Keti Bashhysa u rikthye para publikut me guximin për të treguar publikisht sekretet e femrave, ndërthurur me nota humori, ironie e sarkazme. E ndjerë ishte dhe hapësira e sensibilizimit për fëmijët autikë.
“Coctail sekretesh”, kështu ka preferuar ta titullojë këtë herë gjithë çka përgatitur me aq dashuri dhe që në tërësinë e saj përmbledh një punë fine në bashkëpunim me artistët më në zë të momentit si; piktori dhe grafisti i mirënjohur, Avni Delvina, poetja me shumë çmime ndërkombëtare Irma Kurti, koreografi Aldo Aliaj dhe Mariola Poro.
“Përveçse tregoj sekretet e femrave në Stand-Up, shkruar nga Mariola Poro, repertori muzikal ishte fantastik, poezitë e Irma Kurtit ishin aq të ndjera, skenografia e Avni Delvines plot larmi dhe dritë, koreografia e Aldo Aliaj e mrekullueshme… dhe plot surpriza!”. “Po aq e ndjerë ishte dhe hapësira e sensibilizimit për fëmijët autikë. Punë kjo e videographer Fati Hoxha dhe numrit të baletit prej 30 fëmijësh. Dashuri, ngjyra, emocion, të qeshura pafund, mesazh”, dhuroi ajo.
E në fakt, duke iu referuar shfaqjeve që Keti Bashhysa ka dhënë ndër vite për publikun shqiptar, emocionet dhe mesazhet janë padiskutim të përfshira në paketën e artit që ajo bën. Spektakli, i cili erdhi në formatin e “One Woman show” në Teatrin e Durrësit “Aleksander Moisiu” guxoi të rrëfejë publikisht sekretet e femrave, ndërthurur me nota humori, ironie e sarkazme siç vetëm Bashhysa di të sjellë.
Keti Bashhysa: “Mesazhi ishte si fillim argëtues, që të dalim pak nga rutina e përditshme e mërzitshme, ishte për të mos kaluar në feminizmin histerik, çdo gjë me masë. Ishte edhe për fëmijët autikë.” Një ngjarje artistike jo e zakontë, por me mesazhe të forta që mori duatrokitje e vlerësime nga publiku.