Të kesh baba Ilia Shytin sigurisht që është krenari e madhe. Por kur e kujton se je ndërgjegjësuar që ai ishte një aktor i dashur aq shumë për njerëzit?
Është e vërtetë që ndihem krenare dhe e privilegjuar, do të thosha një baba shembull dhe për shumë breza, që nuk u lodh kurrë së punuari dhe edukuari. Kur njeriu fillon të rritet, me kohën arrin të kuptojë sa me rëndësi dhe me vlere ishte profesioni i babit. Ishte kënaqësi kur ecnim në rrugë dhe e ndalonin të njohur dhe njerëz që s’i njihte, duke i folur me shumë dashamirësi, por babi ishte natyrë që falte shumë dashuri.
Për shumë nga ne Ilia ishte babai, gjyshi, prindi i mençur, po për ju si ka qenë?
Ai ka qenë i drejtë, shumë i dashur. Me një zemër të madhe por kërkues dhe me autoritet. Mbante përherë një dosje të vogël ku aty do të ndodhej gjithmonë një libër që e shfletonte sa herë të kishte pak kohë, edhe duke pritur autobusin. “Koha është flori, të mësosh diçka të re nuk je kurrë vonë.”-thoshte ai.
Me mijëra përralla të rrëfyera praj tij na mbanin lidhur me radion. Por juve a ju tregonte të tilla?
Është e vërtetë që të gjithë fëmijët vraponim pranë radios për të dëgjuar përrallën e radhës. Për ne ishte e magjishme dhe nuk donim ta humbisnim. Zëri i ngrohtë dhe depërtues më ka mbetur akoma brenda meje.
Asnjëherë nuk e ka dhënë veten, por karriera e tij ka qenë si në një fushë të minuar, për shkak të arratisjes së vëllait të tij. Ju si e kujtoni këtë aspekt?
Ishte një dhimbje që e mbante me vete kudo, në çdo hap në çdo moment, ishte ajo perdja e zezë përpara që quhej “biografi e keqe” edhe pse lindte një ditë e re. Njolla vazhdonte të të ndiqte…e dhimbshme por e vërtetë. Kjo ndodhi tamam atëherë kur babi po realizonte ëndrrën e tij. Një shuplakë që e goditi rënde. E vuante por u përpoq që ne të ishim sa më larg së vërtetës, duke falur shumë dashuri, sikur asgjë të mos ishte reale.
I lidhur ngushtë me Lushnjën, Ilia Shyti është pjesë e asaj zone. Por sa ishte shpirtërisht i ndikuar nga ajo trevë?
Babi kishte një lidhje shumë të fortë me vendlindjen e tij. E adhuronte. E ftonin shpeshherë në Lushnjë dhe kur kthehej nuk pushonte së foluri për ata njerëzit artdashës, të mirë, paqësorë.
Absurdi i politikës e la pa titullin “Artist i Popullit”, por ndërkohë ka interpretuar role më shumë se pjesa më e madhe e aktorëve. Po në demokraci mendoni se u respektua sa duhet nga institucionet?
Babi punonte shumë e shumë se e dashuronte profesionin e tij. Arsyeja e mosmarrjes së titullit dihej qartë.Kur merrte rolet e tij, punonte shumë deri sa t’i jepte vlerën dhe shkëlqimin e duhur, duke mos lënë pas dore dhe detajet më të vogla. Kënaqej kur merrte vlerësimin e duhur nga njerëz profesionistë dhe njerëz të thjeshtë por artdashës. Na ndalonin gjithmonë në rrugë duke u përshëndetur me babin.
Piktura dhe portretet ishin një pasion i tij jo shumë i njohur…çfarë do më tregonit për këtë…
Në kohën e lirë filloi të pikturonte deri në orët e vona, pa u lodhur. E bënte me një pasion të madh dhe pasi e mbaronte thoshte: “Dua që portreti që kam realizuar të tregojë botën e brendshme, të flasin sytë, buzët dhe çdo muskul i portretit”.Realizoi dy ekspozita me portretet e aktorëve në role të ndryshme.
Kishte një peng nga karriera e tij? Një rol që e dëshironte, një aktivitet që i mungoi?
Normal i vinte keq kur perpiqeshin t’i hiqnin rrolin dhe këto gjëra kryesisht i bënin të paaftët, gjithmonë duke u fshehur pas biografisë.
Në çfarë mendon se i ngjan babait Alma?
Normal që fëmijët ngjajnë nga prindërit, mua më thonë që kam të njëjtin temperament, në mimikën e fytyrës, mënyrën e të shprehurit, humorin, batutat. Më pëlqen miqësia e bukur dhe e pastër. Ai ishte i thjeshtë, shumë miqësor dhe i drejtpërdrejtë. Pra me pak fjalë ishte njeriu “Babaxhan”.
Cilat cilësi mendon se Ilia Shyti u ka lënë brezave?
Një njeri me cilësi të tilla normal që kishte shumë miq e shokë sepse dhe ai falte shumë dashuri dhe sot kur takoj të njohurit e babit më mbushet zemra kur më thonë: “Ilia ishte një shok, një mik shumë i rrallë!”. Dhe i tillë ishte Ilia!
Intervistoi për Albanian Free Press, Juela Meçani