Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Radios. UNESCO ka shpallur këtë festë për të promovuar radion dhe të gjitha mundësitë që ajo ofron. 13 shkurti është zgjedhur pasi në këtë datë, në vitin 1946, Radio e Kombeve të Bashkuara ka transmetuar programin e parë. Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-moon, ka thënë se radioja argëton, edukon, informon, si dhe ndihmon në popullarizimin e ndryshimeve demokratike në gjithë globin.
Në Ditën Botërore të Radios, e cila përkon edhe me jubileun e 80 vjetorit të Radio Tiranës, në ambientet e presidencës shqiptare, zërat më mbresëlënës të saj sollën kujtimet e jetës. “Ajo ishte një dritare që na lidhte me botën, ishte një radio që patëm fat të jetojmë, sepse ishte ajka e inteligjencës shqiptare” tha gazetarja Elsa Xhai, tashmë në pension.
Meropi Matlia, një tjetër zë emblematik i Radio Tiranës tha se “Folësit gjejnë gjithmonë dëgjuesit e tyre. Do dëshëroja që mikrofoni të ishte i lirë edhe në kohën që kemi qenë ne, pasi nuk ka qenë kaq i lirë”. “Mbrojen atë, mbrojeni lirinë për tu shprehur” këshilloi ai brezin e ri të gazetarëve.
Radio Tirana, e cila këtë vit mbush 80 vjet, është mbartëse e një tradite të fortë shoqërore që me programet e saj gjatë luftës së Kosovës, ishte e vetmja urë lidhëse me shqiptarët atje. Për zëvendësdrejtorin e përgjithshëm të RTSH Martin Leka, mesazhi është i qartë. “Ndoshta është koha që të mos kemi gazetarë që bëjnë pallate dhe ndërtues që bejnë gazeta”.
Për krijuesin e emisionit sportiv “Nga njëra ndeshje në tjetrën” gazetarin Ahmet Shqarri, Radio Tirana është institucioni mediatik që nuk mund të zëvëndësohet dhe më së miri këtë mund ta thotë kreu i shtetit. “Mikrofoni është i shenjtë, ka shumë emocione! Ndoshta presidenti mund të thotë vetë se çfarë rëndësie ka mikrofoni” ftoi ai presidentin Ilir Meta, ish komentator i emisionit. “Unë sot shef kam zotin Ahmet Shqarri sepse në vitet 89-90, kur kam qenë student, kam qenë edhe komentator amator” tha zoti Meta, ndërsa ka sjellë edhe kujtime.
Në Ditën Botërore të Radios personalitete të fushës së medias u mblodhën në forumin “Radio zëri i komunitetit” të organizuar nga Fondacioni “Konrad Adenauer” dhe Departamenti i Gazetarisë në UT. Një nga organizatorët e takimit Arben Muka ka sjell një ekspozitë fotografike të Radio Tiranës ndër vite. Emra të njohura të radios si Zamira Koleci, Blendi Sala, Astrit Ibro si dhe Departamenti i Gazetarisë Mark Marku sollën opinionet e tyre rreth rolit që kanë luajtur dhe luajnë mediat radiofonike në Shqipëri.