Skender Hasko (1936-2013) shkrimtari i njohur i letërsisë për fëmijë

0

 

 

Skënder Hasko. Ai është autor i një sërë librash në prozë, poezi, dramaturgji, apo kinematografi. Skënder Hasko u lind më 2 mars 1936 në Dukat të Vlorës. Pasi mbaroi shkollën 7-vjeçare në vendlindje, kreu një kurs për mësues të ciklit të ulët dhe punoi mësues në Dukat nga viti 1953 deri më 1955-n, kur u thirr për të kryer shërbimin e detyrueshëm ushtarak në Flotën Luftarake Detare.

Në fund të vitit 1958 u lirua dhe kreu një kurs për mekanik në Kuçovë dhe punoi në Uzinën Mekanike të Naftës të atij qyteti, deri sa u mor si aktor profesionist në Estradën Profesioniste të Beratit dhe, në të njëjtën kohë, vazhdoi shkollën e mesme artistike “Jordan Misja” për aktor.

Në vitet 1970-1974 vazhdoi studimet e larta në Universitetin e Tiranës, në Fakultetin e Shkencave Politike-Juridike, degën e Gazetarisë dhe u diplomua gazetar. Pas mbarimit të studimeve punoi gazetar-redaktor në revistën satiro-humoristike “Hosteni”, shef i botimeve Teatër-Estradë në Shtëpinë Qendrore të Krijimtarisë Popullore. Ndërkohë mbaroi kursin e lartë për Ekonomi Politike.

 

Në vitin 1976 u emërua kryeredaktor i revistës për fëmijë “Pionieri”, ku qëndroi deri në vitin 1990, vit në të cilin u emërua drejtor i Teatrit Kombëtar të Fëmijëve, ku doli edhe në pension. Ai është autor i një sërë romanësh si: “Të burgosurat e Xhuxhumit”, “Legjenda e fshatit tim”, “Një ‘gjeneral’ kapet rob”, “Arratisja e Tupe Xhelos”, “Dimri iku duke qarë”, “6 muaj nga jeta e Besianit”, “Dardanët janë aty”.

Ka shkruar novela si: “Ne ishim partizanë”, “Çimi dhe roboti budalla”, “Çudirat dhe e fshehta e Zamirit”, “Mbreti i tigrave” “Ata që të bëjnë për të qeshur”, “Arushi hundëkavanoz”, “Lepur ishte-lepur mbeti”, “Një sherrxhi mustaqemi”, “Kocomiu tekamadh”. Hasko është edhe autor i monografisë “Xhafer Peçi, njeriu që nuk u lodh kurrë”, si dhe i një sërë tregimesh dhe poemash. Ai është autor i skenarit të filmit artistik “Një gjeneral kapet rob”, nderuar me diplomë në Festivalin e Salernos në Itali.

Librat e tij janë vlerësuar me çmime nga juritë kombëtare të Ministrisë së Arsimit e Kulturës, të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve, të shtëpive botuese dhe të Shoqatës Mbarëshqiptare të Shkrimtarëve për Fëmijë e të Rinj: novela “Mbreti i tigrave” është vlerësuar me çmimin “La Fonten” dhënë nga ambasada franceze; novela-përrallë “Arushi hundëkavanoz” është vlerësuar me çmimin “Viktor Eftimiu” nga ambasada rumune, romani-përrallë “Të burgosurat e Xhuxhumit” me çmimin “Xhani Rodari” nga ambasada italiane (një kopje e diplomës së këtij çmimi është vendosur në muzeun e Xhani Rodarit, në Itali); romani “Arratisja e Tupe Xhelos” me çmimin “Tasim Gjokutaj” nga shtëpia botuese “Toena”; romani “6 muaj nga jeta e Besianit” u cilësua si libri më i mirë i vitit në Panairin 2005 nga Drejtoria Arsimore e Tiranës dhe Shoqata Mbarëshqiptare e Shkrimtarëve për Fëmijë e të Rinj.

Hasko ka marrë “Dëshmi mirënjohjeje” nga Shoqata Atdhetare për Dëshmorët e Atdheut dhe “Certifikatë mirënjohjeje” nga Qendra Kombëtare Kulturore e Fëmijëve, në të cilën thuhet: “Mirënjohje për jetë për veprat tuaja të mrekullueshme letrare, nëpërmjet të cilave janë edukuar breza të tërë në Shqipëri. Mirënjohje për kontributin Tuaj të shquar për edukimin e fëmijëve me ndjenjën e dashurisë për njeriun, Atdheun, për shkencën e diturinë, për çdo gjë të bukur që fisnikëron shpirtin e njeriut.” Pjesë të krijimtarisë së tij janë përkthyer në greqisht, rusisht etj.

 

 

SHARE

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here