Timo Flloko: Jam gjithmonë në gjueti për të marrë rolin që më pëlqen

0

 

 

Aktori i njohur, në një rrëfim për emocionet e teatrit dhe filmit, por dhe vështirësitë financiare të artit…

Timo Flloko është një nga emrat më të vlerësuar të kinematografisë shqiptare dhe skenës teatrore. Me dhjetëra role në kinematografi, por dhe shumë interpretime në teatër i kanë dhënë një vend të rëndësishëm në artin shqiptar. Veç karrierës së vlerësuar, Timo Flloko është gjithashtu edhe një nga profesorët më të respektuar të Fakultetit të Artit Skenik. Këto kohë ai sapo ka përfunduar provimet me studentët e vitit të parë dhe sipas tij ka qenë një punë jo pak e lodhshme, megjithatë ai vlerëson shumë dhe energjinë që kanë të rinjtë.

Për publikun aktori i njohur Timo Flloko së fundi në skenën teatrore ishte me veprën “Shtrigat e Salemit”. Njëlloj si dhe më herët me dramaturgjinë e Arthur Miller në shfaqjen “Pamje nga ura” edhe këtë herë aktori Timo Flloko shijoi një tjetër sukses me “Shtrigat e Salemit”. Përballë këtij suksesi duket sikur ai është larguar pak nga filmi, por vetë aktori tregon se është gjithmonë në gjueti të rolit që i pëlqen. Por çfarë i ka falur filmi dhe teatri ndër vite, dhe si e shikon ai sot zhvillimin e tyre, aktori i njohur Timo Flloko i rrëfen në vijim të kësaj intervist

 

-Në skenat teatrore nuk kanë munguar dhe pjesë që janë vënë në skenë nga studentët tuaj. Sa i keni ndjekur ato?

 

Të rinjtë janë aktivë edhe pse kushtet nuk janë në nivelin që duhet dhe buxhete janë modeste, por tek ata ka përpjekje që duhen vlerësuar. Ka shfaqje të artistëve të rinj, që janë shfaqur në Metropol dhe që janë të frymëzuara, të mira profesionalisht. Të rinjtë bëjnë përpjekje kur marrin projekte të veçanta, si tek Festivali Teatri i të Rinjve, i cili duhet të vijojë traditën.

 

-Jeni një nga emrat më të vlerësuar të skenës shqiptare. Çfarë mendoni sot për teatrin?

 

Teatri shqiptar mbijeton si të gjitha artet në Shqipëri në kohën e ndryshimeve. Unë kam qenë gjithmonë për teatrin e repertorit. Ka ikur koha që të vihet një shfaqje në skenë dhe jepet 15-25 herë dhe të mos jepet më për publikun kur ai e kërkon. Kështu shfaqja “Pamje nga Ura” u dha afro 50 shfaqje dhe spektatori e kërkon dhe sot, por ajo nuk u shfaq më. Kjo ndodh sepse nuk është politika e teatrit e tillë, dhe vjen edhe projekti tjetër. Nuk rigjenerohen shfaqjet dhe mbeten ashtu, sepse duhen ndërtuar shfaqje të tjera. Teatri Kombëtar nuk ka dy skena, ku të ndërtohej tek njëra shfaqja e re dhe nuk do të ndalonte shfaqja tjetër.

Tek ne shfaqjet mbyllen dhe nuk kthehen më dhe kjo është fatale veçanërisht për shfaqjet që sigurojnë spektatorë. Çështja e repertorit, mungesa e funksionimit të shfaqjeve është problem. Kur spektatori i kërkon pse të mos jepen. Duhet të vendoset një lloj politike e dhënies së shfaqjeve, që është më efikase dhe e mban teatrin në nivelin e duhur. Tjetër problem janë dhe të ardhurat e shfaqjeve nga shitja e biletave. Ato e ndihmojnë teatrin, por i merr Ministria e Financave, sepse sipas saj ajo subvencionon teatrin në një kohë kur ato mund ti marrë teatri.

 

-Por ka dhe shumë artistë nga projekte të ndryshme që nuk janë paguar akoma?

