Artistë dhe talente të mëdha ka edhe sot.
Por të madh artistin e bën roli që luan,roli i njeriut të përparimit, i njeriut që lufton për ideale të mëdha humane, ose edhe roli negativ , kur skalit me mjeshtëri tipin përkatës.
Kalimthi le të përmendim vetëm dy nga plejada e shkëlqyer e artistëve tanë : Sandër Prosi dhe Ndrekë Luca, ose personazhe : Zheleznovi tek “Ballë për ballë” dhe Jovan Bregu i komedisë “Pallati 176” – role që mbeten edhe emër për aktorin.
Kjo është qoftë në drama, qoftë edhe në komeditë e asaj kohe të artit të vërtetë.
Arti i skenës dhe ekranit është i varur nga arti i të shkruarit, nga materiali letrar, nga drama apo skenari dhe këta të fundit janë të varur nga ideologjia që frymëzon shkrimtarin.
Në shoqërinë shqiptare të kohës , si gjithçka tjetër, është bërë llum edhe ideologjia.
Ish komunistët janë bërë kapitalistë me mendje hajduti dhe me stil diktatorial qeverimi, profesorët dhe shkencëtarët janë bërë më fetarë se priftërinjtë e hoxhallarët, të ndershit – po i përshtaten sistemit të mashtrimit , qytetarët e rinj janë bërë as qytetarë proletarë as fshatarë, as pronarë ( edhe pse kanë pronat nëpër fshatra); tregtarët e vegjël e të mesëm nuk janë as punëtorë tregtie, as pronarë ( në ideologji është fjala), intelektualët nuk janë më intelektualë, po zanatçinj të këqinj , që pas orarit zartar në institucion, bëjnë punën e tregtarit, menaxherit, furnitorit,matrapazit, ( në qytet) apo atë të vreshtarit,bujkut, çobanit, afaristit – në fshat)
Të gjithë të çoroditur, të gjithë të dalë krejtësisht nga psikologjia e grupimit përkatës.
Njerëzit janë turrur vetëm drejt fitimit dhe pasurimit me çdo kusht e mjet.
Edhe shumë shkrimtarë nuk i kanë shpëtuar kësaj katraure ideologjike që ka sjellë rivendosja e sistemit kapitalist dhe që e financon e inkurajon borgjezia e re e pëçudnuar e vendit tonë. Nga ana tjetër, shkrimtarët e sotëm ( shkrues ka pa mbarim , po shkrimtarë ka shumë pak) të gjinisë së dramës duan të rrojnë, të paguhen.
Në se shkruajnë vepra që bien ndesh me imoralitetin e kohës, nuk ua ble askush nga drejtuesit artistikë dhe pronarët e firmave prodhuese të artit – biznes të skenës dhe ekranit. Kështu që ata heshtin , ose për të mbijetuar, shkruajnë për tema të lehta, tema rozë dhe humor banal .
Estetika borgjeze artin e vlerëson jo si mjet argëtimi dhe edukimi, po thjesht si mjet argëtimi dhe e fsheh karakterin ideologjik klasor të tij.
Kritika borgjeze edhe në vlerësimin e ndeshjeve klasore nëpër veprat letrare, ndeshje që mishërohen nëpërmjet narracionit dhe veprimeve të personazheve e vlerëson si një ndeshje midis së mirës dhe së keqes dhe jo si luftë midis ideologjive dhe përfaqësiesve të dy klasave antagoniste, duke mohuar kështu edhe tendenciozitetin klasor të veprave, që janë shkruar apo shkruhen nga shkrimtarë përparimtarë, edhe pse jo me bindje komuniste.
Në këto lloj “veprash” që shkruhen e luhen sot, nuk ka heronj që pasqyrojnë klasë apo grup shoqëror tipik,përgjithësues,, po vetëm diskripte tipash të çoroditur, të pa skalitur.
Nga ana tjetër, në kohën e socializmit, që të dilte një vepër në skenën publike do të kontrollohej (e miratohej ose jo) nga komision i specializuar që nga cilësia ideoartistike e materiali letrar, tek loja e aktorëve dhe niveli i realizimit të roleve, muzika, skenografia, kostumet dhe grimi, etj. Kurse sot hamë portokallet e papjekura apo të kalbura të “Portokallisë” apo banalitetet e shtrembanikëve të e gojacëve të Al Pazarit, ku na bëjnë thirrje për duartrokitje vetë aktorët dhe regjizorët që zgërdhihen e shtrembërohen në skenë për të na bërë të qeshim si budallenjtë dhe të mos na mbetet asnjë gjë në kujtesë .
Megjithatë, duhet të prnojmë se paskemi artistë të mëdhenj, pas kurrë nuk ndodh në botën artistike, që një trupë aktorësh të prodhojë nga një premierë në javë, qoftë edhe me nivelin e amatorëve të ish vatrës së kulturës së një fshati malor.
Afarizmi bën çudira, vetëm art nuk bën dot.
Nga Tomorr Celibashi