Më datë 5 maj të vitit 1992 në Muzeu Historik Kombëtar unë organizova një veprimtari për 25 vjetorin e vdekjes së Mitrush Kutelit. Ishin të ftuar shkrimtarë dhe artistë. Idetë e mia mbi Kutelin i shtjellova në formën e një dialogu të imagjinuar midis A-së dhe B-së, ku dy shkronjat janë përfaqësuese të dialogistëve pa emra. Ishte hera e shkruaja diçka për Kutelin. Madje mund të them se nuk kam arritur të shkruaj ende edhe sot diçka tjetër. Po paraqes më poshtë këtë dialog, i cili vlerëson Kutelin.
“DIALOG PËR MITRUSH KUTELIN – Moikom Zeqo”
‘Ajo që më intereson nuk është gjithmonë ajo që ka të bëjë me mua. – Pol Valeri‘
Një ese në formë dialogu, për shkrimtarin dhe intelektualin e madh shqiptar Mitrush Kuteli është e parapëlqyer. Ndihmon shtjellimin e mendimeve, bën më të lirëshme dhe komunikuese rezymetë e mendimeve. Pra, afron mundësinë e një bisedë, e cila konstruktohet, sipas një logjike dhe jo krejt rastësisht.
A: – Vitin 1992 është i shumëfishtë. Si vit politik ai ka domethënie historike. Njëkohësisht ai është vit jubilar për disa njerëz të kulturës shqiptare. Fjala vjen ky është viti i 25 vjetorit të vdekjes së Mitrush Kutelit.Më duket, se poeti francez Pol Valeria ka thënë se; përvjetorët e poetëve janë seanca spiritizmi, një veprimtari mediumesh. Në to shpirti i të vdekurve në fakt nuk trukëzohet. Ai vjen ndërmjet kujtesës, duke qenë element substancial i saj. Ky shpirt komunikon me të gjallët, qofte për të verifikuar testamentin e tij, qoftë për të parë atë, që nuk qe e mundur të shihet në të gjallë. Kjo është një e vërtetë, që i përket artistëve të vërtetë. Vdekëtarët e rëndomtë, po të perifrazonim Homerin, nuk mund të luajnë rolin e pasvdekjes. Vdekëtarët e pazakontë mund ta luajnë.
B: – Më duket interesante kjo mënyrë të arsyetuari. Jam dakort, që ju sillni në ndihmë mendimin e Pol Valerisë, i cili ka qenë dhe ai vetë një medium. Roli i pasvdekjes përcaktohet nga skenari i artit. Po vetë arti përcaktohet nga vdekëtarët. Siç shihet, është një formë intelektuale e pavdekësisë, e pangjashme me ringjalljen mistike, ende të pavërtetuar, gjithmonë hipotetike, të shënjtorëve. 25 vjetori i vdekjes së Kutelit është një formë e ringjalles së tij të mirëffilltë, intelektuale …
A: – Në ditët e sotme, ku gjithçka identifikohet me politikë flitet shumë për dimensionin politik të Kutelit.
B: – Kjo është e vërtetë dhe njëkohësisht e pashmangshme. Në sistemin e diktaturës, që kapërcyem, Kuteli përjetoi martirizimin e vet. Kjo është biografia e tij vetjake, tepër e dhimbshme, prekëse dhe paradoksale. Patjetër, që duhet folur për këtë dimension. Por, përtej shpjegimeve politike, ne na intereson par së gjithash shpjegimi i brendshëm i artit të tij. Por po ju paralajmëroj, se kjo është një gjë tepër e vështirë.
A: – Jam dakort dhe e përshëndes paralajmërimin tuaj. Jam në një mendje me ju, sot të flasësh për Kutelin nuk është aq e lehtë. Të flasësh për krijimtarinë e tij kërkohet një kulturë e caktuar, që sot nuk e kanë studiuesit, që janë marrë, ose gjoja po merren me të. Ata bëjnë velrësime superlative. Ata bëjnë në fakt hartime, që nuk janë dije e mirëfilltë dhe serioze.
Për të folur konkretisht duhet të kesh një përgatitje paraprake. Shumë nga kritikët tanë, që deri dje hyjnizonin diktaturën sot janë vetëshpallur disidentë të skajshëm. Ata bëjnë një lojë politike, duke harruar, se arti është diçka tjetër. Është njësoj, si të shpjegosh formulat algjebrike të Xhorxh Bulit, por pa ditur ende aritmetikën e thjeshtë. E ç’dinë ata nga Kuteli? Kanë lexuar librat, që nuk i kanë kuptuar. Bëjnë komente, sipas stilit të një narracioni të mërzitshëm, shkollaresk.