 

Unë e di që nuk është faji i drejtorisë së teatrit, por është përgjegjësi e Ministrisë së Kulturës dhe asaj të Financave për këtë problem. Unë kam katër shfaqje nga interpretimi në “Shtrigat e Salemit”, që nuk më kanë shlyer detyrimet, po kështu dhe aktorë të tjerë si tek “Amadeus”, që nuk kanë marrë pagesën. Teatrit mendoj se nuk i jepet ajo që i takon nga ministritë, prandaj ju thashë që paratë e biletave ti marrin teatrot. Që të bësh një punë të mirë duhet të paguhesh dhe ky është sot koncepti. Nuk mundet të bësh një punë pa pagesë. Artistët nuk janë lekistë, nuk janë pasanikë, por janë një shtresë që jep vlera estetike emocionale tek spektatori, por që duhet paguar.

 

-Në Teatrin Kombëtar dy shfaqjet ku ju keni lozur, “Pamje nga Ura” dhe “Shtrigat e Salemit” kane qenë veprat më të suksesshme. Keni qenë aktor kryesor në këto dy vepra, pas kaq kohësh që ato janë vënë në skenë çfarë mund të na thoni?

 

Publiku e do artistin kur ai jep produkt emocional. Ne kemi punuar seriozisht në të dy projektet, me Albert Mingën,por dhe me Spiro Dunin. Kemi të bëjmë me një autor të madh, Arthur Miller. Të dy shfaqjet janë mirëpritur nga publiku, dhe sigurisht që çdo aktor ndjehet mirë nga kjo.

 

-Sa herë ngjiteni në skenën teatrore duket se është i garantuar dhe suksesi i shfaqjes. Në çfarë përgjegjësie ju vë kjo?

 

Artistin spektatori e ndjen, ndjen atë energji atë përkushtim të madh që artist ka. Nuk të jep kot duartrokitjet, por kur ai sheh kualitet, përkushtim dhe harxhim të ndershëm energjish. Në teatër talenti është shumë i rëndësishëm, por talentit duhet ti përgjigjet një punë e palodhur. Nuk ka shpjegim tjetër që spektatori vjen në shfaqje, pasi ai shikon produktin që jap.

Teatri ka pasur shfaqje dhe publiku i ka vlerësuar, përmend shfaqjet me Kadri Roshin, Sulejman Pitarkën, etj, që kanë qenë kollosë të teatrit, apo dhe shfaqje “Doktor Shuster” me Robert Ndrenikën. Elektronika sot ka marrë përparësi, por teatri që nga koha kur lindi në kohën e Greqisë së lashtë dhe sot ka të bëjë me artin e njeriut të gjallë dhe ai nuk vdes kurrë. Spektatori e do shumë, sepse është komunikimi i brendshëm emocional i artistit.

 

-Teatri apo filmi më i vështirë për ju?

 

Secili është më i vështirë, sepse secili ka specifikën, vështirësinë madje dhe bukurinë e vet. Kënaqësinë që të jep teatri nuk ta jep filmi, pasi filmi është një produkt i konservuar.

 

-Përballë suksesit tuaj në teatër, duket sikur i jeni larguar filmit?

 

Duket sikur i jam larguar filmit dhe jam më shumë pranë teatrit, por nuk kam marrë ndonjë rol në film, sepse në film dua të bëj atë që më takon të bëj.

 

-Folët për punën tuaj si pedagog, emocionet që keni marrë nga filmi dhe teatri. Si po vijon këto kohë jeta artistike, a kemi ndonjë projekt nga ju?

 

Unë jam gjithmonë në gjueti për të marrë ndonjë rol që do të më pëlqente mua. Është një vepër që quhet “E kuqja”, dhe kam një ide për të bërë një rol me këtë vepër. Kam dhe ide të tjera që jam duke punuar, kam dhe një përkthim. Por në çdo rast marr atë rol që unë mendoj se mund ta bëj dhe që më afeksionon, përndryshe nuk futem në atë projekt. Por ndërkohë që jam i zënë dhe me studentët, dhe nuk ka kush të më zëvendësojë.

Intervistoi: Julia Vrapi

 

 

SHARE

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here