Sot, më 27 Mars, 2018, në kujtim të 87 vjetorit të lindjes dhe, njëkohësisht, 23 vjetorit të vdekjes së Artistit të Popullit:
PJETËR GACI
27 Mars, 1931 – 27 Mars, 1995
Nga Pierre-Pandeli Simsia
“Artisti nuk vdes”
Sa herë e lexoj këtë poezi të bukur, të arrirë, të shkruar me ndjenjë, që bashkëshortja Tamara Gaci Kudrickaja ia dedikon bashkëshortit të saj të ndjerë, Pjetër Gaci, Artist i Popullit, përveç kënaqësisë që ndjej, kujtimet më ngacmojnë mallin, më shtojnë nostalgjinë, më çojnë në vitin e largët 1984, atëkohë 24 vjeçar ku unë do kaloja një pjesë të jetës sime të jetoja në Shkodër, në atë qytet shumë të dashur për mua, qytet i vjetër, i bukur i kulturuar, mikpritës, qyteti ku, mbresat dhe kujtimet e paharuara nga ai qytet dhe nga qytetarët e shkëlqyer shkodranë, më kanë shoqëruar gjithë jetën.
Edhe pse kanë kaluar shumë vite që nga ajo kohë, unë vazhdoj akoma të mbaj lidhje miqësie me disa prej miqve shkodranë. Atëkohë, unë isha në kurs shkollë dy vjeçare, studjoja për dekorator, shkollë që quhej: “SHKOLLA E MINISTRISË SË TREGËTISË SË BRENDËSHME”.
Kujtoj me shumë mall dhe nostalgji ish shokët dhe shoqet e mija të shkollës, ata njerëz të mrekullueshëm që, edhe pas shumë vitesh, emrat e tyre i ruaj në kujtesë: Ornela Deliallisi Gjylbegaj nga Elbasani, Xhilda Jolldashi nga Elbasani, Adnan Çano nga Shkodra, Hatixhe Zaganjori nga Shkodra, Kadri Kopliku nga Shkodra, Arben Fatkoja nga Shkodra, Valbona Lame nga Lezha, Afërdita Dido nga Mamurasi, Shkëlqim Muça nga Peshkopia, Themistokli Laska nga Piqerasi, Sarandë, Arben Stavre nga Kavaja, Gjovalin Dushaj nga Fushë Arëzi… si edhe mësueset e mrekullueshme: Nermin Mehmeti drejtore e shkollës, Liri Behri nga Berati martuar në Shkodër, nëndrejtoreshë, bashkëshortja e gazetarit Zija Behri, Ikbal (Lola) Ceka, Muharem Pirani, guzhinieren gojëmbël me të gjithë që na gjendej pranë si nëna jonë e mrekullueshmja Aishe Çoku, Franci, piktor, anëtar i komisionit të projektuesve të Muzeut Kombëtar, Tiranë, që e kundërshtoi me forcë ndërtimin e muzeut në qendrën e kryeqytetit, por që nuk e morën në konsideratë mendimin e tij. Sepse, sipas tij, qendra duhet të jetë e ndriçuar edhe në orët e vona të natës. Ndërsa një muze i tillë, do ta bënte më të zymtë qendrën e kryeqytetit. Kujtoj punonjëset e shkollës: Fitneti, Ylfeten, etj. Dhe, midis shumë kujtimeve të bukura e të paharuar nga jeta në Shkodër, po shkëpus, njohja me Artistin e Popullit, Pjetër Gaci.
Shkolla jonë ndodhej në qendër të Shkodrës, pothuajse prapa Kafes së Madhe, në rrugën përballë ish dyqanit DHURATA, pranë Shtëpisë së Kulturës, pranë Kullës së Gjon Markagjonit. (Shkodranët e njohin shumë mirë vendin). Drejtoresha e shkollës na njoftoi se, atë mbasdite mesdhjetori do shkonim në Shtëpinë e Kulturës, takim me artistët shkodranë. (Aktivitetet jashtëshkollore në atë kohë ishin të shumta).
Shkuam në sallën e madhe të Shtëpisë së Kulturës; zumë vend në karriget e sallës dhe prisnim takimin me artistët shkodranë. Në një kënd të sallës, ishte një piano e madhe. Në mes të qetësisë që zotëronte në sallë, ku dëgjoheshin zërat e nxënësve tek flisnin me zë të ulët me njëri tjetrin, unë çohem nga karrigia ku rija ulur dhe eca drejt pianos. U ula; përpara kisha tastierën e pianos.
Duke qenë njohës dhe interpretues i instrumentit trombë, mbaja mend dhe akoma vazhdoj të mbaj mend vijët melodike me nota muzikore të disa këngëve të muzikës së lehtë shqiptare.
