Prejardhja e Artistit te Popullit Reshat Arbana

0

 

 

Nga: Albert Z. ZHOLI

 

Reshat Arbana, rrjedh nga një familje e hershme, me origjinë nga fshati Arbanë, në afërsi të Tiranës, në jugperëndim të saj. Siç rrëfejnë të parët e tij, paraardhësi më fisnik i tij ishte Galipi. I lindur në Turqi, nga dy shqiptarë që kishin emigruar aty për arsye ekonomike, Galipi, ka qenë një nga njerëzit që kanë lënë emër në fisin e tij, për mençurinë dhe traditat më të mira shqiptare. Një njeri sqimatar, që besën dhe fjalën e dhënë i ruante shtrenjtë si gjakun në deje.

Asokohe, Turqia ishte në kulmin e shkëlqimit dhe shumë shqiptarë militonin për çështjen shqiptare në Stamboll. Ai ishte mik i rilindësve të mëdhenj Frashëri dhe abetaren e parë shqipe e shpërndante ndër njerëz, si visarin më të vyer të kulturës së vjetër shqiptare. Islami ishte pasardhësi i tij dhe u shpërngul në Shqipëri, pikërisht në fshatin Arbanë, ku lagja e Islamajve që përmban gjithë farefisninë, konsiderohet sot e kësaj dite si lagje e rëndësishme në këtë fshat.

Një fshat i mbledhur si një grusht, me rreth 70 shtëpi, në mes të kurorës së një natyre piktoreske. Fshati mbijeton në sajë të pemëtarisë, bujqësisë, por dhe blegtorisë. Emigracioni jashtë kufijve, por dhe ndaj qyteteve industriale, ka lënë vulën e vet të braktisjes. Por vitet e fundit, për shkak të dëshirës për të kontribuar në vendin e tyre, për shkak të dashurisë ndaj rrënjëve, njerëzit gjithnjë e më shumë po rikthehen.

Vila luksoze të stileve të ndryshme i japin një shije mirëqenieje këtij fshati periferik pak kilometra larg metropolit të zhurmshëm e smog mbytës. Sigurisht, që është luks të jetosh në atë vend me ajër të argjendtë, ku ushqimet janë akoma biologjike, ku ndihet aroma e vlagët e tokës, erëmimi i barit të kositur, blegërima e bagëtisë dhe ku dëgjohet tek tuk plot shushurimë ndonjë shpend.

Reshati sapo gjen kohë të lirë, gati fluturon drejt fshatit të tij të origjinës. Relaksohet në verandën plot trëndafila të çelur, e boçe që presin të shpërthejnë magjinë e tyre të hijeshisë si vasha virgjëresha, dhe e rrëmben nostalgjia. Jeta e tij e mbushur me mistere personazhesh, dhe histori pafund, ulet aty tek vendi nga ku buron geni, dhe ka një shije të mahnitshme vetëkënaqësie.

Asgjë në këtë botë nuk ka vlerë më shumë se atdheu dhe familja. Te ato njerëz me shpirt të dlirë si qielli, te ato bimë që lindin e vdesin stinëve, te ai pyll blerosh me trungje të përhimët e zgavra qukapikësh që krakëllijnë sqepin si çekanë plumbi, te ajo tokë e mugët ku oshtin misteri i prejardhjes, ka diçka të përjetshme të tij. Dhe kur të mos jetë më në këtë botë, ato do rrinë aty, duke e pritur.

Sepse toka është nëna e çdonjërit që ka patur fatin të vijë në botën njerëzore. Të njëjtën nostalgji ndjen dhe për fshatin e nënës dhe tezes së tij që ndodhet 300 metra larg Arbanës. Bultica është një fshat me tradita dhe me kulturë të vjetër dhe me të gjitha karakteristikat e Shqipërisë së Mesme.

Stërgjyshi i tij, Islami, në vitin 1770, zhvendoset në Tiranë. Qyteti i krijuar prej vitit 1614, nga Sulejman Pasha, në atë kohë kishte një xhami, një hamam, pazarin e vjetër dhe dy lagjet më të famshme ishin ato të Mujos dhe lagja e Pazarit. Hyqmin në atë kohë e bënte familja Toptani e ardhur nga Kruja. Me një kulturë të spikatur, dhe me pamje fisnike, Islami lidh fatin e tij me një vajzë nga një familje e njohur. Një familje me baza të shëndosha, nga ku lindën dy fëmijë, Ibrahimi dhe Meremja.

