Nuk ka shqiptar që nuk e njeh e nuk e do figurën e Pandi Raidhit. Kanë kaluar afërsisht 20 vite që kur ky “artist i popullit” është ndarë nga jeta duke lënë pas, qindra personazhe të cilat dhe sot kur i shohim arrijnë të sjellin brenda nesh atmosferën e gjallë të atyre viteve, me halle por edhe me humor.
Pandi ishte komik por edhe dramatik, një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë, i cili nuk e hiqte kurrë atë sensin e hollë të humorit nga buza dhe e vishte me batuta që shpesh ishin edhe të tijat. Rolet e tij në “Yjet e netëve të gjata”, “Përballimi”, “Krevati i Perandorit”, “Zonja nga Qyteti”, “Beni ecën vetë” etj mbetën të paharrueshëm.
Mbi të gjitha, Pandi shkëlqeu në një film të Dhimitër Anagnostit të quajtur “Monumenti”, jo shumë i njohur nga publiku i gjerë për shkak të metrazhit të shkurtër. I gjithë filmi ishte një interpretim mjeshtëror dhe shumë i ndryshëm nga role të tjera të tij. Por ishte edhe një nga rastet e para të një monologu tragjikomik në film.
Ai lindi në qytetin e Korçës, më 14 prill të vitit 1921, ku kaloi një fëmijëri të lumtur dhe do të ishte pjesë e luftës Nacional Çlirimtare pas shkollës së mesme. Jeta e tij prej artisti të lindur do të niste më 1937. Një prej atyre aktorëve të rrallë që e jetoi epokën e mirëkuptimit nga opinion publik. Mbi 200 role interpretuar në gjysmë shekulli karrierë. Ishte nga aktorët themelues të Estrades Profesioniste të Korçës me shfaqjen “Agimi”, gjithashtu aktor themelues i teatrit “A.Z. Cajupi”, më 1951.
Si aktor komik “i lindur”, me një lirshmëri e gjendje emocionale të natyrshme, i prirur vetiu nga satira dhe humori, Pandi Raidhi u bë i parapëlqyer në Teatrin e Korçës për interpretimin e shumë figurave në komediografia shqiptare, sidomos ajo botërore, ku veçohen Argani tek “I sëmuri për mend” e Molierit më 1995, Volpone te “Volpone” e Ben Xhonsonit më 1957, Sganareli te “Doktor Padashka” e Molierit më 1958, Arlekini te “Gënjeshtari” e Gogolit më 1959.
Veçanërisht u bë i dukshëm talenti i tij me interpretimin e rolit të xha Kasemit në dramatizimin e romanit Këneta të Fatmir Gjatës më 1963 dhe në filmin “Vitet e para” më 1965, me te cilin ai ishte një fshatar tipik shqiptar i jugut, babaxhan, plot humor, thumba, ngacmime e ojna, i dashur e i sinqertë, që krijonte atmosferë e hare në skenë.
Aktori u mëshoi elementëve popullorë në mënyrën e sjelljes, të folurës, veshjes, portretit, deri edhe hollësive të pirjes së duhanit etj,. që gjetën mishërimin e tyre origjinal falë zgjedhjes së një protipi fshatari me taban nga anët e Devollit, sa të mënçur aq dhe ironik, njeri i cili, sipas vetë aktorit, nuk e hiqte nga goja thumbin, kurse në buzë i lulëzonte e qeshura dhe shakaja. Në vitin 1964 jetësoi një tjetër rol nga më mbresëlënësit në karrierën e tij artistike, atë të Thanasit në dramën “Hijet e natës” e Vedat Kokones.
Përmes një loje e humori brilant, me të folurën e veçantë, ritimin e lartë dhe plastikën karakterizuese, Pandi Raidhi skaliti njeriun në panik, finok, pa personalitet të qartë, që shkon nga fryn era, veshngritur, në pritje të ndryshimit politik të kohës, i pasigurtë dhe i tmerruar nga lufta dhe pushteti i dhunshëm që po vinte. Me nurin komik që e dallonte dhe ngulmin për të ravijëzuar karaktere të besueshme, me plastikën e zhdërvjelltë dhe të folurën fshatarake, Pandi Raidhi realizoi figura artistikisht të bukura e të pëlqyera gjerësisht nga shikuesit e kategorive të ndryshme.
Me xha Bakon në komedinë “Zonja nga qyteti” e Ruzhdi Pulahës më 1975, si dhe në filmin me të njëjtin titull më 1976, me të cilin fitoi Medaljonin e Festivalit, ai vijoi gdhendjen mjeshtërore të tipit të fshatarit shqiptar, njeriut të mençur, ironik, shpotitës, që e ka ngacmimin pjesë të qënies së tij kritike por që, nga ana tjetër, dëshmon edhe një dashuri e nderim të thellë për punën, jetën, njeriun, progresin.
Luajti mbi 150 role të ndryshme në drame dhe komedi, si dhe në opereta, duke ravijëzuar gjithmonë tipa e karaktere të spikatur. Në këtë hulli u trajtuan edhe rreth 36 figura të tjera, të interpretuara prej tij në kinematografi, kryesisht role karakteresh. Pandi Raidhi shquhet nga nje aktrim i vërtetë, thuajse natyral, si i gjendur ashtu ne jete, i drejtpërdrejtë dhe i mëvetësishëm, derisa edhe vete konvencioni teatror duket sikur sfidohet e “harrohet”.
Bie ne sy përshtatshmëria e tij e madhe ndaj gjendjes emocionale te figurës, sikurse humori fin, i atypëratyshëm, i çlirët, reagimet e shpenguara e spontane. E tera e tij ngjason me një arketip shqiptar, si i shkulur nga toka, etnia, historia, shpirti, psikologjia dhe mjedisi shqiptar.
Donika, vajza e tij kujton se Pandi Raidhi ishte një prind mjaft i dashur që nuk i qortoi asnjëherë fëmijët. Largimet e shpeshta për xhirime, e bënin ti donte edhe më shumë fëmijët; djalin Gjergji dhe vajzën Donika. “Kishte shumë dëshirë të na merte kur xhirohej ndonjë film. Ne nuk mungonim në shesh xhirimet e filmave që xhiroheshin në Korçë” kujton e bija.
Për meritat e tij artistike, aktori Pandi Raidhi u nderua, në vitin 1975 me titullin e lartë “Artist i Popullit”. Gjithashtu, në nder të tij, Bashkia e Tiranës i ka dhënë një prej rrugëve të Tiranës, emrin e tij. Batutat e famshme: “Qeveria, lepurin e kap, por jo ujkun. Ai kushedi se ku bredh me kalë”, “Nga na ngjave kështu, o i biri Shemes’’, “U qerua qytetit dhe nga një bajgë’’, ‘”Mos qaj, o bir, mos qaj, se nuk i dilet me të qara’’.(AFP.al)