Lalo. Kompozitori besonte në nevojën e një lloj censure artistike për të evidentuar vlerat. ”Sot kanë ndryshuar shumë gjëra.
Dalja e kantautorëve që marrin përsipër të bëjnë çdo gjë vetë, ka ulur nivelin e muzikës. Ka dhe kantautorë që kanë vlera, por janë pak. Më bën përshtypje që në Shqipëri bëhen shumë albume, videoklipe, por bëhen thjesht si reklamë të këngëtarëve që këndojnë në dasma.
Në Shqipëri për mendimin tim nuk ka jetë artistike. Të mos kesh jetë artistike është katastrofë”, shprehej artisti. Duke mbartur vlerat e një artisti të angazhuar, Lalo do ti mungojë jo vetëm skenës muzikore por dhe mendimit kritik shqip, për vlerat ideore që përcillte përmes qëndrimeve të tij publike. Historia do ta kujtojë gjithmonë përmes veprave që la pas, që janë një shërbesë për kulturën shqiptare.
Mirela Kumbaro
Mevlan Shanaj
Regjisori Mevlan Shanaj i cili ka një sërë bashkëpunime me Lalon, i shoqëron fjalët e lamtumirës për mikun e tij me një foto ku janë të dy së bashku. “Therese kjo mbrëmje. Paska ikur Lalo, mik, artist , bashkudhëtar, bashkëpunëtor. Talent , që nuk harrohet. Humbje për artin shqiptar. Dhimbje që të shtrëngon dhe nuk ke fjalë. Lamtumirë Aleksandër Lalo !”, shkruan Shanaj
Eva Golemi-soprano
Jo kushdo e ka privilegjin të jetë artist me A të madhe….Aleksandër Lalo që ishte një ndër ata artistë, kishte një pension kaq modest prej 167 mije lek të( vjetra) aq sa nuk i dilte as për pesë ditëshin e parë të muajit….babai im ka qenë shok klase me të dhe sa herë takoheshin kur merrnin atë pak pension , me humorin që e karakterizonte u thoshte arkëtarëve …. “Do vi një ditë ,ju do të më paguani mua për çka kam bërë për artin”. Mjerisht shumë e vështirë të jesh artist në këtë vend….. Të prehesh në paqe mjeshtër.
Etrita Ibrahimi (vajza e Feim Ibrahimit)
Ike edhe Ti, Aleksandër Lalo…shkruajte muzikë të bukur, me të cilën u rritëm të gjithë…e ngrite zërin për muzikën dhe të drejtat e autorëve, luftove për të drejtën tënde, por në fund ike papritur dhe na le vetëm në betejën tonë të saponisur…!!! Pse??? Sepse kjo botë është e padrejtë natyrisht…!!! U prehsh në paqe, Maestro!
20 nëntor 2017 (gazeta-Shqip.com)