B: – Ke të drejtë. Por kjo nuk duhet fetishizuar. Ka ende intelektualë në Shqipëri, që mund të bëjnë diçka serioze. Janë të paktë dhe gati si minoritet. Po ama janë, dhe do të jenë përherë. Mediokrit pretendojnë për shoë. Kanë delirin e publicitetit. Janë fatkëqinj, sepse nuk kanë shpresë. Kanë të ardhmen kundër, madje, kanë kundër vetë autorin, të cilin pretendojnë se e lavdërojnë Mediokrit nuk dinë të lavdërojnë. Ata dinë vetëm të përdhosin.
A: – Kuteli është një dukuri intelektuale e veçantë në kulturën tonë. Do të doja të përfizoja, ose më saktë të tentoja një dimensionim të tij në disa plane. Ai duhet studiuar, së pari si shkrimtar i mirëfilltë shqiptar. Roli i tij në prozën shqiptare lidhet me një fazë zhvillimi tepër interesante. Ne si popull, kemi patur shumë vonesa historike. Një nga vonesat e këtij lloji është edhe ai i kultivimit të prozës së mirëfilltë letrare, e cila në vitet ’30-të dhe ’40-të, pati një trinom: Koliqin, Migjenin dhe Kutelin.
Të tre, të pangjashëm me njëri – tjetrin, por në një kohë dhe hapësirë të përbashkët zhvillimi, arritën të krijojnë prozën artistike shqiptare, në një nivel bashkëkohor europian.
Së dyti, Kuteli duhet studiuar si shkrimtar i mirëfilltë ballkanik. Shkrimtarët ballkanikë janë vërtetë europianë, por te ata kodi sintezave dhe kundërshtive midis Lindjes dhe Perëndimit ka krijuar një pasaportë autentike. Si shkrimtar ballkanik Kuteli shpjegon disa lidhje të kulturës shqiptare me kulturat fqinje. Është me interes të shikohet raportet e artit të Kutelit me rrymën e ashtuquajtur arti ruralist rumun. Në Rumani, jo vetëm në letërsi, por edhe në pikturë – kujtoni për shembull Grigoreskun dhe mos harroni njëkohësisht dhe Vangjush Mion tonë, peisazhi baritor krijoi një idealitet të qëllimshëm, përballë qytetërimit urban, që gjendej në një kaos të vërtetë. Kjo gjë, hapi mundësi për t’u lidhur me prozën popullore, që folklori të mbijetonte te arti i kultivuar, me dinjitetin e forcës demiurge. Kjo gjë është kaq e pranishme të Mitrush Kuteli dhe krijon një nostalgji të ndritur, njerëzore, të përjetëshme.
B: – Në një tregim të Kutelit flitet për një të gjallë, që shkon mysafir në botën e të vdekurve. Një fshatar shqiptar, pa pretenduar atributet e Odiseut, ose dhe të Orfeut, pa ditur gjë për Danten dhe aksionin e tij të habitshëm , bën njëkohësisht të njëjtën gjë. Ai zbulon i mahnitur, se koha në përrallë dhe koha në pasvdekjes ka ligje të ndryshme nga koha e ditës dhe jetës së të gjallëve. Këëtë gjë do ta referonte sipas një formule matematikore një gjeni i pakrahasueshëm i shekullit të XX, Albert Ajnshtaini. Ai tregoi sistemin e referimit, që përcakton relativitetin e kohës, por edhe të hapësirës.Folklori i lashtë i popujve zbulimin e Ajnshtajnit e kishte ditur, që më përpara. Kuteli, si shkrimtar është i racës së përralltarëve të vjetër. Prandaj në tregimin e vet, ai flet për kohë tjetër, që nuk korrespondon me kohën e të gjallëve, për të krijuar kështu mitin e tij artistik të kohës.
Kuteli synon drejt një kohe eterne, e cila gjëllon në prozën e tij. Ai e ka kuptuar këtë sekret kaq të thjeshtë, por dhe kaq të ndërlikuar të artit.
A: – Kuteli është marrë me përpunimin e përrallave, me kthimin në prozë të Eposit të Veriut. Ai ka botuar libra si folklorist i shquar. Ka zbërthyer baladat, ka shkruar ese të nivelit të lartë. Në tematikën e krijimtarisë së tij zë vend edhe epoka ilire. Në një roman të tij të pambaruar, ai përpiqet të rikonstruktojë kohën e humbur, siç do të shprehej Marsel Prusti. Të habit fakti, që ai ishte në dijeni të rezultateve më të fundit të ilirologjisë. Kështu, krahina, ku shtjellohen ngjarjet e romani quhen Bardhona. Është një shqipërim etimologjik, që bazohet në ekuacionin albanët – të bardhët, bardhinjët, ose parthinët.
