(Në kujtim të shuarjes së aktorit tonë të madh humorist): Nga Skifter Këlliçi
Ashtu si çdo artdashës edhe mua vdekja e Skënder Sallakut më tronditi. Ky lajmi i zi është pasqyruar tashmë në shtypin tonë të shkruar dhe radioteleviziv. Bashkë me mbresa të njerëzve të shquar ta artit humoristik skenik,të cilit për dekada ai i dha aq shumë. Ndaj unë nuk kam ç’të shtoj. Sidoqoftë, po ribotoj mbresat e mia për tre libra kushtuar çiftit Vitore dhe Skënder Sallakun dhe veçanërisht për Skënderin,që tashmë nuk e kemi midis nesh,por që na ringjallet falë ngjarjeve që përshkruhen në faqet e tyre:
Pra tre libra,o se më saktë do të ishte: dy libra të shkruar nga akrobatja e magjishme e Cirkut të Tiranës, Vitorja, dhe një tjetër kushtuar bashkëshortit të saj, aktorit të madh komik, Skënder Sallaku. Libri i parë i Vitores titullohet “Një jetë në cirk” dhe kuptohet se në të ajo ka derdhur tërë përvojën e saj shumëvjeçare që nga salla e Estradës së Shtetit, ku u njoh dhe lidhi jetën me Skënderin.
Libri i dytë i saj, për çudinë time dhe të lexuesit, titullohet “Pikë vese“ dhe është …një vëllim i vogël poetik, ku ajo ka përçuar përshtypjet e saj jetësore në vargje. Kurse libri i tretë, “Skënder Sallaku, ose kur qeshnim nën diktaturë”, është shkruar nga regjisori dhe shkrimtari i njohur humorist, Pëllumb Kulla.
Kisha dëgjuar për këta libra ndaj, sa kur më 2006 u ndodha në Tiranë, që në ditët e para kërkova të takohesha me këtë çift që e kam ndjekur, së pari si shikues në sallë e në ekran, pastaj si gazetar i RTVSH-së, kur kam pasur rast të përgatis edhe emisione kulturore ku është përfshirë edhe veprimtaria e çiftit Sallaku.
Dhe, ja, kohë më parë, në një nga kafenetë e shumta të Tiranës, ata më dhuruan librat e mësipërm. Aty edhe patëm rast të bisedonim edhe për kujtimet e fëmijërisë. E shoh të arsyeshme t’i kujtoj lexuesit se me Skënderin më lidh një miqësi më shumë se 60-vjeçare.
Ishte viti shkollor 1947-48, kur unë u ndodha në një klasë me atë që do të bëhej një nga aktorët më të mëdhenj të humorit shqiptar të të gjitha kohëve. Dhe që atëherë Skënderi filloi të shfaqte shenjat e talentit të tij, të krijonte mizanskena, me gjestikulime, me batuta që i improvizonte, ose të imitonte në mënyrë të habitshme aktorë të mëdhenj që i kishte për në kinema, sidomos CCarli CCaplinin.
Meqë ishte plot tre vjet më i madh se unë dhe vëllai im binjak, Luani, (kishim lindur të tre në muajin janar), e quanim si vëllain e madh. E donin edhe prindërit e mi, sidomos nëna që, nuk di se përse e quante me përkëdheli, Seminajko, nofkë që i mbeti për disa vite. Dhe ishte ky Seminajko, për të cilin ajo thoshte se shpejt do të bëhej i madh, vërtet së bashku më një bashkëmoshatar tjetër, Sali Brrarin, që dhe ai banonte në një mëhalle më ne, në rrugën “Siri Kodra” në Tiranë, pas disa vitesh u ngjitën, i pari në skenën e Estradës së Shtetit dhe i dyti në atë të Ansamblit Shtetëror të Këngëve dhe Valleve Popullore, duke u bërë nga këngëtarët më të shquar të tij.
Me Skënderin kujtuam edhe ndeshjet e futbollit me topa lecke që zhvillonim në rrugën “Siri Kodra”, ku unë, siç e kam përshkruar me raste edhe në kujtimet të mia të tjera, qëllonte që ngjitesha mbi kabinën e një kamioni të vjetër, të lënë mënjanë të saj dhe, duke imtuar Anton Mazrekun, “komentoja” ndeshjen e shokëve të mi të asaj mëhalle.
Ja, disa nga këto episode kujtuam së bashku me Skënderin dhe Vitoren në atë bisedë duke gjerbur kafe. Disa prej tyre Vitorja nuk i dinte e kështu edhe qeshi kur unë përpiqesha të imitoja Skënderin me çapkënllëqet e tij, sidomos në klasë, kur imitonte një mësues të sertë të matematikës.
U ndamë me mall, duke i premtuar njeri-tjetrit se edhe do të takoheshim ndonjë ditë edhe në Amerikë, meqë ata kanë një djalë që banon prej vitesh në Nju Jork. U ndamë, por mua më duket se i kam pranë, sepse kam në duar librat që më dhuruan me aq dashuri.
