Nga: Gëzim Kabashi
Kushdo që në fillimin e viteve ‘70 ka patur rastin të shohë në skenën e teatrit “Aleksandër Moisiu” shfaqjen e dramës “Mulliri i Kostë Bardhit” ka ngulitur në mëndjen e tij figurën e xha Sokratit, të interpretuar mjeshtërisht nga aktori Tod Thanasi. Thuajse gjatë gjithë kohës i ulur në stolin e tij në qoshe të skenës personazhi Sokrat, një emigrant i kthyer nga mërgimi fliste shumë pak, por “ngjiste” shumë. Njëlloj siç ka mbetur i fiksuar te spektatorët durrsakë interpreti i dhjetëra roleve në teatër dhe në kinematografi, aktori Tod Thanasi.
Tod Thanasi (16 janar 1928 – 19 shkurt 1982)
Familja e Tod Thanasit ka mbërritur në Durrës në fillim të viteve 1930. Babai i tij, Vasil Thanasi nga Mokra, më parë se të zbriste në Pogradec kishte mërguar për shumë vite në Rumani. Todi ishte djalë i vetëm, djalë dëshiri, si i thonë, dhe pas vdekjes së të jatit në vitin 1945 u lidh edhe më shumë me të ëmën. Ende i vogël Todi punon si çirak dhe bën punë të ndryshme në qytet. Të njejtën gjë bën edhe në Tiranë, kur familja e tij, njëlloj si banorët e tjerë të Durrësit në tetor të vitit 1943 u shpërngulën nga bregdeti për shkak të pushtimit gjerman. Kur përfundoi shërbimin ushtarak në marinë në vitin 1951 Tod Thanasi u lidh përfundimisht me artin teatral. Ishte 23 vjeç, por të gjitha përvojat e mëparshme nuk i kishte çuar dëm.
Në kinema “Gloria” në qendër të Durrësit, kishte mbajtur bobinat e filmit mes akteve njëlloj si çunaku i filmit të Tornatores “Nuovo cinema paradiso”. Aty kishte fiksuar artistët e mëdhenj të ekranit, në mëndjen e vogëlushit ishin memorizuar skenat nga filmat e regjisorëve të famshëm të Hollivudit dhe Cinecittas. Pak vite më vonë ai do të bëhej pjesë e Korit të ushtrisë, ndërsa gjatë katër vjetëve të shërbimit ushtarak nuk do të mungonte në asnjë nga veprimtaritë e organizuara. Gjithçka kishte “vjedhur” duke ndjekur artistët e huaj do ta mësonte edhe në libra, kur në mesin e viteve 1950 ndoqi degën e dramës në liceun artistik në Tiranë.
Aktori dhe regjisori
Regjisori Gjergj Vlashi kujton se Todi ishte një aktor karakteresh, çka nuk është e lehtë në teatër. “Todi e përballonte me përgatitjen e tij të kahershme kulturore-nënvizon regjisori i njohur. Ai lexonte dhe ndiqte rregullisht kinemanë, gjë që e ka ndihmuar edhe në fushën e regjisurës”. “Festa e fenerëve” ishte drama e autorit gjerman Hans Pfaifer, të cilën e vuri në skenë Todi. “Ishte historia fatkeqe e dashurisë të një vajze japoneze me një djalë amerikan-vijon Gjergj Vlashi, i cili e kishte përkthyer veprën. Edhe drama fatkeqsisht u shfaq vetëm dy herë, pasi e cilësuan si “vepër me tendenca revizioniste”-kujton Gjergj Vlashi. Disa vjet më vonë Tod Thanasi shfaqet përsëri në rolin e regjisorit me një vepër tjetër “Djali plangprishës”.
