Si e kam njohur Margarita Xhepën: Nga VIKTORIA XHAKO (ZHORZH SAND)

0

 

 

Materiali i mëposhtëm kushtuar aktores Margarita Xhepa qëndron prej 8 (tetë) vjetësh në arkivin tim. Duke marrë shkas nga gjendja e saj, po e postoj sot duke i uruar Aktores së Madhe shëndet dhe shërim të shpejtë e të plotë.

 

Për MARGARITA XHEPËN

Si e kam njohur Margarita Xhepën: Nëse mund të quhet njohje duke i parë vetëm portretin një njeriu, them se e kam njohur Margarita Xhepën nëpërmjet faqeve të revistës „Ylli“. Kur isha fëmijë më pëlqente të quhesha me një emër luleje. Vjollca, Margarita. Mendoja se vajza që mban emrin e një luleje është e bukur si ajo lule.

Nuk isha gabuar. Duhej të ishte mesi i viteve ‘60, kur pashë për herë të parë foton e Margarita Xhepës  në rolin e Ofelisë në faqet e revistës „Ylli“. Nuk e kam harruar as sot bukurinë e asaj fytyre. Me gjunjët në tokë, pranë këmbëve të Hamletit (N. F.), ën:kokën mbështetur në trupin e tij dhe fytyrën kthyer nga lexuesi i revistës, ata sy të kaltër  të mrekullueshëm, flokët e verdhë të lëshuar, thurur me kordele, krijonin një imazh përrallor.

Aty vërtetova se vajza që mban emrin e një luleje, është e bukur si ajo lule. Nëpërmjet kujtimit tim të parë për Margarita Xhepën unë flas vetëm për bukurinë e saj. Më vonë kur njoha tragjedinë “Hamlet”, e ripashë atë bukuri si aktore, në rolin e një vajze të re, të Ofelisë, që  përjetoi një dashuri të madhe, dashuri që i tronditi shpirtin dhe e çoi në çmenduri.

Më ka pëlqyer shumë roli i Kleas tek “Dhelpra dhe rrushtë”. Më kujtohet se sapo ishte ndërtuar teatri “A. Moisiu” në Durrës. Nuk e di nëse kjo pjesë ishte pjesa e parë skenike. Di që kisha një biletë për këtë shfaqje. Vendi ishte në një nga radhët e para afër skenës. E pashë Klean, (M. XH.) nga shumë afër, me fytyrën e bukur dhe flokët  lidhur në një kurorë elegante.

Pashë sytë e saj të veçantë, të skuqur e të mbytur në lot. I pohoi Ezopit që tasin e florinjtë ia kish futur ajo në trastë. Ai duhej të rikthehej si skllav i Ksantit dhe do të shpëtonte nga vdekja. Pashë si u ngurtësua ajo fytyrë e bukur, kur Ezopi (K. R.)preferoi vdekjen në liri se sa dashurinë e saj dhe jetën në skllavëri. Në këtë rol Margarita Xhepa nuk ish vetëm një grua e bukur, por një aktore me përvojë.

E dëgjoj edhe sot zërin e Ezopit (K. R.), që kërkonte lirinë dhe le të vdiste pastaj, por si njeri i lirë: „I lirë, i lirë, i lirë!“ E kam në sy pamjen e Kleas (M. Xh.) me sytë e bukur që rridhnin, rridhnin lot. Ndjehem e privilegjuar, që edhe pse e vogël, këtë pjesë e kam parë drejtpërdrejt nga skena. Mund të flas sot për vlerat e M. Xh. si aktore, por këto vlera unë i njoha kohë më vonë, prandaj dhe nuk do t’u shkonin përshtypjeve të mia të para.

Sytë e Margarita Xhepës janë të mrekullueshëm. Unë i krahasoj vetëm me sytë e ja shtëzakonshëm të Elizabet Taylor. Këto dy aktore, për mua, kanë sytë më të veçantë në botë.

Kohët e fundit lexova për një rol të ri që ka luajtur M. Xh. rolin e dados së Elektrës në tragjedinë e Sofokliut „Elektra“. Një rol krejtësisht i veçantë, i shprehur vetëm me mimikë dhe pasthirrma, pasi dados ia kanë prerë gjuhën. Nuk e di se si mund të luhet ky rol, por mendoj se një aktore e madhe si

Margarita Xhepa mund ta realizojë atë. Duke u nisur nga ky rol, i uroj aktores së madhe M. Xh. suksese, suksese , gjersa fryma e artit do të  gjallojë në trupin e saj, sepse arti skenik dhe M. Xh. janë një.

 

VIKTORIA XHAKO

(ZHORZH SAND)

Tiranë, prill 2011

 

SHARE

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here