Studiuesi dhe kritiku Josif Papagjoni që ka studiuar në degën e dramës, në të njëjtin kurs me aktorin Bujar Lako, që u nda nga jeta pak ditë më parë, në një intervistë për “Panoramën” sjell një rrëfim të padëgjuar më parë, për historinë e dashurisë së aktorit, një histori që sipas tij, ka thyer tabutë në vitet ’70-të.
Papagjoni tregon se Lakon kanë tentuar ta ndanin nga bashkëshortja Ermira, atëherë një studente pianoje, pasi familja e saj, me pozitë në shoqëri nuk pranonte lidhjen e saj me Bujar Lakon. Për këtë, ai shton se u mblodh gjithë Instituti i Arteve për të gjykuar dashurinë e tyre, por të dy e mbrojtën me thonj dhe haptazi lidhjen që kishin.
“Dashuria e tyre ka qenë nga më emancipueset për kohën. Gruaja e tij atëherë studente ishte pianiste dhe ranë në dashuri që në Institutin e Arteve. Familja e saj vinte nga vinte nga hierarkia e lartë e pushtetit, ndërsa Bujar Lako ishte nga një familje e thjeshtë, mirëpo dashuria ishte shumë e fortë.
Ajo ka bërë një mbrojtje të jashtëzakonshme të dashurisë, bashkë me Bujarin, por më tepër shihej si meritë e saj, sepse familja e saj nuk pranonte. Dhe, ndër të tjera, të vepronte vajza aq hapur, në vitet ’70 nuk ishte pak.
U bë një diskutim atëherë, nga ato diskutimet mizerje që bëheshin për të linçuar njerëzit. U mblodh gjithë Instituti i Arteve për të gjykuar e vendosur mbi dashurinë e tyre”,-thotë Papagjoni.
Duke shtuar se kanë dashur t’i ndanin për shkaqe biografike, Papagjoni kujton se Bujarin donin ta nxirrnin me çdo kusht si vagabond.
“Kuptohet që ndërhyrja ishte e njëanshme, vetëm nga familja e së shoqes, ishte vajza e një njeriu me pozitë. Instituti vetë kishte prirjen ta kthente në shembull e t’i ndante, ndoshta i ndikuar pikërisht nga pozita e babait të vajzës.
Duke i ndarë, donin të tregonin që ky ishte vagabond, por përpjekja dështoi.
Të dy e mbrojtën dashurinë me thonj, haptazi. Ishte një akt emancipues në shoqëri, sepse për herë të parë dashuria mbrohej hapur…Dashuria e tyre theu klishetë e të gjithë opinionit”,- shton ai më tej.