Këtë ekuacion të bërë, që nga fundi i shekullit të kaluar jo nga dijetarët por nga poetët, etimologjia moderne e pranon pa ndonjë skepticizëm të madh. Kuteli tenton të vazhdojë një nismë të Ndre Mjedës.Mjeda në disa poema të tij krijon një kohë mitike të ilirëve. Për fat të keq kjo nismë e jashtëzakonshme e Mjedës nuk është vlerësuar nga kritika jonë akoma. Një shpjegim i saj në të ardhmen do të ishte një aksesor i pazëvendësueshëm edhe për vetë Kutelin. Por ngul këmbë, që kjo nuk mund të bëhet nga të quajturit kritikë të sotëm, që nuk i kanë posibilitetet për një studim serioz.
B: – Kuteli duhet studiuar edhe në një plan tjetër. Ai i takon sagës së shkrimtarëve shqiptarë bilingue. I pari shkrimtar i madh bilingue i kulturës tonë është padyshim Pjetër Bogdani.Në qoftë se shqiptarët, me të drejtë, analizojnë dhe meditojnë për teksitin shqip të kryeveprës bogdiane, italianët mund të bënin të njëjtin proces analize për tekstin homolog në gjuhën italishte. Më pas, si shkrimtar të tipit bilingue do të shkëlqente Naimi, Samiu, Vaso Pashë Shkodrani, patjetër Fan Noli, Martin Camaj etj. Ne mendojmë, se Kuteli është një nga më të shquarit krijues të tipit bilingue, duke patur parasysh se ai ka një krijimtari të tërë të botuar në gjuhën rumune.Pas Kutelit në Shqipëri saga e shkrimtarëve dhe intelektualëve të tillë me sa duket është mbyllur.
Ndoshta hapja me botën do të krijojë një sagë të re.
A: – Rëndësi të veçantë për Kutelin ka materja gjuhësore.Askush si ai, nuk ka punuar në prozë me një përkushtim të tillë, për t’a universalizuar gjuhën shqipe, jo vetëm si leksik, por sidomos në stilemat e saj dhe lokucionet aq të pasura. Në të ndihet pushteti i madh i shqipes jugore, ç’ka e shton origjinalitetin e Kutelit.
Familja e Kutelit është me origjinë nga Parga dhe jo rastësisht ai ka admirim për shumë forma gjuhësore të Jugut, jo vetëm në aspektin e mendimit mitologjik, por edhe të racionalitetit dhe të sintezave të shkurtëra, që kanë baladat dhe këngët sintezë të Jugut.Por kjo nuk do të thotë aspak, se Kuteli nuk është një shkrimtar mbarëkombëtar.
B: – A thua është një rastësi, që në një qytet pranë liqenit të lindin dy shkrimtarë të mëdhenj: Lasgushi dhe Kuteli? Ata janë si ato qëniet mitologjike, biqefale. Dihet, që biqefalizmi është simbol i forcës së dyfishtë në mitologji.
A: – Kjo nuk është një rastësi. Ky qytet qendër e stërmotshme e enkelejve është vatra e sagës mitologjike të Kadmit dhe birit të tij Ilirit. Për fat të keq nuk kemi një studim gjenerik të kësaj sage. Lasgushi dhe Kuteli i kanë rrënjët shumë të thella. Në kohërat moderne ata përfaqësojnë një vijimësi të ndritur dhe një lidhje të hallkave të këputura të kohërave.
B: – Kuteli ka qenë një ekonomist, mendimi i tij ekonomik është gjithashtu trashëgimi e kombit. Ai ka punuar pranë thesarit të shtetit shqiptar, duke qenë përherë i ndershëm dhe i varfër. Sipas mitologjisë grifonët ishin ruajtësit e floririt, Kuteli ka qenë një grifon i bankës shqiptare. Por ai më shumë se sa grifon i floririt, ka qenë grifon i bankës gjenetike të kulturës dhe gjuhës shqipe. Ky është nderi i tij më i madh. Për këtë ai do të meritojë respektin e brezave.
A: – Megjithatë ky përvjetor i tij në demokraci është jo i zakonshëm. Nëse ai vërtet, po të ringjallej trupërisht do të na gjykonte neve dhe do të ballafaqohej me gjykimet tona. Një gjë e tillë është e pamundur, por ne mund të bëjmë diçka të përafërt në pikëpamje konceptuale, sot dhe në të ardhmen.
B: – Ai padyshim duhet botuar i plotë, duhet ndërkombëtaruar me botime në gjuhë të huaj. Pa këtë kusht do të jetë e vështirë studimi krahasimtar, që bëhet nga dija bashkëkohore. Ky studim do të arrinte dimensionin e tij të vërtetë, kaq të domosdoshëm.