Aktorin Tod Thanasi e kujtojnë në veçanti për rolin e xha Sokratit në dramën “Mulliri i Kostë Bardhit”. Ishte një nga karakteret që ai krijoi në skenën e teatrit të Durrësit. “Kam qenë i vogël në atë kohë dhe kur babai qëndronte i ulur në qoshen e tij më bënin përshtypje këpucët amerikane, me mbërtheckat anash-kujton Gjergj Thanasi, djali i dytë i aktorit. Edhe në shtëpi ne jetonim me hallet e teatrit, megjithëse babai përpiqej të fliste sa më pak për punën”. “Ishte shumë i kujdesshëm me mua dhe vëllain, Vasilin-thotë Gjergji, i cili kujton se nga çdo turne në qytete apo fshatra të largët Todi do të kthehej me nga një dhuratë mjaft të vlefshme për atë kohë, nga xhakovento deri te këpucët.
Gjergji sjellë në vëmendje interpretimet te shfaqjet “Zani partizani”, “Martesa”, në të cilën ishin përfshirë aktorët më të mirë të teatrit të Durrësit, apo “Prefekti”, ku luante rolin e shërbëtorit, Liut, përkrah aktorit të madh të humorit Nikolin Xhoja. Listës së roleve në teatër i shtohen edhe krijimet artistike në filmat e Kinostudios si “Ndërgjegja”, “Vitet e para”, “Komisari i dritës”, “Horizonte të hapura”, “Oshëtimë në bregdet”, “Stuhia” apo “Balonat”. “Tod Thanasi po të përdorim me një term detarësh mund të quhet “nostromi” i teatrit-thotë regjisori Haxhi Rama. Nuk e di sa shkollë kishte bërë, por kishte një kulturë dhe pasion të madh për artin teatral dhe kinematografik. I njihte shumë mirë aktorët e huaj, kishte dhe ruante shënimet e asaj periudhe. Të gjitha këto i shërbyen për të bërë edhe regjisurën e teatrit-vijon regjisori me përvojë.
Arkiva model e teatrit të Durrësit
Në vitin 1974 Tod Thanasi goditet nga një infarkt i miokardit. Gjendja e zemrës së sëmurë shqetësoi mjekun e njohur kardiolog të Durrësit, Beniamin Çetta. “Kjo është një kartelë e verdhë për shëndetin tënd- e këshilloi ai mikun dhe pacientin e tij në mënyrë figurative. Tod Thanasi filloi të tërhiqej gradualisht nga skena. Emocionet e saj nuk ia lehtësonin “administrimin” e zemrës së sëmurë. Pedagogët e Institutit të Arteve në Tiranë rekomandonin studentët të punonin temat e diplomës nën drejtimin e tij, ndërsa kineastët përpiqeshin ta aktivizonin në role të vogla, për të mos e lodhur.
Në teatrin “Aleksandër Moisiu” të Durrësit ai krijon arkivin, që konsiderohet si një vepër e mirëfilltë profesionale. Me ndihmën e piktorit Zef Ujkaj u krijuan dosjet e shfaqjeve që nga themelimi i teatrit, si dhe ato të artistëve të nderuar me tituj. Tod Thanasi “gjurmoi” gjithçka që lidhej me veprimtarinë teatrale të Durrësit, nga një foto apo fletëvolante deri te gazetat apo botimet artistike. “Todi është themelues i arkivit-nënvizon regjisori Haxhi Rama. Gjithçka e bënte në emër të pasionit të tij për teatrin, krejt pa shpërblim. Sipas Ramës, në arkiv gjeje gjithçka, “jam habitur kur kam parë edhe librezën e punës të Nikolin Xhojës, i cili punonte në bankë para se të fillonte në teatër”.
Gjithçka është ruajtur nga ai arkiv ka një vlerë të pallogaritshme për institucionin e vetëm profesionist artistik të qytetit tonë. Meritë e padiskutueshme e Tod Thanasit. Artisti durrsak do të goditej për së dyti nga infarkti, dhe sëmundja do ta merrte më 19 shkurt të vitit 1982. Ishte vetëm 54 vjeç, shumë i ri për të lënë në mes një veprimtari të ngjeshur artistike.