Ibrahimi ishte gjyshi i tij. Një burrë i mençur, mustaqelli, i shtruar dhe me shumë prezencë. Një njeri që dashuronte punën dhe familjen. Ai u vendos në qendër të Tiranës, dhe bënte çdo punë që i jepej doresh. Ibrahimi, gjyshi, martohet me një vajzë nga një familje e njohur nga Shijaku në Tiranë. Nga kjo martesë lindën Islami, Qamilja dhe Qazimi. Pasi i vdes e shoqja, Ibrahimi martohet për së dyti me Havanë, vajzë nga familja e njohur e fisit Llagami.

Një fis tipik tiranas me tradita dhe shumë emër. Nga kjo martesë e dytë, Ibrahimit i lindin katër fëmijë: Shaqiri, Mahmudija, Hamiti dhe Duhija. Xhaxhai i tij Shaqiri, martohet me Qamilen një vajzë nga fshati Bulticë, nga familja Xhabafti (Shehu), ardhur në këtë fshat nga Ndroqi, lagja Kala. Kjo, me sa ka dëgjuar, për arsye hasmërie.

Nga martesa i lindin tre vajza, nga të cilat nuk jetoi asnjë… për shkak të një sëmundje epidemike të kohës. Vdiqën, të mitura, nga mosha 4-12 vjeç. Kjo humbje kish lënë një dhimbje të madhe në familje, e natyrisht më shumë tek Qamilja, nëna e tyre, që do ishte më vonë edhe tezja e tij, sepse motra e saj më pas do të martohej me Hamitin, babain e Reshatit (vëllai i Shaqirit).

 

Ardhja në jetë:

Ishte fundi i luftës Italo-Greke. I ati Reshatit, (Hamiti) e kishte çuar nënën e tij që ishte shtatzënë (me Reshatin) tek i vëllai Vahidi, në fshatin Bulticë, 10 minuta larg fshatit Arbana, për ta ruajtur nga ndonjë abort i mundshëm. Dhe më 13 nëntor 1940, (data e saktë) doli në jetë Reshati. Theksohet data e saktë, pasi në dokumente, njihet 15 shtator 1940. Lindja e Reshatit ishte një ditë e zakonshme në familje. Ishte luftë dhe njerëzit s’kishin mend për t’u gëzuar.

Tirana ishte e pushtuar nga fashistët dhe çizmja e këmishëzinjve të Duçes ia kishin fashitur nurin e gëzimit, familjeve autoktone. Ka qenë e tmerrshme të jetoje atë kohë. Jeta zhvillohej mes bombave, kufomave e predhave. Familjet e asaj kohe jetonin brenda tragjedisë, sepse mund të përcillje të afërmit dhe ato mund të ktheheshin të vdekur në shtëpi ose të gjymtuar.

Në rrugë dëgjoheshin ulërima, të qara dhe vinte era gjak. Nuk kishte shumë për të ngrënë dhe familjarët sajonin një kaçamak sa për të shuar urinë. Uria nuk ka flamur, ngjyrë, uniformë. Ajo trondit shpirtin e njerëzve dhe është një luftë që s’mund ta kuptosh. Frikë nga vdekja, frikë për të afërmit e tu, frikë nga uria dhe pasiguri që trondit shpirtin si zgërbonjë.

Kush jetonte në fshat ishte më me fat sepse mund të siguronte diçka për të ngrënë. Ndërsa në qytet ekzistonte tregu i zi ku ushqimet bliheshin me çmime të larta. Para nuk kishte dhe njerëzit vuanin rëndom nga uria. Nuk hidhej asnjë thërrime bukë. Dhe mbeturinat e ushqimit ricikloheshin.

Asokohe nuk shihje persona të shëndoshë. Të gjithë ishin të thatë nga mungesa e ushqimit. Buka ishte e zezë dhe bërë me krunde. Aq sa ishte e vështirë të haje. Ishte e fortë si gur. Nuk kishte kafe por një përbërje rrënjësh që ta shpifte. Imagjinoni që ndonjëherë piqnin elb, i cili bluhej për të bërë kafe. Ndoshta ishte absurde por në atë kohë mbi copën e bukës vendosej pak sheqer me pak ujë dhe shtyhej në stomak. Lufta është një absurd dhe tiranasit, njerëz me shpirt të butë zvarriteshin këtij absurdi me pak shpresë.

