
Qytetarët e Shkodrës nuk patën mundësi që të përcjellin Gëzim Krujën për në banesën e fundit sikur e meriton. Lamtumira dhe duartrokitja e fundit ishte e pamundur për shkak të koronavirusit dhe situatës që është krijuar, ku ndalohen grumbullimet. Në ceremoninë e varrimit të mjeshtrit të madh ishin vetëm familjarët.
Institucioni i teatrit “Migjeni” në Shkodër, ku Gëzim Kruja ngjiti në skenë qindra role shkruan se mjeshtri do të jetë i përhershëm në skenën e shtëpisë së tij të dytë. “Lamtumirë Mjeshtër! Përulje dhe respekt për kontributin tuaj! Mjeshtri Gëzim Kruja do të jetë i përhershëm në skenën e shtëpisë së tij të dytë. Ngushëllime familjes Kruja nga kolegët dhe gjithë kolektivi i teatrit “Migjeni” shkruhet në postimin e faqes zyrtare.

Drande Xhaj, një nga ikonat e humorit shkodran tregon në një lidhje telefonike për Report Tv pengun e kolosit Gëzim Kruja, që sot paradite u shua. “Me keqardhje para një ore pushoi së rrahuri zemra e mjeshtrit të humorit Gëzim Kruja. Ky është një lajmi trishtë, kontributi dhe karriera e tij ka qenë e shpërndarë në të gjitha viset dhe vendet ku ka shqiptarë. E mora këtë lajm të trishtë me shumë keqardhje. Ai ka qenë një njeri i mrekullueshëm dhe një mësues për mua.
Ai prej disa vitesh vuante nga një sëmundje e rëndë. Hera e fundit që u takuam ishte 80-vjetori, në atë gjendje, por më mirë, se e kemi si kujtim atë ditë. Ai fatkeqësisht nuk e kaloi këtë sëmundje. Gëzim Kruja do të mbetet në historinë e humorit shqiptar dhe do të jetë një nga artistët më të dashur të humorit në Shqipëri.
Cilat ishin pengjet e Gëzim Krujës? “Është e vërtetë që në portretin e tij dukej se kishte pengje, një ishte festimi i 80-vjetorit me një premier të re, me materiale të reja. Dhe iku me këtë peng, por ai ka materiale të jashtëzakonshme që do të mbështesin në historinë e humorit shqiptar” tha ajo.

Për aktorin dhe regjisorin Bruno Shllaku, Gëzim Kruja ishte një perëndi. “Është një datë e keqe për humorin mbarë shqiptar. Ikën nga froni një perëndi, që për dekada me radhë dha atë që vështirë mund ta kishin dhënë të tjerët. Ai ngelet një shkollë e madhe, një virtyt, një dashuri për publikun dhe artin.
Ai fron do të mbetet për shumë vite i pazëvendësueshëm për shumë vite. Ai ishte një personazh i dashur që nga fëmijët në kopshte deri te pensionistët që ishin në orët e fundit dhe që qeshnin me humorin e Gëzim Krujës. Unë kam pasur privilegj të punoj me Gëzimin në disa komedi.
Gjithmonë merrja çmime kur Gëzim Kruja ishte në role”. Shllaku kujton edhe vitin 2018 kur me regji të tij Kruja u ngjit në skenë për herë të fundit. “Nuk më kishte shkuar në mendje kurrë, por jeta kjo është. Ai e mbylli, e finalizoi jetën. Ai e mbylli përballë shkodranëve si radhë herë me duartrokitje sikur donte të thoshte se….’ tha ai.

Lajm trishtues e cilëson Presidenti Ilir Meta ndarjen nga jeta të aktorit të madh Gëzim Kruja. “Ndarja nga jeta e Mjeshtrit të Madh të skenës dhe humorit, Gëzim Kruja është një lajm trishtues.
Me talentin e spikatur, Gëzim Kruja do të mbahet mend si një prej figurave më të dashura të artit shqiptar, që falë personazheve karakteristike të interpretuara mjeshtërisht u duartrokit nga shumë breza, duke lënë pas një trashëgimi të vyer artistike.
I shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Kruja, të afërmve, të gjithë artdashësve dhe qytetarëve të mrekullueshëm të Shkodrës, për këtë humbje të pazëvendësueshme’ shkruan Ilir Meta.