Rrëfimi i aktores Anita Likmeta: Bujar Lako, babai që nuk kam patur

0

 

 

Miq, dashamirës, fansa të panumërt janë prekur dhe kanë vajtuar për humbjen e një artisti të madh si Bujar Lako. Njeriu i pakompromis, është kujtuar nga miqtë dhe të njohurit përmes fotosh dhe ndodhish, ndërsa Anita Likmeta tregon përmes një interviste takimin e parë me Bujar Lakon. 

“Alo, përshëndetje Anita.”

“Mirëdita zoti Lako. Çfarë kënaqësie telefonata juaj”.

“Më quaj Bujo të lutem.  Lexova skenarin tënd dhe më pëlqeu shumë. Nuk mund të mos e doja personazhin e Ibrahimit, rolin që ke menduar për mua. Atëherë do të shihemi në orën 8 do të vij të të marr në aeroport. Do të jem me një makinë të vogël, të vjen keq që po të marr me një makinë të tillë?”

“Jo, ç’është ajo fjalë. Faleminderit për disponibilitetin”.

Pas 15 vitesh u ktheva më në fund në vendin tim. Zemra po më dilte nga kraharori kur zbrita në aeroportin shqiptar.

“Anita jam këtu, ktheje kokën”, dëgjova një zë të bukur të më thërriste. Ishte Bujar Lako.

Ai më përqafon si një prind dhe unë e turpëruar akoma nuk më besohej që u ktheva sërish në vendin tim, ku isha arratisur 15 vite më parë.

“Bujo, faleminderit që erdhe më more në aeroport”.

“Nuk do të të lija këtu”

Rrugës për në Tiranë, shihja përtej dritares që gjithçka kishte ndryshuar. Me sytë e mbushur me lot ecim drejt Tiranës dhe Bujo më ve duart në kokë, ashtu siç babai bën me vajzën, babai që nuk e pata kurrë.

“Hë se sonte do të të çoj të hash gatim shqiptar. Atë italian haje kur të shkosh në Romë”.

Pasi arrijmë në Tiranë, ulemi në një bar për të pirë diçka. Tavolinës sonë i afrohet edhe Dritan Huqi, një producent të cilin Bujo tha se e vlerësonte shumë.

“Dritan duhet të shohësh skenarin e Anitës. Do të jetë një film i mrekullueshëm. Roli im do të jetë ai i gjyshit të protagonistes. Anita të lutem lexo një pjesë të skenarit”.

Hap skenarin dhe lexoj skenën finale të filmit. Pasi kam lexuar rreth 5 minuta, ngre kokën dhe shoh Bujarin i cili po qante.

Qëndrimi prej dy ditësh në Tiranë nën shoqërinë e Bujar Lakos ishte i mrekullueshëm. Ai më shoqëroi në vendin tim të lindjes, në Maminas. Më tej shkuam në Durrës. Folëm gjatë për politikën e artin në Shqipëri.

Deri kur erdhi momenti për t’u kthyer sërish në Itali. Rrugës për në aeroport, më vjen një sms në celular.

“Përshëndetje Anita, faleminderit që erdhe deri këtu. Kam vlerësuar çdo moment që kemi kaluar së bashku. Duke lexuar skenarin tënd më ka bërë të kuptoj se çfarë njeriu je. Je vajza që çdo baba do të donte të kishte. Je e zonja dhe e talentuar, je plot dritë. Mos ndrysho kurrë!”

Udhëtim të mbarë i dashur Bujo!

Faleminderit që ke qenë për mua gjithë këto vite, babai që nuk kam patur!

 

 

SHARE

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here