Bota jetonte tmerrin e kapriçiove të Musolinit që më pas do zëvendësohej me absurdin e Hitlerit. Hanin si mundnin, visheshin me andrra dhe jetonin në dhimbje që vërehej rëndom në çehren e njerëzve që ecnin shpejt rrugëve për t’u mbyllur në shtëpitë prej qerpiçi. Të mëdhenjtë ushqeheshin sa të mbanin frymën gjallë dhe çdo gjë e kursenin për fëmijët e tyre. Fëmijët e asaj kohe ishin të zbehtë, me kokalla ku numëroheshin brinjët dhe të veshur keq me rroba të zbërdhylta.

Sëmundjet bënin kërdinë dhe nuk kishte ilaçe. Krizë materiale, pasiguri dhe makth në fytyrat e njerëzve. Në Tiranë lëvrinin celulat e para komuniste dhe traktet e shpërndarë nën portat prej lisi i shtynin burrat e djemtë e rinj të ëndërronin të derdhnin gjakun e vyer për vatanin dhe të ndryshonin të ardhmen e tyre. Kudo pëshpëritej nën zë, rezistenca popullore që do rilindte ndaj pushtuesve.

Komunizmi si një ideologji novatore kishte mahnitur tërë Europën me idealizmin dhe barazinë shoqërore. Tirana kundërmonte era barut dhe njerëzit strukeshin nëpër ngrehinat e tyre prej qerpiçi, ku jeta ndiqte ritualin e saj. Të rinjtë mblesëroheshin e martoheshin në heshtje. Të vdekurit përcilleshin me kuje në varreza.

Gratë mbarseshin si për ironi të kohës. Jeta rilindte mbi rrënoja, mbi kanosje me vdekje, mbi histori të përzhitura heronjsh e kujtime antike të kohërave të lavdishme shqiptare. Ishte koha e revoltës proletare. Koha e vlimit. Mbas traumës së kobshme të pushtimit, populli nisi të gjallëronte genin skënderbegian, edhe pse në fillesë me një grusht intelektualësh ilegalë. Shqiptari e adhuron lirinë si ajri që thith. E ka të formësuar në gen.

E ka të pleksur në adrenalinë. Lindja e një djali përbën një gëzim hiperbolik për të. Ndrin një far shprese për kombin në furtunë. Lavdinë shqiptare ndër shekuj e kanë skalitur burra legjendarë e heronj antikë e modernë. Modele që kanë frymëzuar kombin me pathosin dhe atdhedashurinë e tyre. Përjetësisht, sa ka mbijetuar ky popull me trashëgimi të artë ilire, ka ëndërruar paqen, e ka asgjësuar çdo ditë armiqtë me mendjen e tij, sepse gjithnjë ka qenë i lakmuar si perëndi dhe kurrë pushtues.

Liria ka qenë një dritë vezulluese në fund të tunelit të vetëmohimit e përrenjve të gjakut të bruztë derdhur për atdhe e flamur. Ndaj një djalë ishte një trim më shumë për kombin. Në mentalitetin gegë, një djalë është bekim sepse është përcjellës i mbiemrit dhe trashëgimtar i oxhakut të shtëpisë. Ka më shumë të drejta se detyrime nga seksi femër. Ndaj dhe përbën një ogur fatsjellës për familjen.

Sot njerëzit luftojnë me sindromat dhe streset moderne. Asokohe gjërat ishin të thjeshta dhe stoike. Në atë atmosferë konfuze, lindja e një fëmije nuk festohej me takëmet e sotme. Është normale që sot mund të jesh i pranishëm në ardhjen e fëmijës tënd në jetë. Asokohe konsiderohej turp dhe paradigmë. Sot u dhurohen vogëlushëve lule dhe veshje firmato.

Asokohe gatuhej një bukëvale që u servirej familjarëve. Ishte koha e piskamës shpirtërore. Koha e askundit. Një popull rebel është si deti me dallgë. Qetohet i paanë si një engjëll dhe në heshtje mbars furtunën. Dhe ajo po ngjizej fshehurazi në lagjen më shik të kryeqytetit shqiptar. Ardhja në jetë e artistit Reshat Arbana nuk u festua me krisma, pampame, e fanfara. Në fshatin e dajës ku lehona kishte shkuar të lindte për arsye sigurie, veç një lebetitje e fortë jete u dëgjua.

Mamia, u lumturua që priti një fëmijë të shëndetshëm dhe në prerjen e kordonit kërthizor pëshpëriti lavde ndaj shenjtit dhe mbarësi për fëmijën. E ëma që përjetonte mrekullinë e sjelljes në jetë të një fëmije, nuk e imagjinonte dot se kish sjellë në jetë një artist, që do formonte karakterin më të veçantë, më domethënës, me jetësor në artin shqiptar. Aq fizionomik i skalitur, plastik, me çehre dhe talent, interpretuesin e famshëm të dhjetëra karaktereve.

