Preng Lekunda nje jete per artin

0

 

 

20 vjet jetë artistike (1948-1968),mbi 50 role në skenë dhe film, na bëjnë me dije se kemi përpara një aktor të kompletuar me përmasa kombëtare, që ka lënë gjurmë të pashlyeshme në artëdashësit shqipëtarë dhe në rrethet artistike të vendit.

Pluhuri i harresës bie mbi këdo, por kur është fjala për Prengë Lëkundën, duhet pak vullnet dhe dashamirësi për ta pastruar pluhurin rreth 40-vjeçar, për t’ia rikthyer publikut ashtu siç ishte dhe për t’i dhënë vendin që i takon në altarin e kulturës kombëtare.

“Artisti i Merituar” Prengë Lëkunda ka hyrë në panteonin e kulturës shqipëtare si një personalitet, figurë komplekse e artit skenik, si një artist që tërë shpirtin krijues, forcën dhe ndjenjat e tij i vinte në shërbim e funksion të rolit, veprës dramatike a filmike që luante. Fuqia krijuese e interpretimit të tij pasqyrohej në stilin e lojës, plastikën, bukurinë e gjestit, hijeshinë e trupit dhe magjinë e zërit që zotëronte. Plastika rrokte dhe shprehte çdo gjë njerëzore, që nga delikatesa e ëmbël me pamjen e një shenjëtori të përvujtuR, deri te egërsia e ftohtë e njeriut të trishtuar e të dëshpëruar nga jeta e vrazhdë, e sertë gjithsesi.

Aktori Prengë Lëkunda hynte në botën e personazheve me forcë të brendshme transformuese, ku çdo gjest a lëvizje, çdo shikim a pauz e shkurtër përçonte tek spektatori një ide, një mendim, si dhe një synim të qartë artistik.

“-Kam ardhur në teatrin “Migjeni”një vit pas Prengës” -kujton “Artisti i Merituar” Bep Shiroka. -Prej tij kam mësuar shumë, se Prenga ishte njeri krijues, aktor i formuar, që nuk priste shumë nga regjzorët.Që në lexim të parë të pjesës që do të luante, të imponohej dhe e krijonte siluetën e rolit të ardhshëm.

Kishte shpirt artisti, krijuesi e poeti. Kjo besoj se lidhet dhe me krahinën nga vinte, Mirditën, që është një truall, ku është shkrirë organikisht poezia me tokën dhe njerëzit e zgjuar që bartin mbi vete historinë, kulturën dhe doket e veta të veçanta nga krahinat e tjera të vendit. Nuk e preferonte lojën aktoreske që i sillte kënaqësi vetëm aktorit, ai bënte gjithçka që kënaqësinë ta ndjente e përjetonte spektatori, i cili e ndoqi dhe e duartrokiti me dashamirësi gjatë gjithë karrierës së tij artistike”.

“-Tek artisti Prengë Lëkunda vërtetësia jetësore ngjeshej fort me vërtetësinë artistike, -kujton regjizori “Artisti i popullit” Lec Shllaku. -Çdo rol që i jepja Prengës e “qante” atë”. Kjo pasqyrohet qartë tek loja plot shkathtësi, intuitë e vërtetësi në rolet: Vata – “Toka Jonë”; Gjeta -në dramën “Cuca e maleve”; Moreli –në shfaqjen “Njerëz të brezit tonë”;  Bajram Curri –në dramën “Plaku i Maleve”; Radisti Ndrekë- në filmin “Detyrë e Posaçme”; Gjetoja – tek drama “Nora”; Gjelosh Nika –tek drama “Fisheku në Pajë”etj.

“Forca interpretuese e aktorit Prengë Lëkunda shprehej veçanërisht në zërin e tij magjik. Ai e vlerësonte artin e të folurit skenik si një nga elementët thelbësore te mjeshtërisë së aktorit. Duke punuar me fjalën, Prenga bënte që në çdo fjalë të shqiptuar të ndjeheshin jo përfytyrime të shkurtëra, por jeta e vërtetë, e plotë dhe e gjallë. Me forcën e fjalës, me interpretimin e saj të bindte me imazhet, me ndjenjat dhe veprimet e matura në skenë, të cilat shpesh e bënin aktorin të paarritshëm”, -kujton aktori Elez Kadria, i cili ka punuar më se 4 vjet me Prengën në teatrin “Migjeni”, e që ruan mbresat më të mira për shokun dhe bashkëpunëtorin e tij.

35 vjet më parë në skenën hyjnore të teatrit “Migjeni” luhej drama “Plaku i maleve” me regjizor “Artistin e Merituar” Esat Oktrova. Prenga luante rolin kryesor, rolin më të dashur, rolin më të realizuar në karierën e tij, rolin e tribunit të lirisë, birit të Gjakovës “Heroit të Popullit” Bajram Beg Currit. Një zë i kumbueshëm, i natyrshëm, i ashpër, i ngrohtë, një zë tipik malësori, me vërtetësi shqiptari.

Me gjithçka që ka bërë në jetën e tij të shkurtër, Prengë Lëkunda mbetet midis nesh, mik e shok i artëdashësve shqiptarë, simbol i artit skenik me mendim të kthjellët, aktor i talentuar, prind i kujdesshëm, njeri i mrekullueshëm, që koha nuk do ta mbulojë me pluhurin e harresës, përkundrazi do t’i japë shkëlqim figurës së tij. Dhe ky është shpërblimi më i madh për një artist si Prengë Lëkunda, të cilin s’do ta harrojë Lëkunda, Mirdita birin e saj dhe Shkodra e lashtë e qytetëruar qytetarin e nderuar, Shqipëria “Artistin e Merituar” të skenës dhe ekranit.

 

SHARE

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here