A: – Sidoqoftë në këtë dialog ne përvijuam diçka. Së paku ekspozuam një mënyrë, se si duhet konceptuar vepra e Kutelit. Parashtrimi dhe metoda janë thelbet e studimit. Ato nuk janë parafrabrikate, as skema të gatshme. Na ndihmojnë për të bërë sa më pak larg mistifikimeve të kota, por edhe larg thjeshtëzimeve të vulgarizuara.Të mos harrojmë, se Kuteli në prozën e tij krijoi një shkollë. Në stilin e shkrimtarëve të tillë si Shuteriqi, Sotir Androni, Nasi Lera, Dhimitër Xhuvani, Anastas Kondo, Teodor Laço, etj., ndihet forca depërtuese dhe modeli paraprak kutelian. Kjo, nuk mohon origjinalitetin e tyre, por shpjegon shumë gjëra. Shkolla e Kutelin ne historinë e prozës shqipe meriton të kihet parasysh dhe të argumentohet, për të kuptuar përmasat e tjera të krijuesve të tjerë të letërsisë sonë.Së fundi le të më lejohet të përdor një metaforë të Kutelit. Në 1944 ai dhe tri shokë të tij shkrimtarë botuan një organ të quajtur “Revista letrare”. Kuteli e mbiquajti vhten dhe shokët “gomarë të Vezuvit”. Koha ishte si Vezuvi në shpërthime llavash. Ata të katër mbartnin në shpatet plot vreshta të Vezuvit të artit vilet e rrushit për Dionisët e rinj të shpirtit të popullit. Le të shpresojmë edhe sot, për “gomarë të Vezuvit”, që me anë të artit të qetësojmë e fisnikërojnë shpirtërat e trazuara të shqiptarëve, për të mirë e hir të kombit tonë martir.
Tiranë 5 maj 1992
Kuteli është miku më përkushtues ndaj Lasgushit. Të dy kanë lindur në të njëjtin qytet. Të dy janë banorë liqenas. Në një farë mënyrë janë edhe të tokës, por edhe të ujit të madh. Kjo gjë ka ndikuar në një prirje të pashmangshme të miqësisë. Lasgushi konsiderohet nga Kuteli si gjeni, madje Kuteli e veçon gjeninë e Lasgushit, pra e ngre mbi të krahasueshmit e tjerë dhe gati e mistifikon. Por Kuteli qe vetë një talent i shkëlqyer. Ai kishte ambicie krijuese të pandalshme, plot shqetësime dhe kërkesa marramendëse për të gjetur horizonte të rinj dhe të papashëm nga të tjerët. Për Kutelin Lasgushi është Mjeshtri. Ai shkruan në 1929 “Gëzohem tepër se mund të shikoj disa grima qetësie pas një rraskapitje të gjatë i hedhur prej erës së fatit. Rri i turitur dhe vështro vetëm, vështro si del dhe si hyn dielli, si ngjitet dhe zbret hena, si turbullohet dhe platitet gjoli… Mos mendo asgjë, mos puno as fare edhe mos ëndërro, vargjet e ëndërrave brehen gjerdhanë florinjsh që të rëndojnë shpirtin, të mbytin në gurmaz. Shlodhu, duke rrëshqitur mbi ujrat e përcipësisë, mos kërko të sondosh në thellërisat e errëta të realitetit”. Sepse Lasgushi e kishte hapur sundukun e shekujve “me kinda fjalësh të palosura”, që kundërmojnë nga borziloku i përrallave, që dritësojnë prej përjetësisë. Dhe Lasgushi i shprej Kutelit brengën e tij:
“Një Hije e Zezë po guxon të planojë rreth e qark kryet tona: Është Mëkata e Paturpshme e Motit, Gabimi fatal i këtij populli në vetvrasje e sipër, që u mat qenërisht të mbyti Gjeniun e Vet, që po përtall dita në ditë, sulmin e Perëndishëm të Djalërisë”. Dhe shton “Eja të punojmë, të tretemi, të shuhemi, për të krijuar në mes të vdekjes një jetë të re. Eja të ngrejmë planin tonë, që pret me padurim mu në pragun e portës Llazarin (që të do, sepse të ka dashur)”. Kuteli i përgjigjet, ka të njëjtën rezonancë shpirtërore, kuptohet pa përmasa. Ai interesohet dhe këtë gjë e quan një provë historike për kulturën të botohej poezitë e Lasgushit në një libër. Ai bëri gjithshka, qe një kampion i përkushtimit. Ai njofton Lasgushin se ka takuar skuptorin e ri Odise Paskalin, i ka kërkuar t’i bëjë një ilustrim grafik për librin “Ylli i Zemrës”, që simbolizon idenë e përbashkët të dy volumeve (edhe të disa poezive nga libri i mëparshëm “Valja e Yjeve”). Më 1 Janar 1937 Lasgushi i shkruan Kutelit se “Odise Paskali s’e ka mbaruar klishenë”. Më 4 Prill 1937 Kuteli nga Bukureshti i shkruan se libri poetik ka mbaruar.
