Pirro Milkani: Pragë 1956, një rrëfim nga “Hoteli Pokrok”

0

 

 

Fatmira NIKOLLI

Hotel Pokrok, Pragë, 1956. Një student rrëfen jetën brenda një hoteli të vogël ku administrata pret me ankth vizitën e një revizori. Në derë ia behin dy burra të cilëve u jepet dhoma më e mirë. Ngjarjet, mes të qeshurash, vënë në lojë jetën e një dite në Pragën gri të ish-Lindjes. 60 vjet më vonë “Hotel Pokrok” vjen në atdheun e krijuesit. Krijuesi, nuk është më.

Ka qenë puna e tij e parë, fëmija i tij i parë, por edhe amaneti i tij i fundit. Pirro Milkani, rrëfen për “Gazeta Shqiptare” se “Hotel Pokrok” ka qenë pengu i panjohur i Hakanit.
Në të kanë interpretuar Jirí Sovák, Vlastimil Brodský, Josef Beyvl dhe V. Herainová. Me muzikë të Jan Malý, filmi pat mbetur atje, si kujtimet e fiksuara në kohë, si pengu i lirisë dhe i rinisë, që fshihej e zbehej me kthimin në atdhe, një kthim që u bë pothuaj ngujim.

“Hotel Pokrok”, një film me metrazh të shkurtër, qe realizuar nga regjisori Hakani kur përfundoi studimet. Shfaqja e filmit të marrë nga Praga, ka qenë një kujtesë e kineastëve për kolegun. “Një pasdite me regjisorin Hysen Hakani”, ceremonia përkujtimore e mbajtur në Muzeun Historik Kombëtar pak ditë më parë rimblodhi regjisorët Kristaq Dhamo e Muharrem Fejzo, piktorët Ksenofon Dilo, Grigor Ikonomi e Haziz Karalliu.

 

Historia e “Hotel Pokrok” pati zënë fill në një rini të shkuar në rrugët e Pragës. U tha se “Hotel Pokrok” padyshim ishte si një ogur i mirë, guri i parë i themelit jo vetëm të krijimtarisë së tij personale, por dhe për gjithë kinemanë shqiptare, e cila në ato vite sapo kishte filluar të merrte jetë. Për shkak të kontributit të tij të hershëm, Hysen Hakani është cilësuar dhe si Pionier i Kinematografisë Shqiptare, ndërsa “Hotel Pokrok” mbetet të jetë “fëmija e parë” e këtij pionieri.

Për 61 vite me radhë “Hotel Pokrok” ka qenë pjesë e arkivit në Akademinë e Filmit në Pragë, por tanimë ai u shfaq edhe për spektatorin shqiptar. Regjisori Pirro Milkani rrëfeu se sjellja e filmit të parë të Hysen Hakanit në Shqipëri nuk ishte fort e lehtë, sepse gjithsesi, udhëtimi nga Praga në Tiranë ka dashur kohën e vet, por ky amanet i regjisorit shqiptar arriti të përmbushej. Filmi “Hotel Pokrok” iu dorëzua drejtoreshës së Arkivit, Elvira Diamanti.

 

Udhëtimi i një amaneti

Ishte shkurti i vitit 2012, kur në Arkivin e Filmit në Pragë u bë një panoramë e filmit artistik shqiptar. Pirro Milkani, thotë për GSH se u shfaqen 5 filma të fundit shqiptar, mes të cilëve edhe “Trishtimi i zonjës Shnajder”. “Një mëngjes drejtori i Arkivit, më priti në zyrë për të folur për aktivitetin. Teksa ishim para filxhanit të çajit më dhuroi një libër të madh me titull “Kinemaja çeko-sllovake 1945-1960”, ku kish çdo lloj krijimi artistik e dokumentar.

“Përfshiheshin edhe ato të studentëve të Fakultetit të Filmit pranë Akademisë së Arteve në Pragë”, thotë Milkani. Rrëfen se kur e solli librin në Shqipëri, Hakani nuk e mori vesh, sepse ishte i sëmurë. “Hotel Pokrok është komedi fine me skenar e regji të Hysen Hakanit. Është një film 10 minutash me cilësi perfekte bardhezi, xhiruar në film 35 mm. Çdo prodhim i Fakultetit të Filmit dorëzohej një kopje negativ e pozitiv”, thotë Milkani.

 

Regjisori i njohur shton se amaneti i Hakanait ishte që filmi të shfaqej dhe amaneti u plotësua. “Duke pasur të dhëna të sakta për të e kërkova filmin në arkiv, bëra edhe një deklaratë ndershmërie që s’do përdoret për qëllime komerciale dhe ma dhanë. Është nga të paktët studentë që u diplomua në Pragë. Ishte prodhim i vitit 1956 dhe 61 vjet me vonë pa dritën e ekranit në ceremoninë përkujtimore.

Është një film i mirë, jo vetëm nga ngjarja e subjekti, por edhe nga aktorët që interpretojnë në të. Janë aktorët më të mirë të filmit e teatrit çek dhe kjo është meritë e Hakanit”, tha për “GSH” Milkani. Falë këtij punimi, fakulteti i dha Hakanit 3 km film, ai erdhi në Shqipëri e xhiroi “Fëmijët e saj” me Marie Logorecin. Me Hysen Hakanin dhe Kristaq Dhamon, u krijua bindja se në Shqipëri mund të bëhen filma artistikë./GSH.AL/

 

 

SHARE

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here