Nga Alket Aliu
PROFIL/ Për herë të parë hidhet dritë mbi krijimtarinë poetike të mjeshtres së skenës dhe ekranit, e cila u nda para pak kohësh nga jeta, pas një beteje të gjatë për ta fituar atë
Një mjeshtre e madhe e skenës dhe ekranit, e cila zhvilloi një luftë të gjatë deri në momentin e fundit për jetën, pa mundur ta fitojë do anë tjetër të panjohur të saj: Poezinë! Ajo diti që fjalën e shpirtit ta përcillte edhe ndryshe, jo vetëm duke interpretuar, por edhe duke e skalitur mendimin e saj në vargje. Tematika sociale është brumi i poetikës së saj, mbështjellë me petkun e brengave prej pamundësive. Përmes poezive të saj, ajo diti të shpërfaqë një botë e pasur në vargje, e cila ushqehet me dlirësi ndjenjash e mendimesh…
Nga Valentina Dafa
Ndërsa prilli troket, më vjen në mendje, përmes kujtimesh,t atë. Fjala është për Hajrie Rondon, këtë aktore të dashur për të gjithë, e cila ka patur edhe një poezia e Odise Goros që e paharruara, mjeshtrja e skenës, mikja Hajrie Rondo e ktheu në himn. Një himn poetik ky, i cili shoqërohet në kujtesë me tingëllimën e gjallë të zërit të saj.
“Më lindi nëna,
rreth vatrës zjarrndriçuar,
përreth ishte errësirë,
në terr e qara ime u dëgjua.
Në këmbë u ngrit një ditë mugëtirë,
por diellin në sy ma la të shkruar,
Me dritën do të vdes e dashuruar…”
Me dritën e saj, me dashurinë e saj dhe të të gjithë aktorëve, magjia e madhe e ekranit të vogël na ka mbërthyer para tij me orë të tëra, jo vetëm në fëmijëri, por në gjithë vazhdimësinë e jetës. Thellë në kujtesën tonë ngulitëm nga ekrani portretet e aktorëve, nga të cilët mësuam shumë dhe përjetuam histori të epokave të ndryshme, histori njerëzore, që shumë herë ishin histori të jetuara përreth të përditshmes sonë. Mbeteshim në heshtje e të mahnitur, duke i admiruar aktorët me shpresën dhe dëshirën e madhe për të qenë një ditë pranë tyre, apo duke nxitur ëndrrat edhe më tej, për t`u bërë një ditë si ata.
Ndoshta jo gjithkujt i jepet kjo mundësi, ky fat. Vite më vonë, unë e pata këtë fat. Udha ime e krijimtarisë më kryqëzohej shpesh me aktorët e qytetit tim, ndërsa në rastet e festivaleve të teatrove apo eventeve mbarëkombëtare, më binte të takohesha me aktorë nga gjitha trevat shqipfolëse. Ndieja se tek unë, kishte ardhur një tjetër kohë, koha e arsyes. Tashmë, duke i patur aq pranë aktorët, ulur me ta, duke diskutuar me thjeshtësi problematikat e jetës së përditshme, kuptoja se isha rritur për të gjykuar njësoj si ata. Në sjelljen tërë politesë, vëreja se jeta e tyre ecte paralel me gjithë rolet që ata i mbartnin me vete edhe në ecjen e tyre të lirë në trotuaret e qytetit, ku ndiqeshin (ndiqen) e përshëndeteshin (përshëndeten) nga kalimtarët me buzëqeshje dashamirësie, apo me ndonjë batutë pikante nga rolet që padyshim priteshin me lirshmëri dhe origjinalitetin që i karakterizon vetë ata, duke depërtuar edhe më shumë në kënaqësitë njerëzore. Pata fatin që për shumë kohë të isha mikja e aktores së mirënjohur, mjeshtres së skenës Hajrie Rondo me të cilën ndaja kafen pothuaj çdo ditë. Hajria me thjeshtësinë e saj të krijonte klimë substanciale në çdo kohë. Me mendimin e saj të nxiste në përfshirjen e diskutimeve, të bënte të ndiheshe e plotë pa kurrfarë pengese për të dhënë mendimin tënd të drejtpërdrejtë, sikurse bënte ajo.
Aktorja e karaktereve që kishte dhënë aq shumë nëpërmjet roleve, jepte edhe më shumë drejtpërdrejt në shoqëri me praninë e saj, me fjalën e saj që ishte si një kurim social. Koha e kafes me të ishte terapi përmes artit. Interpretonte me shpirt Kiplingun, “Në mundsh”, poezi të Odise Goros nga vendlindja e saj, apo të autoreve fierakë, me të cilët ndante shpesh mendimet për artin në tërësi.
