RRËFIMI I “MAMICËS”, MOTRËS SË SKËNDERBEUT…

0

Nga Zyba Hysa

Para se të luaja rolin e Mamicës, kam qenë balerinë. Erdhën të Kinostudios dhe më përzgjodhën për rolin dhe kështu mua s’më thërrisnin më Adivije, por përherë “Mamica”. Ndjehesha e nderuar dhe e respektuar shumë, sepse emri im i kaloi kufijtë e Shqipërisë, posteri im publikohej nëpër gazetat europiane…

Pse ta fsheh, isha jashtëzakonisht e “sulmuar” nga djemtë, por njëri s’më shkitej e s’më shqitej për kiamet të Zotit dhe dhashë – dhashë, pranova, u fejova dhe u martova.

Bashkëshorti im ishte njeri me shkollë të lartë, me kulturë të madhe dhe rridhte nga një familje e fisme.

Pasi u martuam, ose ndonjë që xhelozoi, filloi të kërkonte rrënjët e biografisë së tim shoqi dhe pas disa vitesh, na internuar në fshatin Labovë e Zhapës, në rrethin e Gjirokastrës, ku as ujë s’kishte e jo më kondita tjera jetese.

Por do të them edhe një gjë, edhe tek komunistët kishte njerës të mirë e të ndershëm. Kur doja të shikoja njerëzit e mi, merrja leje tek Organizata e Partisë dhe unë i kërkoja të më jepte dyfish ditë për të ardhur në Tiranë dhe ai ma jepte fletë – lejën dhe më thoshte: “Adivije, po t’i jap 10 ditë, por fletë – lejen mos ia jep njeriu, se po të diktohet që u bëj lëshime, më piu e zeza…”

Kështu më ndodhi një herë, pasi më dhanë lejen, mora djalin e madh dhe nga fshati, zbritëm në Gjirokastër me karrocë kuajsh e që andej, erdha në Tiranë, tek mamaja ime.

Ditët ikën dhe duhet të kthehesha. Harrova të them, sa herë ikja nga fshati, i varfëri bashkëshort, ç’lloj torture ka hequr nga spiunët që i thoshin: “Rrihe gruan, se do të ikë e s’të vjen më…” por ai e kalonte me humor. Kur nuk e mposhtën bashkëshortin, filluan të më vijnë vërdallë mua…

Pasi u erdhi fundi ditëve të lejes, përsëri nga Gjirokastra për në fshat do të shkonim me karrocë.

U ula në stol, pranë tij e në krah kisha djalin. E kisha vënë re, qysh kur zbrita para disa ditësh nga fshati, që i drejtonte kuajtë nga gropat që karroca të hidhej pupthi dhe ky si pa dashur të më prekte, por kujt ia mbante të bënte “gëk”, se ai ishte dhe i organizuar në parti. Kur u nisëm, sapo më pa, i shkëlqyen sytë si bishë dhe më thirri që përtej, më dha dorën dhe u ngjita në karrocë, më pas unë i dhashë dorën djalit dhe u ulëm sërisht siç ishim kur zbritëm në qytet.

Filloi lojën karrocieri e sa herë hidhej karroca pupthi, aq herë më afrohej, gjer kur përveç se u afrua shumë, si për të më mbajtur mua, më shtërngoi pas vetes.

As vetë se kuptova se si ndodhi, por krisma e shuplakës së djalit ndaj karrocierit, më bëri të përmendem dhe vec kur pashë djalin në tokë që ia dha vrapit drejt fshatit, ndërsa ai ndaloi kuajtë, zbriti nga karroca dhe vrapoi pas djalit.

Atëherë zbrita edhe unë nga karroca dhe vrapova pas tyre, por pas pak më humbën nga sytë.

Kur arrita në fshat, djali kishte kohë që kishte mbërritur dhe si i vogël që ishte, u kishte rrëfyer të gjithëve dhe më dolën përpara, gati njëzet e ca burra dhe gra, ku në ballë të gjithëve, ishte gruaja e karrocierit.

– Na falni, shoqe, bashkëshorti im, sot u ka shqetësuar dhe kjo është e rëndë jovetëm për atë, por edhe për mua, edhe për lagjen, për gjithë fshatin… Ju lutem na falni që t’mos shkojnë gjërat në polici, as në këshillë, as në organizatën e partisë, se ai është dhe komunist…

– Nuk po kuptoj për çfarë po flisni, mora guxim unë, bashkëshortin tuaj unë e kam si vëlla… Ja, ai po vjen, këtë le ta thotë vetë ai, kjo që thoni ju, është keqkuptim, – thashë me zë të lartë, se ai ishte afruar tashmë i bërë flakë në fytyrë nga vrapi dhe u hodha në qafë karrocierit, duke i thënë përsëri: Ishte keqkuptim nga djali, por ju u sollët si vëlla me mua…

– Të gjithë u befasuan, më shumë ai dhe e shoqja e tij…

Unë, vajza qytetare tiranase, balerinë e skenave, aktore e një filmi të madh, duhej të aktroja bukur, që të mos shkonte puna në organet e shtetit, se sigurisht, fajtore do të dilja unë dhe kushedi sesi do na shkonte filli i jetës.

Qysh atëherë kam kuptuar, se edhe në jetë duhet të aktrojmë nganjëherë, për të shmangur katastrofa …

SHARE

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here