Shfaqet në Romë “Koncert në vitin ‘36”, prodhimi i vitit 1978

0

 

 

“Koncert në vitin ’36” prodhim i vitit 1978 u shfaq në Casa del Cinema në Romë në kuadër të festivalit “Albania, Si Gira”. Skenari i filmit shkruar nga Kiço Blushi, regjia nga Saimir Kumbaro dhe muzika mban emrin e kompozitorit Limos Dizdari.

“Koncert në vitin ‘36” tregon për vizitën e dy artisteve shqiptare (këngëtare dhe pianiste) në qytetin e Lushnjës gjatë kohës së monarkisë shqiptare gjë që “tronditi jetën e një qytetit tejet konservator”. Filmi në festival u shfaq me titra në italisht. Rolet në film luhen nga aktorët Manushaqe Qinami; Margarita Xhepa; Robert Ndrenika; Bep Shiroka; Roland Trebicka; Gjon Karma; Albert Verria; Mirush Kabashi; Gëzim Kame; Birçe Hasko; Nikolla Llambro; Enver Dauti; Ilia Shyti dhe të tjerë artistë.

Në “Koncert në vitin ‘36” një këngëtare e re, Donika, dhe pianistja Eleni nisin një turne koncertesh në qytete të vegjël provincialë duke kaluar me pianon e tyre edhe nëpër fshatra. Dy artistet e reja takojnë shumë mikpritës midis të cilëve popullin e thjeshtë dhe autoritetet lokale që kërkojnë të duken aksidentalë, por që në thelb janë të konfrontuar me njëri tjetrin.

Festivali “Albania, Si Gira”- Italia dhe italianët në kinematografinë shqiptare gjatë dhe pas komunizmit është një projekt i shoqatës artistike Cultural Pro, i ideuar nga z. Fabio Bego dhe organizohet nën drejtimin artistik të znj. Nensi Bego, me bashkëpunimin e Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit dhe mbështetjen e Ministrisë së Kulturës e të Ambasadës shqiptare në Romë.

Aktiviteti ka mbështetje akademike nga AISSECO – Shoqata Italiane e Studimeve të Historisë së Europës Qendrore dhe Lindore, si dhe kujdesin e Shoqatës Integra Onlus. Festivali është përshëndetur edhe nga ministrja e Kulturës Elva Margariti. Ministrja shkruan se përmes këtij festivali filmi shqiptar kapërcen kufijtë.

Shfaqjet e filmave deri më datë 7 të këtij muaji do të jenë me hyrje të lirë, dhe për çdo film do të ketë diskutime me përfaqësues të kinematografisë shqiptare dhe italiane, si: regjisorë, muzikantë, skenaristë, por edhe historianë dhe studiues që do të udhëheqin publikun në një eksplorim të dyfishtë. Festivali u hap me filmin “Gjeneral gramafoni” dhe në vijim janë të tjerë tituj të kinematografisë shqiptare.

 

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

 

 

 

SHARE

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here