Aktorin tipik. Heroin vigan dhe armikun e shpifur. Martirin e luftës dhe spiunin djallëzor. Fshatarin e thjeshtë dhe intelektualin nopran. Vagabondin ordiner dhe sekserin hileqar. Ishte një lindje e zakonshme, pa ceremoni, pa bujë dhe pse kishte lindur një margaritar i teatrit dhe kinemasë sonë kombëtare. Një artist që do gdhendte piedestalin e pavdekësisë me veprën dhe qenësinë e tij antikonformiste.

Shaqiri dhe Hamiti (xhaxhai dhe i ati), sa qenë gjallë jetuan bashkë, nuk u ndanë kurrë. Ishin vëllezër të një gjaku, ishin idealistë, ëndërrimtarë të paqes dhe të mirësisë. Kurrë nuk kanë shkrepur tërsëllima sherri mes tyre. Ishte e çuditshme se si kuptoheshin në ajër me një vështrim. Është normale që kishin kontradikta, si njerëz me gjak e nerv. Por dashuria dhe respekti mbisundonin si ligj suprem. Kishin tradita të mirëfillta që i ruanin me fanatizëm. Norma që kurrë nuk guxonin t’i shkelnin.

Asokohe nuk njihej fjala etikë, mirësjelljeje. Po ato e kishin të trashëguar në kromozom. Njerëz të paqtë, melankolikë dhe dashurues të virtytit. E mira dhe e keqja kanë bashkëjetuar me lindjen e njeriut. Bujku Kain dhe bariu Abel, dy vëllezërit e parë të njerëzimit, vranë njëri-tjetrin, vetëm për lakmi të mirash materiale. Në kohërat e sotme, rëndom, vëllezërit harbohen ndaj pasurisë e katandisë, duke u kthyer në hiena të çakërdisura.

Të atin dhe xhaxhain i kishte bekuar zoti me harmoni e oaze mirësie. Nuk krijoheshin shkretëtira mes tyre. Punonin me sinqeritet e pastërti për pasardhësit dhe për të lënë nam të mirë ndër njerëz. Të dy e mësonin që, jeta është një përrallë dhe njerëzit personazhe që e ndërtojnë atë. Jeta është një shkreptimë, që mund të shuhet si rrufeja.

Veprimet dhe morali i saj janë domethënia e gjithë mundit, përpjekjeve që bën njeriu. Ndonjëherë djalli ngre krye brenda qenies dhe të shtyn drejt rrëpirës. Por, ndërgjegjja që s’është gjë tjetër, veç zoti brenda ekzistencës tënde, vë shtigje. Suksesi është të dish të zgjedhësh. E drejta është shtegu i dhive. Rrëpirë logoritëse që të strapacon frymën e ta ter shpirtin, por të jep ngadhënjimin e përjetësisë.

E shkurtra është rruga e vesit, që të çon drejt kënaqësisë së beftë, por që mund të jetë fatale. Shembujt që i kanë dhënë ato dy figura kardinale në jetën e tij kanë qenë tempuj personaliteti. Origjina dhe edukata familjare ishin udha që ata i shtruan në jetë. Dhe ai i është mirënjohës. Njerëz me pretendime modeste, por me një zemër që të dhuronin botën në gishtërinj. Dashuri sublime. Sakrifica të pamasa. I kujton dhe tani duart e tyre të shkathëta tek krijonin qeleshe, që atëherë ishin pjesë tradicionale e tiranasve e më pas puna në një dyqan bakalli.

Xhaxhai e kish ushtruar këtë zanat për disa vjet në Dibër të Madhe të Maqedonisë, i vendosur në një familje të njohur dibrane. Pas kësaj eksperience disavjeçare erdhi në Tiranë. Gjithnjë me një uratë në buzë, e një buzëqeshje rrezellitëse. Gjithnjë bashkë për të ndërtuar jetën me nder e faqebardhësi. Njerëz të ndershëm dhe të qetë. Me dashurinë, harmoninë dhe kulturën qytetare që transmetonin, u bënë heronjtë e fëmijërisë së tij, veçanërisht xha Shaqiri një nga personazhet më të bukur për t’u patur shembull në jetë. Ishin personazhe mahnitës të jetës së tij personale. Uni dhe krenaria e tij gjenetike.

 

 

 

SHARE

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here