Presidenti Meta çmon me Titullin “Mjeshtër i Madh” figura të shquara të artit e kulturës së Fierit:

0

10 Prill 2021 Presidenti Meta çmon me Titullin “Mjeshtër i Madh” figura të shquara të artit e kulturës së Fierit: Vatër kombëtare e artit skenik, letërsisë, që ka nxjerrë ndër vite personalitete të shquara artistike, të cilët janë krenaria e vendit dhe figurat më të dashura nga publiku

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta çmoi me Titullin “Mjeshtër i Madh” gjatë një ceremonie solemne që u zhvillua në Parkun Kombëtar Arkeologjik të Apolonisë, disa figura të shquara të shquara të artit skenik dhe të letërsisë së Myzeqesë.

  Kreu i Shtetit dekoroi aktorët myzeqarë të skenës dhe ekranit:

Zotin Arqile Lipe “Për kontributin shumëvjeçar në skenë dhe në ekran, duke shpalosur talentin e tij nëpërmjet realizimit të shumë personazheve të dashura për publikun, si dhe duke goditur mjeshtërisht të metat e shoqërisë shqiptare përmes interpretimit satiriko-humoristik me nivel të lartë.”;

Zotin Todi Llupi “Për kontributin shumëvjeçar në skenë dhe në ekran, duke shpalosur talentin e tij në realizimin e shumë personazheve të dashura për publikun, si dhe duke goditur mjeshtërisht të metat e shoqërisë shqiptare përmes interpretimit satiriko-humoristik me nivel të lartë.”;

  si dhe zotin Astrit Hasanaj “Për interpretimin cilësor në skenë dhe ekran, duke u bërë aktor i dashur për publikun shqiptar, si dhe për kontributin në ngritjen e nivelit artistik të teatrit dhe kinematografisë sonë”.

Po me Titullin “Mjeshtër i Madh” Kreu i Shtetit vlerësoi letrarin dhe eseistin zotin Petraq Kote “Për kontributin e çmuar në letërsinë bashkëkohore shqiptare, krijimtarinë e shquar në studimet estetike, publicistikë e prozë, si dhe për veprimtarinë e dalluar në zonën e Myzeqesë”.

Në fjalën e Tij përshëndetëse drejtuar artistëve, familjarëve dhe personaliteteve të pranishme, Presidenti i Republikës u shpreh:

“Është një kënaqësi e veçantë për mua që ndodhem sot në Fier, në këtë qytet plot tradita dhe me një pasuri të madhe kulturore. Vatër kombëtare e artit skenik, letërsisë, dhe qyteti që ka nxjerrë ndër vite personalitete të shquara artistike, të cilët janë krenaria e vendit dhe figurat më të dashura nga publiku.

 Jam i privilegjuar t’i akordoj sot Titullin e nderit “Mjeshtër i Madh” disa prej personaliteteve më të shquara të Fierit, si artistët e merituar Arqile Lipe dhe Todi Llupi.

Ky vlerësim më se i merituar për dy mjeshtrat e skenës vjen falë kontributit të tyre të gjatë në skenë dhe në ekran, talentit të jashtëzakonshëm, interpretimeve satiriko-humoristike të një niveli të lartë profesional në komedi, skeçe, parodi, dhe rolit të pazëvendësueshëm ndër vite që kanë dhënë në Estradën e Fierit.

Sot kam nderin t’i akordoj Titullin “Mjeshtër i Madh” edhe një personaliteti tjetër të skenës, Astrit Hasanaj, aktorit prej 40 vitesh pranë teatrit “Bylis”.

 Një artist me cilësi të lartë aktoriale, i përkushtuar profesionalisht në karrierën e tij të gjatë artistike në skenë dhe në film.

Duke ushqyer dashurinë për skenën dhe artin tek brezat e rinj dhe duke lartësuar artin fierak dhe atë kombëtar përmes roleve të shumta në teatër, po ashtu edhe në kinematografi.

Qyteti i Fierit shquhet edhe për personalitete në letërsi dhe publicistikë, ndaj sot i akordoj Titullin “Mjeshtër i Madh” shkrimtarit Petraq Kote për kontributin e çmuar në letërsinë bashkëkohore shqiptare, publicistikën dhe prozën e dalluar të tij.

Shkrimet e Petraq Kotes, janë të përkthyera edhe në gjuhë të huaja dhe pena e tij është vlerësuar nga studiuesit dhe kritika e gjerë. Vlerësimi i sotëm shkon edhe për aktivizimin e tij të dalluar në zonën e Myzeqesë.

 Më lejoni që në mbyllje, të shpreh mirënjohjen e thellë për të gjithë artistët dhe personalitetet e shquara të Fierit ndër vite!

Urojmë që tradita të vazhdojë dhe Fieri të jetë vërtet një vatër, që nxjerr artistë të nivelit kombëtar dhe ndërkombëtar, siç ka qenë gjithmonë. Faleminderit!”

SHARE

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here