Jep hollësira për kartën, për dimensionet 76 X 49cm. Libri do të botohet deri në 2000 copë. Do të ketë dy faksimile nga dorëshkrimet ku ti vë në fillim dhe mbarim të librit si dhe një shkrim të Mitrushit që përcjell librin. Dhe shton “për kopertinën fli i qetë, edhe ti edhe Odise Paskali, se unë këto e ujdisa punën me piktorin Ary Murnu, i cili bëri edhe dy skica (me pendë) njëra për poezinë e parë të volumit “Dergjet shpesh liqer i kaltër”, Murnu u inspirua pas një fotografie të liqenit tonë, – dhe tjetra për poezinë “Vallja e Yjeve”, – një qiell ku vërtitet Perëndesha e Yjeve në një natë energjike.”Çfarë shkruan Kuteli për Lasgushin?Pasi tregon disa hollësira të kushteve, të mundësive, të rrethanave të botimit të librit “Vallja e Yjeve” Kuteli thellohet për të gjetur një vlerësim në kuptimin shkencor të fjalës, për të bërë renditjen në shkallën hierarkike. Në gazetat e shtypit shqiptar qenë bërë disa komente për veprën Lasgushiane, por sipas Kutelit ato nuk mund ti quajmë kritikë shkencore. Disa prej tyre qenë kronika të thata, të bëra sipas një kallëpi të ndonjë autori të huaj, të cilat merren më fort me përgjithësi banale dhe nuk hyjnë në thelbin e tij. Në këtë “Shportë të diletanteve” hyjnë midis të tjerave edhe “gjykimet” e një noteri të shprehur shqip dhe frengjisht, ku sipërfaqësia me absurditetin janë motër e vëlla. Vetëm në librin e Prof.Papas Gaeteano Petrotta, Dottore in Pettere: Popolo, Lingua e Letteratura albanese, Palermo 1931, Kuteli gjen disa mendime te drejta , përgjithësisht për vlerat e letërsisë shqiptare në shekuj, por ndonëse studiuesi është tepër serioz dhe i kushton 3 faqe libri poezisë së Lasgushit, bën edhe një vërejtje duke u shprehur se Lasgushi “i bën vjershat me një lehtësi të jashtëzakonshme, por nuk i mungon talenti që poezia e tij të arrijë kulmin”.
Këtë detyrë të munguar Kuteli e quan një privilegj të kohës për vehten. Për të në hierarkinë e elementeve e që përbëjnë vlerën e një vepre poetike, forma ose trajta zë vendin e parë. Kuptimi ose përmbajtja nuk vijnë përveçse në rradhën e dytë. Kjo gjë mund të shpjegohet dhe të kuptohet lehtë, mund të ketë shumë njerëz që mund të kenë mendime të larta dhe mbase hyjnore, por nuk kanë mundësinë dhe talentin t’i shprehin këto ndjenja, ide, mendime të veshura me veshjen e poezisë, pra të formës, kështu që nuk bëhen dot vjershëtor. Ndoshta do të mbeten si mendimtar, shkencëtar, mbase heronj por jo vjershëtor. Prandaj Lasgushi është poet i formës që përmbledh në këtë fjalë fjalorin, përfytyrimin, rrjedhën, ritmin, fornologjinë e stilit përgjithësisht.
Edhe përkushtimi i Kutelit për Lasgushin e ka një notë mistike. Në këtë këndvështrim Mitrushi thotë për vehten e vet “vazhdoj “rrugën e Zotit”, presdistinatën e shkrojtur në ballë në natën e të tretave. Ku ta di unë, ku do dalë vraga ime? Fjala jote, nga Zoti – te Zoti”. Më tej “ndjehem i lodhur, por megjithë këtë, përpiqem të mbajë lart flamurin e jetës, të mendimit, të krijimit. Gjer kur?”. Mitrushi përherë i tregon mikut të tij projektet dhe subjektet e librave që shkruan vetë. Ai shkruan për polemikat të disa librave me stil energjik dhe eseistik në rrafshin albanologjik, historisë dhe të gjuhës. i flet edhe për librat për tregime, por Lasgushi tregohet më i kursyer në këto raporte, i shkruan pak dhe shkurt për talentin e Kutelit. Në një letër që i dërgon nga Bukureshti më 25 shtator 1939 lasgushit, Kuteli i flet për një djalosh të talentuar, nga i njëjti qytet i tyre për Pandi Papa Nastasi. Ai kish vdekur më 1935. Ishte varrosur në Beograd. Kuteli e kish vizituar këtë varr i emocionuar. Ai shkruan për Pandin, shokun e tij të dashur me vlerësim të sinqertë. Ai e quan Pandin me zemër të madhe për Shqipërinë, megjithëse Shqipëria e kishte sjellur shumë vuajtje.
