Pianistja që u bë aktore! (Ermira Zyrakja-Lefort tregon si iu besua roli i Vjosanës, në filmin artistik “Eja”)

0

 

Ekskluzive per Aktoret Shqiptare

 

Më kujtohet se ishim në shtëpinë e një regjizori të mirënjohur të Kinostudios. Kaluam një mbrëmje të bukur në miqësi studentore me muzikë dhe bëmë disa fotografi… Mbas disa kohësh regjizori Piro Milkani sheh rastësisht fotot tona (të gjithë studentë asokohe). Më shikon dhe mua në foto dhe pyet kush është kjo vajzë? I thonë që është studente për piano. I isha dukur nje portret i përshtatshëm për rolin protagonist të filmit të tij të ardhshëm. Plus ekspresivitetit të portretit, siç u pa dhe më vonë, kisha ngjashmëri me aktoren Drita Nikolla, që do luante rolin e nënës sime në filmin artistik “Eja”.

 

Një ditë, Bebi Milkani, bashkshortja e Piro Milkanit (pedagoge e shquar e pianos në Konservator) vjen e më thotë se më kërkonin të bëja kinoprova për rolin e një filmi. – Unë nuk jam dhe nuk studjoj për aktore – u përgjigja e habitur. Mbasi më tha që ishte një kënaqesi të luaja në një film artistik e duke parë hezitimin tim, shtoi: –Po bëje një herë casting-un se nuk është e sigurt nëse do e marrësh ti rolin kryesor. Pranova për respekt… Plus që akoma nuk kisha biseduar me familjen.

 

Në filmat e fundit e të suksesshëm të Piro Milkanit, nuk ishte hera e parë që ai u jepte role protagonistësh, të rinjve e personave jo domosdoshmërisht të fakultetit të aktrimit… Mbas kinoprovave, më lajmëruan se isha e përzgjedhur për rolin protagonist të Vjosanës, se kisha ekspresivitetin e duhur e natyrën sa të përmbajtur, por dhe aq të vendosur, siç ishte dhe karakteri i rolit të Vjosanës.

Më kërkonin të filloja xhirimet. Kur bisedova në familje, ata nuk ishin dakort, për arsye që do mungoja nga studimet e pianos dhe se xhirimet do bëheshin në 3 qytete të ndryshme Tiranë, Krujë e Librazhd, me javë e muaj… Pastaj një ditë erdhën në shtëpi regjizori bashkë me një mik të familjes, që prindërit e mi e donin dhe e respektonin shumë, Vath Koreshin.

 

Mbasi u bisedua për skenarin me detaje, sigurisht lidhja e 2 të dashuruarve në film i preukuponte me shumë si dhe sa ekspozohesha në këtë lidhje dashurore në film… (tabutë e kohës dihen). Familja ime pranoi të luaja në këtë film. Filluan xhirimet… Sinqerisht interpretoja natyrshëm në zë, gjestikulacion e lëvizje… Isha thjesht unë domethënë… dhe po të doja, nuk dija të bëja ndryshe. Kujtoj që skena ku duhej të qaja, zgjati shumë kohë, se nuk më vinte të qaja… Kërkoja artifice nuk pranonin, duhet të qash vërtet më thonin… Më linin vetëm, ekipi priste e unë prisja lotët duke u futur gjithnjë e më shumë në situatën e vajzës që kishte gjetur nënën në film…, por sigurisht u lodha nga pritja.

 

Më vinte keq për gjithë ekipin që priste e lotët më dolën dhe për këtë e dëgjoj kameran që më filmoi mes lotëve e zërit të mekur paksa. Vetëm një sekuencë u bë dhe rezultoi e sukseshme. Ja pra pse regjizori me durimin dhe këmbënguljen e tij, donte xhirime reale. Filmi rezultoi i suksesshëm në radhë të parë nga tematika speciale që kishte.

Flitej për një vajzë të lindur jashtë martese dhe e dërguar në jetimore. Sallat e kinemave në çdo qytet mbusheshin deri në ditët e fundit të planifikuara për këtë film. Kaloja me nxitim para reklamave të filmit “Eja” duke shkuar në universitet, më ndalonin njerës të moshave të ndryshme për të bërë foto me mua (sigurisht duhej dhe të spostohesha aty ku ishte fotografi mbas monumentit të Skënderbeut.

 

Tani bashkëshorti im dhe vajzat i japin sensacionin që i takon këtij filmi, sigurisht duke u mburrur paksa. Bëra dhe një film me metrazh të shkurtë me Akademinë e Filmit këtu në Gjenevë me titullin “Ëelcome to Paradise”…, që më rizgjoi kujtime të bukura e mbresëlënëse sikurse xhiroja atëherë filmin “Eja”. Mes muzikës, pedagogjisë, koncerteve e familjes, nuk më mbetet shumë kohë për xhirime e udhëtime, për të bërë një tjetër film…. megjithëse “kurrë nuk thuhet kurrë”.

 

Më ka qëlluar ta shoh filmin me nostalgji kur shkoj në Shqipëri, në kanalet shqiptare kur ritransmetohet, ashtu si dhe kur shpeshherë kalimtarë të panjohur për mua, mendojnë se njihemi dhe unë i kujtoj që mendojnë se më njohin, por njohin Vjosanën e rolit. Por një gjë është e sigurtë, që ishte dhe është një kënaqësi e nostalgj, që në jetën time personale e artistike, kam një kujtim të vyer, Artin e Shtatë që është Kinematografia.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

SHARE

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here