Siç kuptohet nga titulli, në librin e parë “Një jetë në cirk” Vitorja shpalos tërë përvojën e saj të çmueshme në skenën e cirkut. Libri, në shikimin e parë, i drejtohet artistëve të rinj që duan t’i kushtohen këtij arti sa të bukur, aq edhe të vështirë. Dhe kjo sepse në faqet e tij ajo përshkruan jo vetëm historinë si lindi cirku që në kohë të lashta, për të ardhur deri në ditë tona, duke u ndalur te veçoritë e cirkut kinez, që ajo e njeh nga afër me që është specializuar atje së bashku me Skënderin dhe kolegë të tjerë, me cirkun rus, cirkun modern, por edhe ndalet në jetëshkrimin e këtyre kolegëve më të cilët shkroi historitë e cirkut shqiptar. Prandaj në faqen e parë të librit ajo shkruan:
“Këtë libër ua kushtoj kolegëve të mi, të cilët me talentin e tyre e punën vetëmohuese bënë që të lulëzojë e të qëndrojë me dinjitet përkrah arteve të tjera edhe cirku në Shqipëri”. Kurse, aktori, regjisori dhe piktori i njohur i filmit vizatimor Bujar Kapexhiu, shkruan kështu për vlerat e këtij libri: ”Vitore Sallaku, një nga pionieret e cirkut shqiptar, me ushtrimet e saj klasike ka korrur vazhdimisht breshëri duartrokitjesh. Ushtrimet e saj të veçanta kanë bërë që herë pas here spektatori të dyshojë në ndërtimin anatomik të trupit të saj, sikur t’i mungonin kockat”.
Libri është një përmendore që Vitorja ngre për mësuesit dhe kolegët e saj, Telat Agolli, Ali Xhixha, Tahir Baccova, Pina e Pineo Shkurti, Arian Miluka, Fatos Alla, Kujtim Dumi, Bajram Kurti, Bujar Bodinaku, Pranvera Agolli, Hamid Petrela…e, doemos, edhe bashkëshortin i saj, Skënder Sallaku.
Për të tërë këta, Vitorja i ka shkruar me aftësinë e një publicisteje po aq të talentuar sa ç’ka qenë në skenë, duke lënë trashëgim një libër të domosdoshëm për këtë art të madh që hyri në jetën e çdo familjeje shqiptare, sepse nuk ishin vetëm ne, të mëdhenjtë, që e deshëm cirkun, por, mbi të gjithë, fëmijët që mahniteshin nga Vitorja e shokët e vet, për të cilët ajo shkruan me aq dashuri në faqet e librit të saj.
Në fund të librit të bën përshtypje një episod domethënës pas një shfaqjeje të dhënë në fshatin Petrelë të Tiranës. Atje një fshatar e pyet atë fshehtësisht se mos ishte e bija e doktor Rashës, që ishte pushkatuar nga fundi i vitit 1944 nga diktatura komuniste. Dhe kur ajo, tepër e tronditur, i përgjigjet “po”, fshatari i shpjegon në nën dialektin tiranas; ”Nigjo, -më tha, -mos boj zo, po vorrin e babës tand e kom në oborr ke rronja e ullinit. . Sa të jetë gjallë baba, vorri nuk humb”.
Nuk e përmenda rastësisht këtë ngjarje, që mbase nuk ka të bëjë drejtpërdrejt me përmbajtjen e librit, “Një jetë në cirk”, por, gjithsesi, ky fakt rrëqethës e ka shtyrë Vitoren të shkruajë një poezi të goditur që ajo e ka përfshirë në librin e saj të dytë me poezi, ”Pikë vese”. Dhe është, pa dyshim, më e ndiera e këtij vëllimi, në të cilën akrobatja e madhe e cirkut dhe, pse jo, edhe historishkruesja e këtij arti në Shqipëri, dëshmon se është edhe poete.
Besoj se edhe lexuesi do të krijojë këtë bindje, pasi ta lexojë këtë poezi me titullin domethënës “Hija”:
“Ç’je ti, ije, që vjen të më prishësh/Barapeshën e jetës, /Që vjen të presësh krahët e fluturimeve të mia, /Të m’i shtypësh vertikalet e mia, /Që shpirti im të përkulet/…Kush je ti që vjen të më helmosh frytet e mundit tim, /Gëzimet që më jep dashuria?/Jam biografia, /Pushkatimi i tyt eti më dyzetekatrën, /Jam vigjilenca, /Jam Partia…”
Kurse poeti Qazim Shemaj që ka shkruar parathënien e këtij vëllimi shkruan:
“E mësuar t’i japë publikut emocione dhe figura të bukura, tanimë kur për arsye të moshës ajo i nuk mund të dalë në arenën e cirkut, del në arenën e fjalës poetike, për të shpalosur një tjetër dimension njerëzor të saj, me një ekuilibër sublim, si grua, si nënë, si qytetare, me engjëllin e mirësisë, pa bërtitur për plagët që merr njeriu në jetë, duke mbetur kështu dëri në fund Vitore. ”
Dhe, për ta ilustruar edhe më tej këtë gjykim, po rendis një tjetër poezi të Vitore Sallakut, marrë nga vëllimi “Pika vese”:.
