Kombëtarja shqiptare i ka vënë gishtin kokës sonte në “Elbasan Arena” , me djemtë e drejtuar nga Edi Reja, të cilët fituan me shifra të thella ndaj Islandës, 4-2.
Një takim i nisur mrekullisht nga lojtarët tanë, që ndryshe nga takimi i Francës, ku u mposhtën me shifrat e thella 4-1, ishin më të prirur për të parë në sulm. Rastet nuk munguan, por konkretizimet lanë për tu harruar. Gjithsesi, nëse rrugën e rrjetës nuk e gjetën sulmuesit, e gjen një mbrojtës. Kastriot Dermaku gjendet i vetëm në zonë dhe me kokë kalon në avantazh kuqezinjtë.
Me këtë rezultat u mbyll pjesa e parë, ndërsa fraksioni i dytë nisi praktikisht me gol për Islandën. Ylli i skuadrës, Sigurdsson mori një top mjaft të bukur brenda zonës dhe fluturimthi shënoi për 1-1. Megjithatë, kapitenit Hysaj nuk i pëlqeu aspak ky rezultat, me shkodranin që shënoi edhe golin e parë në karrierë me kombëtaren.
Një gafë në mbrojtjen tonë bën që Islanda të barazojë sërish në minutën e 58. Spektakli kuqezi vijon me Odise Roshin i cili shënon golin e tretë në të 79-ën, pas një inkursioni personal në krahun e djathtë të sulmit. Mesfushori gjuan fort dhe falë edhe devijimit të topit, mposht portierin mik.
Kjo ndeshje ka vend edhe për Cikalleshi-show i cili pas merr një top nga Memushaj, gjuan fort në zonën e rreptësisë duke shënuar golin e katërt dhe të fitores. Elbasan Arena shpërthen në festë. Shqipëria mposht rivalin direkt dhe shpreson të kualifikohet në Euro 2020.