Për një çast, më erdhi në mendja vija melodike e këngës: “Kur jemi bashkë të dy” kënduar në Festivalin e 19-të të Këngës në RTVSH nga Liliana Kondakçi dhe dubluar nga Luan Zhegu; kompozuar nga Aleksandër Lalo me tekst të Jorgo Papingjit: Re, la sol laa laa, si sol la sol la sol, re la sol la la laa, si sol fa faa… Menjëherë, prapa meje dëgjova duartrokitjet e nxënësve, shokëve të mi. Një nxënës nga Kruja, që më vonë do studjonte në Shkollën e Aviacionit, u çua dhe eci drejt meje. (Siç më tha më vonë, donte ta këndonte këngën, ndërsa unë po luaja në piano). Në atë kohë, hapet dera; pamë të hyj brenda një burrë, për mua ishte krejt i panjohur, por jo për nxënësit shkodranë.
I hijshëm, i buzëqeshur, pasi na përshëndeti, m’u drejtua mua: – Je muzikant? Interpreton në piano?
– Kam studjuar për instrumentin trompë – iu përgjigja, ndërsa pianon e njoh shumë pak, por, me ndihmën e tastierës, formuloj disa vija melodike.
– Njeh artistë kompozitorë shkodranë? – më pyeti.
– I njoh vetëm me emra, por, personalisht, nuk njoh asnjërin.
Ai vazhdonte të më shikonte në sy pa folur, sikur donte të më thoshte, vazhdo.
– Janë shumë të dëgjuar kompozitorët shkodranë: Prenk Jakova, Pjetër Gaci, Nazmi Lishi, Mark Kaftalli që edhe na kanë dhuruar këngët e tyre të bukura në festivale, në anketat muzikore – i thash unë.
– Domethënë, ua njeh edhe këngët e tyre! – më pyeti përsëri.
– Po – iu përgjigja: – I madhi Prenk Jakova njihet për Operën e Parë Shqiptare, Mrika.
I madhi Pjetër Gaci njihet si fitues i shumë çmimeve në festivale. M’u kujtua kënga fituese e çmimit të parë e Festivalit të 11-të të Këngës në Radiotelevizion “Erdhi Pranvera” kënduar nga Tonin Tërshana, festivali që u dënua, por, nuk mund t’ia përmendja atë këngë dhe atë festival që u etiketua, festivali i zi nga propaganda politike e kohës. I përmenda këngën “E bukura Shqipëri”
Nazmi Lishi me këngën: “Kur këndoj për dashurinë” kënduar nga Kozma Dushi” në Festivalin e 16- të Këngës në Radiotelevizion.
Mark Kaftalli, me këngën: “Përherë me këngë” kënduar nga Vaçe Zela, Artiste e Popullit në Festivalin e 15-të të Këngës në Radiotelevizion dhe dubluar nga dueti Fatbardha Disho Hoxha dhe Gjergj Suljoti.
– Dëshiron të njihesh nga afër me ndonjë nga këta emra që përmende? – më pyeti buzagaz.
– Sigurisht – iu përgjigja. – Dëshira është e madhe, prandaj kemi ardhur edhe ne sot këtu. (U dëgjuan disa të qeshura nga nxënësit që rrinin ulur, veçanërisht shkodranët që e njihnin) Burri i panjohur për mua, i buzëqeshur i përshëndeti nxënësit si për t’u thënë, ju lutem, qetësi.
– Dëshiron të njihesh me kompozitorin Pjetër Gaci? – më pyeti përsëri.
– Po, iu përgjigja prerë.
– Është këtu, në shtëpinë e kulturës. Unë po dal tani, po e thërras e të vij këtu.
Nuk fola. Nuk e mohoj që emocione të shumta më kishin mbërthyer të tërin. Po ndjehesha krejt i hutuar.
Ai, pa marrë përgjigje nga mua, doli jashtë derës, ndërsa disa nxënës të tjerë vazhdonin të qeshnin.
Dëgjova një zë djali: – Ai është, ai është!
Por, ngaqë unë isha krejt i hutuar, nuk i kushtova rëndësi, ndërsa më vonë dhe tani që po shkruaj, kuptohet shumë kollaj se për kë e kishte fjalën ai nxënës.
Nuk kishte kaluar as një minutë; u hap dera dhe hyri po i njëjti burrë. I qeshur në fytyrë, ashtu siç ishte edhe në jetën e tij të përditshme, eci drejt drejt meje, më zgjati dorën dhe në shenjë prezantimi më tha: Ju prezantohem! Më quajnë Pjetër Gaci.
Salla me nxënësit shpërrtheu në duartrokitje të shoqëruara me të qeshura.
E përsëris, po ndjehesha i hutuar, por edhe i gëzuar njëkohësisht. Po shifja nga afër, po bisedoja me të madhin artist Pjetër Gaci që vetëm emrin ia kisha dëgjuar kur prezantoheshin këngët e tij në aktivitetet e ndryshme muzikore.
