Ka qenë gjithnjë një njeri i mirë, i dashuruar pas qytetit, ishte shumë afër njerëzve, duke shfrytëzuar më së miri mundësitë që i jepte publiciteti. Ishtë aktor i përmasave evropiane, kishte përkushtim dhe cilësi të lartë interpretimi.
Ikja në amshim e Demir Hyskjes është humbja e një embleme për qytetin e Elbasanit. Kalanë e kemi aty, edhe kullën e Sahatit, edhe Sheshin e Namazgjasë, por Hyskjen jo. Një simbol i qytetit na la, edhe pse kalimi i tij në amshim është thjesht një stacion i kapërdishëm, meqenëse elbasanasve dhe gjithë shqiptarëve u ka lënë celuloidët me rolet e tij të papërsëritshme në 35 filma e në dhjetëra drama. Në njërën syresh, në dramën time “Tokë e Ndezur”, unë kam kujtime të papërsëritshme. Aty pashë si aktori, ylli i teatrit shqiptar, kërkonte jo veç konsulencën e regjisorit, por edhe të autorit të dramës, që ta ngërthente personazhin sa më mirë.
Ishte veçanërisht i rëndësishëm për Hyskjen personazhi i Ramë Ulnikajt, muhaxhirit nga Kosova, në një dramë që i doli nga duart regjimit komunist dhe në atë 1981-s të nxehtë kontribuoi sadopak për sensibilizimin e çështjes së Kosovës, në një opinion të topitur nga propaganda e poshtër e regjimit. S’do t’i harroj kurrë fjalët e Hyskjes, teksa i çliruar tha: “Shyqyr që na erdhi një dramë me shqipe!”
Ka qenë gjithnjë një njeri i mirë, i dashuruar pas qytetit, ishte shumë afër njerëzve, duke shfrytëzuar më së miri mundësitë që i jepte publiciteti. Është aktor i përmasave evropiane, kishte përkushtim dhe cilësi të lartë interpretimi. Ishte patriot dhe njeri që shfrytëzonte çdo mundësi për të qenë njerëzor. Disa herë mbronte aktorët me biografi të keqe, ku do të veçonim ndihmën për Shpëtim Shmilin. Brenda teatrit ai ishte llogorja më e madhe kundër luftës së klasave.