Todi Thanasi ka lindur në 17 shkurt të vitit 1930 në qytetin e Durrësit dhe është ndarë nga jeta në vitin 1982. Në teatër Todi Thanasi ka marrë pjesë gati në të gjitha pjesët e vëna në skenë nga Trupa Profesionale e Teatrit “Aleksandër Moisiu”. Këtu mund të përmendim pjesët: “Dy me zero”, “Dy vëllezër e gjysmë”, “Hotel Ballkan”, “I sëmuri imagjinar” e Molierit etj. Në kinematografi rolet e interpretuara prej tij janë episodike.
Filmi i tij i parë do të jetë filmi “Vitet e para” ku ai do të interpretojë rolin e inxhinier Vasil Mingës më pas do të vazhdonin edhe shumë role të tjerë. Në vitin 1980 në bashkëpunim me Esat Oktrovën dhe Vangjel Moisiun ai do të shkruajë biografinë me të njëjtin titull të aktorit më të madh shqiptar Aleksandër Moisiu.
Ka dy djem. Në 24 Janar të vitit 1955 Todi Thanasi do të dekorohej me Medaljen e Punës nga Presidiumi i Kuvendit Popullor të Shqipërisë me këtë motivacion: Për mobilizim dhe punë të palodhur në realizimin me sukses të operetës “Era e Lirë” të Dunajevskit, duke kontribuar kështu në thirrjen e lëvizjes artistike në qarkun e Durrësit.
Kinematografia: “Vitet e para” (Inxhinier Vasili) – 1965, “Komisari i drites” – 1966, “Horizonte të hapura” (Kapiteni i anijes Rrufeja) – 1968, “Plagë të vjetra” (Aredini i deleguari i ministrisë) – 1969, “Balonat” (Zoti Raqi) – 1979.
Role në Teatër: “Dy me zero”, “Dy vëllezër e gjysmë”, “Hotel Ballkan”, “I sëmuri imagjinar” e Molierit, “Kartela e verdhë”, “Martesa” e Nikollaj Gogolit, “Mirë se erdhe Elona”, “Njerëz mbi shkëmb”, “Një shok i klasës sime”, “Pulëbardha” e Anton Çehovit, “Qyteti pa dashuri”, “Revizori” e Nikollaj Gogolit, “Stacioni i fundit”, “Vajza pa prikë”, “Ylli pa emër”. Opereta: “Era e Lirë” e Dunajevskit.