Kur nuk e kish dëgjuar të fliste kundër Shqipërisë, megjithëse shqetësimet e tij kishin qënë të rënda. Pandi e mbaroi shkollën fillore me notën e përgjithshme 10. Që kur ishteë 14 vjeç dinte mirë greqishten dhe frengjishten. Nuk e gëzuan dhe nuk e shpërblen me ndonjë ndihmë a bursë, siç merrnin fjala vjen çunat e Jasharit e bej Starovës si dhe shumë të tjerë zotër çifligjesh. Në një konditë ekonomike mizerje studioi ca kohë në Bokoslovinë e Manastirit.Aty studioi rusishten dhe serbishten. Ngandonjëherë vinte për verë për Shën Naum. Kuteli e kishs takuar për herë të fundit në Manastir, në dhjetor 1931. Pastaj Pandi shkoi në Beograd ku jepte mësime në frengjisht. Vdiq në 1935, pa mbushur 26 vjeç. Mbi gurin e varrit të tij është shkruajtur me gjuhën shqipe: “Këtu pushon Pandi Papanastasi, student i theologjisë, lindur në Treskë më 1909…”. Kuteli shprehet se ka qarë mbi varrin e tij, nën shiun ngjyrë gri të vjeshtës. E citova këtë pasazh sepse Pandin Papanastasi ka qënë një mik i madh i Migjenit.
Kur Migjeni studionte për Teologjinë në Manastir të Maqedonisë u njoh me Pandin dhe krijoi një miqësi gati proverbiale. Ka një fotogrfi ku kanë dalë të dy Migjeni dhe Pandi. Pandi ka shkruajtur poezi dhe krijime letrare. Pandi është vërtet shoku më i ngushtë, më intim, më i afërt në rini i Migjenit. Ai qe dy vjet më i madh në moshë, por vdiq para kohe, një vit më i ri sesa Migjeni. Pra Pandi 26 vjeç Migjeni 27 vjeç. Ky motiv është shumë grishës, por të mendosh se pandi qe gjithashtu një shok i thellëshpirtëror edhe për Mitrushin. Pandi qe një talent, që nuk arriti të realizohej. Migjeni u bë një talent epokal. Kështu mundtë mendojmë se njohja e Mitrushin me Pandin mund të ketë qënë dhe një shtysë, apo një pllenim, argument më shumë që më pas Mitrushi të bënte një shkrim të papërsëritshëm për artin e Migjenit. Edhe Lasgushi e ka njohur shpërthimin dhe famën ndriçuese të Migjenit. Në arkivin familjar të tij ruhet dhe një dorëshkrim kur Lasgushi me kaligrafinë e tij të veçantë, dhe karakteristike ka kopjuar nga shtypi poezitë e botuara të Migjenit. Një fakt nga ditari i Lasgush Poradecit. E Mërkurë 10 Maj 1967. Ka vdekur Mitrush Kuteli. Lasgushi i shoqëruar nga doktor Misto (Themistoli Marko), djali i Agllës motrës së Kutelit shkoi tek varrezat në Tiranë ku mbërriti në orën 6 pa 15 minuta.
Aty ishin ende kurorat, më saktë 7 kurora, të bëra prej dy degësh palme seicila, por vetëm njëra qe prej një dege të vërtitur. Lasgushi shënon mbi shkrimet e kurorave. Dy kurora ishin zyrtare nga Shtëpia Botuese “Naim Frashëri” dhe “Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve”. Kurorat e tjera kishin emrin e Efterpit dhe të fëmijëve, të nipave si dhe të Nonda Bulkës, Sterio Spases dhe Zisa Cikulit. Lasgushi vëren: “Lulet e kurorave (trëndafilë) ishin të tëra, artificiale (prej letre), megjithëse jemi në muajin maj në Tiranë shpërthen prej trëndafilave të shumtë kudo. Dhimitër Paskos në shtëpi dhe në Pogradec i thoshin Dhimitraq, por unë ia shqipërova emrin duke ia bërë “Mitrush”. Mbiemrin “Kuteli” e vuri ai vetë, kështu i mbeti emri letrar Mitrush Kuteli.” Por edhe Lasgushi ka shkruajtur për rrëfimet e Mitrush Kutelit, konkretisht për librin “Netë Shqiptare”. Këto tregime kishin tërhequr vëmëndjen menjëherë të lexuesve. Tregimet u botuan për së pari, një pas një në mërgim. Këto rrëfime nuk kishin diçka të veçuar. Ato hynin në rrethin e gjërë të një ideologjie autori. Ato qëndrojnë në mënyrë organike në elementin e vet: një botë shqiptare, më e përmbledhur me frymën e kohërave dhe të kohës. Ka motive të trashëguara nga e kaluara, të transiguruara artistikisht, si dhe të derdhura nëformën dhe fjalën gazmore të artit.