Eh! Sa shumë herë i kisha kënduar këngët e tij!
Shoku nga Kruja u çua nga karrigia dhe eci drejt nesh si për të hyrë edhe ai në bisedë.
– Më the, se mban mend disa këngë të Pjetër Gacit – më pyeti në vetën e tretë.
– Po! – Iu përgjigja menjëherë dhe, pa e lënë të më pyeste vazhdova disa tituj këngësh: “Poeti partizan” Festivali i 12-të i Këngës në RTVSH, kënduar nga Gaqo Çako dhe dubluar nga Zeliha Sina.
“Kënga e maliherit” Festivali i 13 – të në RTVSH kënduar nga Dhimitër Disho, dubluar nga Thêllënxa Akcani.
“Rruga e Shqipërisë” Festivali i 14-të, kënduar nga Gaqo Çako dhe dubluar nga Thëllënxa Akcani.
“E bukura Shqipëri” Festivali i 15-të në RTVSH. kënduar nga Tonin Tërshana dhe dubluar nga Petrika Rëmbeci…
Ndërsa unë flisja, mjeshtri i madh artist më shikonte me kënaqësi, i buzëqeshur duke lëvizur lehtë kokën në shenjë kënaqësie aprovimi.
– Ti vetë, të këndon? – më pyeti profesor Gaci.
– Më pëlqen shumë kënga e bukur shqiptare, muzika…
– Për kënaqësinë e të gjithëve, le të provojmë një këngë, – tha.
– E bukura Shqipëri – shpejtova unë.
– E këndojmë bashkë – ndërhyri shoku nga Kruja.
– Shumë mirë – u përgjigj maestro Gaci.
I ulur përpara pianos, gishtat e profesorit filluan të luajnë mbi tastjerë duke nxjerrë tingujt melodikë të introduksionit të këngës “E bukura Shqipëri” ndërsa ne duet ndërhymë duke e kënduar…
– Edhe ti, këndon shumë bukur – i thotë artisti Gaci shokut nga Kruja. – Aktivizohu në aktivitetet artistike në Krujë, këndon bukur, përsëriti prap maestro.
Heshti pak dhe përsëri gishtat e tij filluan të luajnë mbi tastierë.
Ne të gjithë po dëgjonim një vijë melodike krejt të panjohur.
– Ju pëlqeu? – na pyeti artisti Gaci dhe vështrimin e hodhi nga nxënësit e shumtë që rrinin ulur në sallë.
– Po! Iu përgjigja unë.
– Shumë e bukur – u dëgjuan si në korr zëra të shumtë nxënësish.
Maestro Pjetër Gaci, si gjithmonë i buzëqeshur vazhdoi.
– Melodia që sapo dëgjuat, është kënga e re që do këndohet në Festivalin e 23-të në RTVSH. “Të përshëndes Atdheu im” – titullohet. Madje do ta këndojë Myfarete Laze e cila ndodhet në Tiranë e grumbulluar pë festival.
Ato ditë në Shkodër, në Teatrin MIGJENI, Teatri Shtetëror i Operas dhe Baletit nga Tirana shfaqte Operan TRAVIATA; tenori i mirënjohur Gaqo Çako interpretonte rol kryesor.
Pas dy javësh, kur u zhvillua Festivali i 23-të, këngën e Pjetër Gacit “Të përshëndes Atdheu im” kënduar nga Myfarete Laze, e dubloi Gaqo Çako.
Tenori Gaqo Çako nuk kishte nevojë për shumë prova; ai e zbërrthente vijën muzikore nga pentagrami, duke e lexuar si të ishte instrument.
Eh, si është jeta, sa shpejt ikin vitet pa u ndjerë.
Kujtimet e bukura mbeten përherë në mendjen dhe zemrën tonë.
Shkodra dhe populli i saj, shkodranët e mrekullueshëm, për mua mbeten qyteti dhe qytetarët e dashur.
Lum kush e ka atë fat të ketë jetuar në të mrekullueshmen Shkodër, të ketë njohur shkodranët e kulturuar mikpritësa dhe, sigurisht edhe me humor.
I përshëndes të gjithë ish kolegët e mi, emrat e sipërpërmendur por edhe të tjerëve që nuk po më kujtohen; i përshëndes me respekt, mall, nostalgji dhe i uroj të jenë mirë në familjet e tyre.
Faleminderit ju të dashur miq të njohur dhe virtualë këtu në fb nëse gjeni kohë të lirë dhe më lexoni.
E kujtojmë me respekt Artistin e Popullit Pjetër Gaci në këtë ditë, që për koincidencë shumë e rrallë, datë lindja dhe datë vdekja janë në një datë: 27 Mars.