Ajo diti që fjalën e shpirtit ta përcillte edhe ndryshe, jo vetëm duke interpretuar, por edhe duke e skalitur mendimin e saj në vargje. Krijimtaria poetike e Hajrie Rondos, na vinte shpesh me ngjyrën e zërit të saj në rrethet e ngushta miqësore, apo në veprimtaritë e art-kulturës, na vinte ashtu e grimcuar, e paplotë, por me mesazhe të qarta. Reflekset e shpirtit dhe mendjes së saj që ajo artikuloi artistikisht në lirika, kanë frymë familjare- shoqërore, ndërsa prek pak edhe lirikën e natyrës.
Tematika sociale është brumi i poetikës së saj. Ajo ka një shtrirje lineare, të mpleksur me prurjet e së përditshmes në tranzicion, ku derdhen lirshëm bukuria e krenaria, e mbështjellë me petkun e brengave prej pamundësive. Gjithsesi, shpërfaqet një botë e pasur në vargje, që ushqehet me dlirësi ndjenjash dhe mendimesh.
Tek poezia “ Malli për kujtimet” ajo bën apologjinë e jetës së saj të detajuar me kujdes, duke lidhur nyjet kyçe të rritjes me gjithë përshkrimet e elementëve që marrin ngjyrime emocionale dhe janë tregues të moshës e të kushteve social-ekonomike, jo vetëm të familjes së saj, por janë shprehje të mbarë realitetit shqiptar, të kohës në të cilën ajo jetoi.
“Në këmbën e mardhur nga thellim i dimrit,
kurrë s`provova këpucë lëkure,
mbi trupin e brishtë një këmishë të bardhë,
e larë me finjë ajo këmishë pëlhure.
***
Rreth oxhakut në netët e ftohta të dimrit,
ku zjarri me kucurra ngrohte gjithë shtëpinë,
etër e fëmijë në një ansambël të vogël,
me këngë dhe humor trembnim urinë”.
Shkëputa vetëm këto dy strofa nga poezia “Malli për kujtimet”, që vjen aq e plotë, me një gjuhë të thjeshtë e figuracion mjaft të pasur, me klithje të heshtura që përcjellin ngarkesë emocionale progresive. Veç mesazhit në poezinë e saj, Hajria ka përfshirë edhe elementët e mënyrës së jetesës së traditës shqiptare, si p.sh: larja me finjë e rrobave, apo mbledhja e familjes rreth oxhakut në mbrëmjet e ftohta të dimrit, tradita e përcjelljes së këngës në brezni, ndërkohë është dhe përcjellja e dashurisë brenda familjes me të cilën sfidohej uria, jeta e vështirë.
Lirikat familjare vijnë me poezinë “ Bashkë”, kushtuar motrave e vëllait; “Ata të dy”, një përkushtim për Kiçon, bashkëshortin e saj; “Krijesa”, kushtuar Kleas, në momentin e daljes së parë në skenë; “Dy pika lot”, (në 90-të vjetorin e lindjes së nënës që nuk jeton më); “Ditën e lamtumirës”, në ikjen e nënës; “Si një motër”, kushtuar mikes së saj, Sabri që iu gjend natë e ditë, në gëzime dhe në ditët e vështira etj.
Lirikat e Hajries enden brenda oborrit shtëpiak me dashurinë e bijës, të motrës, të gruas e të nënës, me një dashuri të pashoqe.
Ndërsa në lirikat shoqërore ndihet një revoltë e dukshme kundër padrejtësive, apo veseve që ngërthejnë shoqërinë. Ajo është shumë e ashpër dhe godet me fjalën e saj gjithë shtresat e shoqërisë, këto të detajuara në poezitë “Sytë e banakieres”, “Xhiro burrash”, “Snobizëm”, “Qytet mashkullor” etj.
“Gjithë ditën tymosin “Slims”,
si femra haremi kërthizat harbuar,
mbi takat e holla dy shalë të holla,
si shkopinj xhazi nën xhinse shtrënguar”.
A nuk janë këto vargje një shuplakë për vajzat e reja, apo për gjithë brezin e ri që rritet me frymë negative, duke e parë jetën në mënyrë sipërfaqësore? Lirika e natyrës është impresion dhe kënaqësi që shprehet me mozaikun, bukurinë e kolorin e stinës së artë që Hajria e përcjell në poezinë “Vjeshta”.
