Timo Flloko promovon librin e dytë me poezi në një mbrëmje mes miqsh

0

 

 

Në lartësinë e qiellit me yje, si i vetmi dëshmitar që zbehu errësirën e mbrëmjes së djeshme, për t’i dhënë gjithë shkëlqimin dhe rëndësinë e dëshiruar eventit, ai ishte kryeqendra e natës. Ndoshta në kufijtë e një modestie të pranueshme, ose thjesht si natyrë perfeksioniste që është, Timo Flloko ishte boshti dhe arsyeja për të cilën ishin bërë bashkë personalitetet më të shquara në vend dhe miqtë e tij më të dashur. Gjithashtu ishin të pranishëm në mbrëmje edhe Linda Rama dhe vet kryeministri Edi Rama.

 

Promovimi i librit të tij të dytë, “Kërcim në bosh”, një libër me poezi, ku lartësohen të gjitha ndjesitë, të gjithë personat më të dashur të jetës së autorit, ata që kanë lënë gjurmë dhe mbresa të pashlyera, ishin pjesë e rrëfimit të tij artistik, që u shfaq herë pas here me daljet në skenë.

Të tjerë të ftuar, e personalitete si Kujtim Çashku apo Mevlan Shanaj, ishin aty si dëshmitarë në rrugëtimin artistik të Timos ndër vite, por parë kjo në spektrin e aktorit brilant, që i ka dhënë kinematografisë dhe teatrit shqiptar, qindra role të spikatura, të cilat si një kolazh u sollën bashkarish në një video që solli shumë mbresa dhe kujtime tek të ftuarit në mbrëmjen që u organizua dje në ambientet e restorantit “Aba 21” në kryeqytet.

 

Të ftuar të tjerë lanë gjurmët e tyre aty…Përmes interpretimit të poezive, apo performancave muzikore në këngë e piano, në jo pak raste Timo Flloko nuk e tkurri emocionin, ai lexohej qartë në vështrimin dhe portretin e tij. Sidomos, pasi kryeministri Rama nuk e kurseu batutën kur e tha hapur se: “Vetëm poezia për Verën është poezi, ndërsa gjithë të tjerat janë vjersha”.

Si për t’i mëshuar edhe më fort raportit unik, që ata të dy kanë me njëri-tjetrin. Fryt i së cilës është e bija, Linda Flloko e cila prej vitesh jeton dhe punon në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Por, nuk mund të mungonte një video mesazh shumë kuptimplotë dhe i ndjerë i saj, për një ditë të shënuar në jetën dhe karrierën e të atit, ndaj Linda zgjodhi fjalët më të bukura për të përshkruar ndjesinë e të qenit bijë e dy njerëzve të rëndësishëm, për poezitë e të atit, raportin mes tyre, etj.

 

Magjinë natës së mbrëmshme ja shtuan edhe më shumë zërat brilantë dhe performancat në skenë të dy këngëtareve të njohura, Arilena Ara dhe Xhensila Myrtezaj.  “Kur braktis atë që do”, u interpretua nga Arilena këngë e cila fillimisht është kënduar nga Ardit Gjebrea, me vargje të shkruara nga Timo Flloko.

Ndërsa, në muajin e tetë të shtatzënisë, Xhensila intepretoi “Për një çast më ndali zemra”, që është kënduar për herë të parë nga Rovena Dilo dhe Pirro Çako.  Gjithashtu, në mbyllje kënduan edhe kantautori i njohur Pirro Çako dhe Redon Makashi, hitin  e famshëm “Kuturu”, i cili u përcoll me duartrokitje nga gjithë të pranishmit aty.

 

Sepse e tillë ishte e gjithë mbrëmja e djeshme! Një natë e dedikuar për poezinë, për jetën, për dashurinë të servirura këto në sytë dhe zemrat e njerëzve më të ngushtë që kanë zënë vend në zemrën e Verës dhe Timos!

 

 

SHARE

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here