Kuteli në këtë botë të mbrojtur prej qindra viteve përzgjedh, përsos subjektet e tija hijerënda. Ai ribën kujtimet legjendare, shpesh të humbura në mjegull, siç është rrëfimi “Përtej valëve të kohës”, apo “Bendo Shapërdani”, si dhe “Xha Bragua i Shkumbanicës”. Ato kanë një shenjë të përbashkët që i karakterizon: iluzionin e mjeshtëruar të jetës shqiptare. Sipas Lasgushit Kuteli e rindërton tipin e përgjithshëm të iluzionit. Fjala vjen fshati Katieri – Katieri i Mokrës në qarkun e Pogradecit, nuk është taman as fshat, por një shenjë fshati, ose një kujtim, që dëshmon për qënien e bujshme të Katierit të njëhershëm prej të cilit kanë mbetur sot veç një sërë gurësh që ngjajnë si krëhërë mbi lëndinën e pyllit të gështenjave, dhe shkëlqimit të perëndimit të diellit. Kuteli duke mos e duruar mbi supe realitetin e rëndë mendor të tyre, i ngre lart, me anë të artit, në një realitet tjetër, sipër-lëndor, duke e kthyer kështu me një të Thënë Shqiptare. Në këtë imazh ka shumë dhimbje por dhe një afsh legjendar të habitshëm. Kështu rrëfimi kutelian parapregatit shqiptërisht që lexuesi të hyjë në një botë zanatillore të përrallave, ku lëviz fryma shqiptare, ku ka zëra thesarësh dhe fshehtësira të shpresave të lindura dhe të shuara, të gjetjes përsëri dhe të humbjes papandehur prap të këtyre motiveve.
Kështu ëndërra lot një rol kryesor për të shkuar tek një thelb tjetër i rrëfimit që është realizimi i fenomenit metafizik, i përjetimit dhe rrojtjes së çastit të ngjarjes historike. Pikërisht në Mbretërinë e Ëndërrës personazhi shpërngulet, ngjitet lart “dyfishimit fiziko-psiqik të vetvehtes, në kryelartësinë heroike të lirisë, dhe epopenë e katastrofës së tyre me shpirtin e pavdekur që lind edhe kur e mundin dhe që bëhet dritë edhe kur bëhet shkrumb, duke lënë prapa zërin e mirë për një trashëgim mirënjohës dhe një mundësi arti për ta përjetësuar. Ndryshe, heshtja dhe harrimi shtrijnë mbretërinë e tyre mbi themelet si kryqe të fundosura, mbi rrasën e mbytur prej myshkut dhe mbi krëhërin e murit antik, që të përmbushet e Thëna Shqiptare. Ky është Destin i një fisi të Gjergj Kastriotit, që pat vdekur lëndërisht për të rrojtur me emër në kopshtet e bukura të shpirtit të kombit”. Kështu shkrimet e Kutelit ndritin nga pasuria etnike, kapsërcejnë çdo tradicion të plogështisë dhe të rrënimit, janë histori, gojëdhëna, tingëllime të mëndjes dhe zemrës, manifestime të jashtëzakonshme që në udhën e jetës bëjnë proçesin e spastrimit, duke u ngritur prej tokës në lartësi. Ato janë Testamenti Letrat i Mitrush Kutelit. Për Lasgushin krijimet e folklorit shqiptar megjithëse të bukura prapë janë një lëndë brute, që kanë nevojë për vlerësimin e nevojshëm artistik. Këto janë copët plotësonjëse të një letërsie ende të padukur, një trup që kërkon lulëzimin e shkrimtarit për të bërë vlerësimin artistik. Kuteli ka shpirtin e një poeti.
Ai shikon motivet por edhe objektet primitive të legjendave, dhe kërkon t’i mbruaj për lindjen e re me anë të shpirtit krijonjës. Kështu shkrimtari është krijonjës subjektiv, të ngrihet mbi shfaqjet objektive të rrethanave. Kuteli bën transfigurimin, që është e fshehta e patjetërsueshme e rrëfimit të tij. Ky transfigurim e mvesh subjektin si një këngë të hirshme, e mbështjell gjithë rrëfimin si në një pëlhurë mallëngjesëse të së kaluarës plot poezi. Se transfigurimi i Kutelit është toni unitar i përmotshëm në të cilin përshkrohet fabula, gama minore, që e shpirtëzon së gjithash fund e krye me drithmën e saj, që e rrethon nga çdo anë, pa e qitur kurrsesi. Në të shumtën e herës toni i rrëfimit del nga aplituda estetike e mbrendshme e autorit kundrejt subjekteve. Lasgushi mendon se Kuteli si prozator ka një vend të veçantë në letërsinë shqipe edhe kundrejt novelistëve, në rradhët e parë atyre të Veriut. Lasgushi shkruan: “Netët Shqiptare” janë antipodi i “Hijes së Maleve”. Tek Kuleti rreh shpirti i ngrohtë i maleve Jugore, tek Koliqi fryn fryma e ftohtë e shkëmbenjve të Veriut”. Përcaktimet e Lasgushit për ardhjen e Kutelit nuk janë gjë tjetër veçse një paralele të mendimit estetik që Lasgushi ka edhe për artin e tij. Mbi të gjitha del motivi gati ungjillor i transigurimit. Pra arti është gjithmonë një shfaqje më sublime e realitetit vulgar.Në artikullin “Poetë dhe Detraktorë”, Kuteli i përgjigjes kritikës së Kris Malokit të vitit 1938.
