Pasioni për të qepur fle që herët në shpirtin e aktores së Teatrit të Kukullave, Shegushe Bebeti. Dëshira për të pasur një fustan të bukur mori rrugë nga një copë jorgani, duke endur një fustan të qepur me dorë, pasi në atë kohë nuk e kishte një makinë qepëse.
Prindërit panë tek Gushi, siç e thërrasin të afërmit, se asaj i pëlqente të vishej ndryshe nga shoqet, ndaj i blenë më vonë një makinë qepëse.
Si një amatore, ajo nisi të qepte fillimisht gjëra të thjeshta, ndërsa një fqinj rrobaqepës e ndihmoi të mësonte dalëngadalë të bënte mëngët dhe jakat, duke kultivuar tek aktorja pasionin e madh për qepjen.
Shegushja pëlqen që gjithçka që vesh ta qepë vetë. Prej disa vitesh, paralel me punën e saj si aktore në Teatrin e Kukullave, Bebeti është autore e disa shfaqjeve për fëmijë.
Pasionin për qepjen Shegushja e derdh në krijimin e kostumeve të heronjve të saj të vegjël, me të cilët jeton çdo ditë. E të bashkjetosh me 30 kukulla nuk është aspak e lehtë.
“Meqenëse merrem me Teatrin e Kukullave, në vitet e demokracisë, kur filluam të kishim mangësi të njerëzve që bënin kukulla, atëherë thash, “pse mos t’i qep kostumet vetë?”. Pasioni dhe dëshira që kam unë për të bërë gjëra të bukura në veshje, thash që do të ishte një gjë shumë e bukur edhe tek projektet e mia”, thotë Shegushja.
Si një mjeshtre e kukullës dhe njohëse e mirë e teknikës dhe lëvizjeve të saj, Shegushja kërkon nga kostumi që të jetë jo vetëm i bukur, por edhe komod, në mënyrë që të mos e pengojë aktorin në lëvizjet e tij.
“Shumica e gjërave bëhet me dorë, pasi janë gjëra shumë të vogla, të imta. Shpesh herë makina nuk i kap. Këpucët janë punuar të gjitha me dorë, dantellat, trëndafili. Unë e pëlqej shumë edhe qëndisjen.
Kurorat i kam qëndisur me dorë. Përpiqem që ta kuroj kostumin në detaje, me detaje të cilat i japin luksin që ai meriton në varësi të karkaterit të personazhit e sigurisht të jenë edhe shumë praktike në lëvizjen e kukullës”, shprehet artistja.
“Katedralja e Parisit”, “Princi bretkosë” e të tjerë janë vetëm disa nga shafqjet për të cilat ajo ka dizenjuar e qepur kostumet e kukullave, pas imazhit të të cilave fshihet një punë e palodhur dhe orë të tëra mbi makinën qepëse.
Kokat dhe trupat e tyre shpesh herë, Gushi i porosit në Itali. Ndërsa për projektin e saj të fundit kukullat i ka modeluar e stiluar pedagoge Merita Spahia, një skenografe e talentuar, ndërsa për veshjen e tyre, Shegushja është kudjesur vetë në çdo detaj.
“Të gjitha karakteret i ndërtoi Merita. Unë vizatoj kokat dhe më pëlqyen karakteret e ndërtuara. Kemi punuar të dyja paralelisht, hap pas hapi për vendosjen e syrit, qerpikut dhe pastaj bëra një skicë të kostumeve siç e kisha menduar unë. Unë mora trupat përpara, pa u montuar koka, që të kisha përmasat për të realizuar kostumet dhe pasi i qepa ato u montova kokat”, tregon Shegushja.
Për të sjellë për vogëlushët kukulla sa më të bukura, të përshtatura me personazhet dhe karakteret që përfaqësojnë, jo rrallëherë ajo është ndeshur me vështitrësi.
“Pjesa më e vështirë është gravura e mëngës që unë kam qejf ta bëj me tegel, sepse tegeli i jep gjithmonë bukuri më të madhe. Por ka shpesh herë raste kur mund të realizoj vetëm një pjesë me makinë dhe pjesën tjetër me dorë, sepse është një rreth shumë i vogël që nuk e rrotullon dot në makinë për ta sjellë dhe sigurisht këpucët janë gjithmonë të vështira kur do të realizosh këpucë të bukura siç janë ato të princeshës, që kanë detaje”, shprehet Shegushja.
Përshtatja e parukeve për çdo personazh është një histori më vete. “Paruket janë të vështira për t’u vendosur, sepse duhet t’i ngjisësh e pastaj t’i modelosh në mënyrën që të pëlqen që atyre u shkon, siç është mbreti.
Për shembull, parukja e mbretit është punuar me dorë, janë këto rrumbullaqet e flokëve, siç i kanë pasur dikur në shekullin XVIII, siç kanë qenë paruket e markezëve, të lordëve, me pjesët e rrumbullakëta. J
am përpjekur që pak t’ia përshtas me rrumbullakësinë për t’i dhënë pak formën aristokrate dhe për ta sjellë në kohën që është zhvilluar përralla. Në përgjithësi, tek linja mbretërore, siç është princi, princesha, mbreti unë kam ruajtur pjesën klasike të kostumit”, thotë Shegushja.
Një princ kthehet në një bretk të shëmtuar pas mallkimit të shtrigës. Magjia prishet vetëm kur princesha mban premtimin dhe pranon ta marrë në pallatin e saj mbretëror e të jetojë me të, pasi bretku i shpëton topin me të cilin luante.
Përrallën “Princi bretk”, bazuar mbi motivet e vëllezërve Grimm, së bashku me kostumet e saj të punuara me shumë dashuri, Shegushe Bebeti do ta sjellë shumë shpejt për vogëlushët, bashkë me mesazhin edukues se ndonëse të vegjël, kur premtojnë fëmijët duhet ta mbajnë fjaleë e dhënë.
Shegushe Bebeti eshte dekoruar nga ish Presidenti i Republikes Bujar Nishani me Titullin “Mjeshtër i madh” me motivacionin: “Për kontributin e jashtëzakonshëm, pasionin dhe përkushtimin e pazëvendësueshëm në zhvillimin e Teatrit të Kukullave, duke qenë aktive jo vetëm në skenë, por edhe duke iu ardhur në ndihmë fëmijëve shqiptarë në nevojë e me sëmundje të rënda në vendin tonë dhe në Itali”.