“Eci dhe shkel mbi gjethet kuq e verdhë,
ditëmëngjesin vesuar pas shiut vjeshtor,
në do të mundja të kisha shok penelin,
nga ngjyrat e Van Gogut s`do të hiqja dorë”.
Kurse lirika e dashurisë jepet në ndërthurje të lirikës familjare. “Ata të dy”, “E thëna dhe e pathëna” etj.
“Ata të dy bashkë plot jetë,
në xhiron tradicionale harruar
si dy të rinj malluar mall,
si dy të rinj rishtas dashuruar”.
***
“E thënë me mendje e thënë pa fjalë,
e thënë pa zë, e thënë me sy,
e thënë pa tinguj, e thënë në heshtje,
e thënë buzëqeshur plot ngrohtësi”.
“Sfida” është një poezi që shpreh karakterin e saj të fortë, por ndërkohë edhe brishtësinë e botës së brendshme shpirtërore. Ajo diti të sfidojë me dinjitet, sipas mënyrës së saj papërshtatshmërinë e mjedisit social, ku jetoi. E të largohet po me dinjitet, duke na lënë pas zërin e saj me vargjet e himnizuara të autorit të vendlindjes, Odise Goros:
“…por diellin në sy ma la të shkruar
Me dritën do të vdes e dashuruar…”.
Hajrie Rondo shkoi e dashuruar me dritën e jetës, duke na lënë të dritëzuar punën e saj, artin e saj.
“Malli për kujtimet”
Qyteti im i vogël e i madh,
ku dritës i thashë mirëmëngjesi
ku kam lindur,
ku çdo kujtim, gurë, sokak e mal
Me shpirtin tim pandarësisht lidhur.
***
Nga uji i Vrizit piva e u ngopa,
buruar kristal nga hijerëndi Sopot,
nga kodrat, lëndinat e pemët e paqes,
thitha ajrin e tyre e bukurinë magjiplotë.
***
Këtu pasuritë janë ulur këmbëkryq,
këtu bukuria nusëron bukurisht,
o qytetarët e mi, paqësorë e humorplotë,
që jetën e jetoni vetëm mençurish.
***
E vogël brodha në arën me misër,
ku humba aq herë dhe nënën e tremba,
ku çorra kërcitë e grisa këmishën,
nga këmbët e njoma sa herë nxora gjemba.
***
Në këmbën e mardhur nga thellim i dimrit,
kurrë s`provova këpucë lëkure,
mbi trupin e brishtë një këmishë të bardhë,
e larë me finjë ajo këmishë pëlhure.
***
Me shoqet u ngjita në mal për shkarpa,
gjunjët gjakosëm e fustani na u gris,
mblodhëm sherebelë e lule trëndelinë,
me kokrrat e sqindës buzët i bëmë pis.
***
Lules së lofatës i thithëm nektarin,
hëngrëm kokrra aguridhe manaferre,
kutitë me manxuranë ujitëm në dritare
lyem sofat e potone me gëlqere.
***
Fëmijëria ime s`kish` kukulla e kompjutera,
as hapësira me plot dritë,
as rroba firmato e ADIDAS,
nën tymin e llampës mësoja poezitë.
***
Në çantën prej rrobe të qepur nga nëna,
s`mbaja çamçakëzë e hamburger,
po penën prej shtogu e librezën me dhjeta,
edhe pse shumë herë nisesha pa bukë.
***
Lodrat e mia ishin këngët e valët,
çarçafët e shtëpisë bëmë sipar,
nën pemën e mënit bëmë teatër fëmijësh,
nën hijen e mënit preka ëndrrën e parë.
***
Sa herë u harrova në magjinë e ekranit,
në kinemanë mbuluar me llamarinë,
shumë herë hyra hajdutçe e shumë herë pa biletë
sa herë e lutëm teta Margalinën.
***
Rreth oxhakut në netët e ftohta të dimrit,
ku zjarri me kucurra ngrohte gjithë shtëpinë,
etër e fëmijë në një ansambël të vogël,
me këngë e humor trembnim urinë.
***
U largova një ditë me kokën pas,
si mëz i rritur i shkëputur nga gjiri,
me mallin për ty jetova çdo çast,
si prush i ndezur mbuluar nga hiri.
***
Kudo shtegtuam ne bijtë e tu,
kudo rrezatuam tolerancë e dashuri,
ambasadorë t`u bëmë o qyteti Mëmë,
tek ty sa herë u kthyem me nder e lavdi!