Në fakt replika e Kutelit është botuar në “Revista Letrare”, 15 prill 1944. Kuteli është i prekur në shpirt nga vërejtjet e Kris Malokut. Për Kutelin arti është prodhimi më fisnik i shpirtit të njeriut. Është thjeshtësia më e rëndësishme në botën e artit, sipër të gjithave është poezia “art supréme et complet – peinture qui se meut, musique qui pense” si e pat qojtur me të drejtë, Deschamps. Interesant. Kuteli është i pari që e cilëson piktorin e madh dhe teoricienin më modern të arteve pamore, Marsel Deschmps. Nuk e kam hasur këtë gjë tek asnjë letrar apo njohës shqiptar i kulturës. Mbrojtja e Kutelit është njëkohësisht në planin estetik edhe mbrojtje e poezisë së Lasgushit. Për Kutelin poezia është më shumë intuitë dhe ndjenjë, jo logjik. Poezia del nga shpirti dhe i drejtohet shpirtit, jo si ndonjë mjet tematik, jo si një tezë, por si një lëvizje ndjenjash. Rruga është nga shpirt në shpirt, por në ndonjë rrugë tjetër paralele apo të kundërt. Vlera e poezisë nuk peshohet as me kandarin e dyqanxhiut, as me mjetet moderne të dijetarit të laboratorit. Nëse në matematikë 1+1=2, në poezi mund të mos ndodhë kështu. Poezia është një fluid shpirtëror, mund të shkruash 30 vëllime me vargje të thata, me rima, me dogma metrike, dhe megjithatë mund të mos jeshë fare poetë. Në fund të fundit “Poezia nuk është një gjëndje civile, por një dispozitë shpirtërore”. Në mënyrë të hidhët, plot pezëm Kuteli e quan Krist Malokun një detraktor, një logjistien, një tematist, një antitativist, se do të bëjë kritik ndaj kritikës kur e quan Lasgush Poradecin se nuk është poet, dmth. Dichter Vates, Profet etj.
Maloki e quan Lasgushin “Monovalent, që ka vepruar përveçse në fushën e poezisë, që nuk i është përveshur asnjëherë problemeve të shumta vitale të “jetës tonë kombëtare”. Kuteli thotë se poetët në përgjithësi nga Homeri e këtej janë monovalent, vetëm poet. Nuk ka shumë rëndësi sasia e poezive të shkruara. Vetëm me një vjershë si “Demoni” poeti rus Mihail Leitmontov është poet, më i madh sesa Aleksandër Bloku me poemat “Të Dymbëdhjetët” dhe “Vjollca e Natës”. Kuantiteti (cilësia), jo kuantiteti (vijimësia) është zoti i Poezisë. Poezia duhet të jetë gjithmonë intuitive, Poezia logjike është e atyre që ka shpikur “Poezinë e planifikuar”, prandaj shprehet Mitrushi “jam kundër Majakovskit”. Verlaine-i që e quan Poezinë “De la musique avant toute chese” do t’i kish thënë: mjafton. Kjo është Poezija!Gjithashtu, një frëng, Jouffray, (vështro: Larousse) pat thënë: “La poésie lyrique est toute la poésie. Le reste n’est que la forme”.Lasgushi është lirik i madh por detraktori e quan “morbid, romantik, femeror” dhe meqë qënka kështu hajt ta varim në litar Leopardin, Alfred de Musset-n, Lenau-n, Heine-n, Poe-n, Eminescu-n, Rilke-n e mbase edhe Goethe-n (se shkrojti Ëerther-in!) dhe në vend të tyre të ngrejmë statujën e poetëve me mustaqe dhe jatagane. Ka dhe një detraktor tjetër Arshi Pipa, “djalë me talent letrar dhe kulturë, por tepër i ngutur për të zënë një vend, të cilin mund ta zërë vetëm me 40 e kusur vjet”. Ky kritik me ton daskalik e konsideron Fan Nolin një letrar, të ditur, “por jo poet”. Dhe Noli ashtu si Lasgushi e ka në vehtvete “fluidin lirik”. Një vlerë e tillë është edhe tek “Balladat e Burgut” të Reading-ut, “Elegjia e robit”, “Korbi”, “Tranvaji i arratisur” dhe në vepra të tjera të shkruar nga poet, të frymëzuar si Oscar Wilde-s, Andre Chenier-jt, Edgar Poe-s, Gumilov, etj. Kuteli e mbron poezinë e Fan Nolit pikërisht për të mbrojtur poezinë e Lasgushit.