Serafin Fanko, është jo vetëm një nga ikonat e Teatrit “Migjeni” të qytetit të Shkodrës, por edhe një ikonë e artit skenik shqiptar. Ai gjatë jetës së tij spikati në aktrim, regji si dhe në të gjitha komponentët që ndërtojnë një dramë.
Serafin Fanko, ishte një shkronjës pikant i dramës kombëtare, ndërsa në të gjithë karrierën e tij artistike u dallua për një elegancë dhe fuqi interpretative. Serafin Fanko, (Artist i Popullit), ndërroi jetë më 29 shtator në Tiranë, në moshën 70-vjeçare.
I spikatur edhe si shkronjës i dramës shqipe, Fanko numëron rreth 125 role në teatër dhe kinematografinë shqiptare. Ai është dalluar në karrierën e tij artistike si një aktor karakteri dhe tepër potent në aktrimin e tij.
Stefan Çapaliku, një nga dramaturgët me të cilin Serafin Fanko ka bashkëpunuar disa herë, thotë për ATSH-në se, “suksesin e parë të tijin në fushën e dramës e lidh me emrin e Serafin Fankos”.
Ai kujtoi vitin 1995 kur bashkë më Profesor Fankon vuri në skenë dramën e tij të parë “Ftesë për darkë”, një dramë e nderuar në Festivalin e Teatrove në Vlorë për regjinë dhe tekstin më të mirë.
Çapaliku e cilësoi Fankon si një ndër regjisorët më inovatorë të dramës shqipe, i cili dhe pse punoi në kushtet e një province (Shkodër) arriti t’i sjellë regjisë së dramës shqipe dimensione që do të vazhdojnë t’i qëndrojnë mirë regjisë për shumë kohë.
Dramaturgu i njohur, duke e cilësuar Fankon një njohës shumë të mirë të teatrit përmendi si pjesë model vënë në skenë nga ai, dramat, “Hetimi” në fund të viteve ’80-të, një dramë që e cilësoi si “pjesa e parë në Shqipëri Ala Breht”, “Gjenerali i Ushtrisë së vdekur”, një dramatizim i tij, “Makbethin”, një pjesë e mrekullueshme e realizuar me art nga aktorët e mirënjohur Tinka Kurti dhe Ndrek Luca.
“Ai ishtë një njeri me dimensione humane dhe sociale”, përfundoi Çapaliku. Ndërsa, Adonis Filipi, regjisor, u shpreh se, “Fanko ishte një regjisor me vokacion dhe regjisor tipik i frymës poetike”. Serafin Fanko ishte një ndër figurat me aktive të Teatrit “Migjeni”. Sepse siç cilësuan kolegë të tij, ai ishte jo vetëm regjisor, por edhe një skenograf i mrekullueshëm dhe po ashtu edhe një njohës shumë i mirë i muzikës.
I dalluar për një modesti të skjashme, Serafin Fanko është shprehur disa herë se suksesi i tij qëndronte në bashkëpunimin e qëndrueshëm të tij me njerëz të skenës dhe të artit. “Kam punuar me mjeshtra të mëdhenj të dramaturgjisë dhe në Teatrin “Migjeni” jam mbështetur në aktorë të njohur si Tinka Kurti dhe Ndrek Prela, Prel Lëkunda dhe Adem Kastrati, Bep Shiroka, etj.
Unë jam munduar të punoj edhe me të rinjtë, ndërkohë që të vjetrit i kisha në krah”, ishte shprehur një herë artisti i njohur. Por, Fanko ka thënë gjithashtu se, “në se kam një pëllëmbë vlerë, këtë e kam në sajë të bashkëpunimit me artistë, dramaturgë, regjisorë dhe piktorë, duke përmendur, Fadil Krajën dhe Agim Zajmin.
Janë të njohur nga të gjithë dramat e vëna në skenë, nga ai si regjisor si “Gjaku i Arbërit”, “Baca i Gjetajve”, “Ç’murrosja”, “Quo Vadis”, “Këshilli i Ndrikullave”, “Rozafa”, “Pse”, “Çifti i Lumtur”, dhe të tjera.
Aktor dhe regjisor, skenograf dhe kostumograf, Artisti i Popullit, Serafin Fanko, ishte i integruar prej vitesh në një hapësirë të gjërë mbarëkombëtare me veprën e tij shumëdimensionale. I lindur në Shkodër në vitin 1937, regjisori i mbi 140 veprave duket se ai nuk e ka patur të lehtë rrugën e karrierës.
Fillimet artistike i nisi me mësimet e pianos, më pas ndoqi një kurs pikture, u mor me balet, dhe pastaj me fushen e artit skenik që e bëri të njohur edhe jashtë kufijve. Vepra e parë e vënë në skenë nga regjisori Fanku është opereta “Me ne është gëzimi”, në vitin ’84.
Eshte fituesi i shumë çmimeve në aktivitetet kombëtare dhe ndërkombetare, ndër të cilët spikat çmimi për dramën “Quo vadis”. Në veprimtarinë e tij artistike ka bashkëpunuar me Teatrin e Shkodrës, Durrësit, Tiranës, Laçit, Lezhës si dhe me Teatrin e Shkupit, Podgoricës, Malit të Zi dhe të Turqisë.
Një nga personazhet që ai interpretoi me gjithë zellin e tij ishte personazhi i Zekthit. Është aq reale figura e Zekthit e sjellë nga Fanko, sa të duket sikur flet me vetë personazhin dhe jo me aktorin që e interpreton. Filmi i tij i parë është ,”Fije që priten” me regjisor Muharem Fejzon, në rolin e Klarkut.
Të tjerë filma ku ai ka interpretuar janë; “Shembja e idhujve”, “Yje mbi Drin”, “Emblema e dikurshme”, “Qortimet e vjeshtës”, “Pranvera s’erdhi vetem”. Në të gjitha personazhet e Fankos të bie në sy ngrohtësia, që ai i jepte personazheve e lidhur kjo me talentin dhe intuitën e tij prej artisti të mirëfilltë. Çdo figurë e krijuar nga ai ka individualitetin e saj, dhe njëherazi vërtetësinë e personazhit.