“Deshën të takonim engjëjt tanë, /deshëm të preknim shpresat tona, /dhe erdhën nipërit, mbesat, Tea, Marvi, Fjona, /më të bukurit në jetë. /Tani pema e jetës sonë ka degë, lule, dhe fletë…”/
Dhe vijmë kështu te libri i tretë. Këtë radhë nuk është Vitorja që shkruan për bashkëshortin e vet, Skënderin, por është një humorist i shquar që shkruan për këtë figurë kaq e madhe të skenës humoristike, sepse ai , meritonte një “alter ego” siç thonë romakët, pra, “një tjetër unë”. Libri i Pëllumb Kullës, “Skënder Sallaku, ose si qeshnim nën diktaturë” është dëshmi e kësaj sentence.
Veç kësaj, ky libër, deri tani nga të rrallët për figura me përmasa të mëdha në fushën e humorit, është një jetëshkrim origjinal edhe nga pikëpamja e ndërtimit. Nuk është thjesht një paraqitje kronologjike e veprimtarisë së aktorit tonë të madh, që ndoshta do ta bënte veprën disi të zakonshme.
Kjo veprimtari, falë gjetjeve të goditura të autorit, me ndërthurje të jetës skenike me copëza nga vetë kjo krijimtari plot ngjarje të improvizuara nga vetë Skënderi, e bën këtë libër të qeshim jo vetëm ne, të popullit, por edhe udhëheqësit tanë komunistë, duke përfshirë edhe Enver Hoxhën, dora vetë, të cilët, pasi dëgjonin barcelatat e tij plot kripë, kur shkonin në shtëpi, vrisnin mendjen të gjenin edhe se çfarë mund të fshihej pas humorit e tyre të hollë.
Po shkëpus nga ky libër vetëm një anekdotë me të vërtetë të kripur që Skënderi tregonte në vitet e diktaturës, me titull, “Sapun në Shkodër”:
”-Më falni, paskeni blerë sapun!… A mund të më thoni ku e gjetët?
-E bleva në Shkodër… Kishte sa të duash.
-Sikur t’i hipi trenit e të vete atje, mund të ketë mbetur sapun akoma?
-Sa të duash, të thashë. Por ti mos shko në Shkodër. Pre biletë treni deri në Lezhë dhe nisu.
-Në Lezhë??!… Po ju më thatë se sapun ka në Shkodër më shumicë?!
-Ëëh…thashë në Shkodër dhe pikërisht atje shitet, por deri më Lezhë ishte bërë radha…”
Kjo barcaletë është një nga thërrmijat e këndshme në oqeanin e krijimtarisë së tij artistike që nga skena e cirkut, skena e estradës tek ekrani televiziv, që Pëllumb Kulla na e zbërthen me mjeshtri në librin e tij.
Është një nga tre librat për Vitore dhe Skënder Sallakun…
…Këto ditë mora në telefon Skënder Sallakun. Biseduam si shokë të vjetër të fëmijërisë së hershme. Dhe ja, ndërmjet të tjerash, tek i flisja edhe një herë tjetër për përshtypjet e mia për këta libra, më tha se Vitorja kishte botuar këto ditë edhe një libër tjetër-“Historia Cirkut”.
Duke lexuar atë, ne bashkëmoshatarët e Vitores dhe Skënderit, do të rikujtojmë shfaqjet që kemi parë dikur në sallën e Estradës së Shtetit dhe pastaj në Arenën e Cirkut, ku, veç artistëve të tjerë, një pjesë e të cilëve vazhdojnë të jenë edhe tani të afërm për shikuesit e rinj, ishin ata të dy. Gjithnjë të afërt dhe të paharruar.
Këto mbresa rreth librave të mësipërm janë shkuar vite më parë.
Para pak ditësh desha ta merrja Skënderin ne telefon nga Kuinci, (Boston) dhe t’i kujtoja se kisha botuar në faqet e kësaj gazete një reportazh me titull “Ne, të rrugës “Siri Kodra”, ku përshkruaja figura të mëdhatë jetës shqiptar, e ndër të cilat edhe figurën e tij. Por nuk arrita. Më ndaloi vdekja. Por ajo nuk më ndalon as mua as këdo që ta kthejë atë mes nesh, sepse janë kujtimet dhe përshtypjet e atyre që e kanë ndjekur për dekada në skenën e Teatrit të Estradës dhe ekranit të televizioneve. Dhe ata nuk janë të paktë. Jemi ne krijuesit, mbi të gjitha masa e panumërt e shikuesve në Shqipëri dhe kudo ku jetojnë shqiptarë.