“Njeriu me top”, Ekranizim i romanit me të njëjtin titull të Dritëro Agollit.

0

 

 

Përmbajtja e filmit Ekranizim i romanit me të njëjtin titull të Dritëro Agollit. Mato Gruda jeton në hasmëri me familjen e plakut Mere Fizi.Pas një beteje të humbur,italianët braktisin të gjithë armatimet.Mato ka fshehur një top të cilin e ëndërron ta përodrë kundër Mere Fizit,dhe e ka marrë në shtëpi si rob edhe një italian që e thërret Agush dhe e mëson përdorimin e topit.

Lufta ka përfshirë tërë vendin, ne dergjemi në kulla dhe mendja na punon për hasmërira, si e si t’i zëmë pritë njëri-tjetrit. Në fillim ai këtë dëshpërim nuk e ndjeu, se qenia e tij ishte ende e mpirë nga narkoza e hakmarrjes. Njeriu, kur është i pirë, është grotesk e bujëmadh, zhurmon dhe u ul udhën shumë pasioneve të shfrenuara. Por, kur i del pija në mëngjes, bie në një dëshpërim të thellë, se kujton natën e kaluar. Jo vetëm kaq. Në mëngjes e ndien veten pa asnjë energji, pa asnjë mendim, pa asnjë pasion. Atë e pushtojnë mërzia dhe indiferentizmi.

Në dreq të vejë edhe kjo punë ! Më mirë që nuk qëllova në shenjë. Njeriu i zi përpiqet, lëron arat, mbjell arën, ndërton shtëpinë, bën fëmijë dhe pastaj të del një i krisur me një gjyle dhe të bën hi ! Njeriu atëherë mbetet i shtrirë përgjithmonë me majat e këmbëve përpjetë. Po sa kanë ecur ato këmbë!

I shkreti njeri ! E gjen të keqen nga shëmbëllimi i tij, nga njeriu. Pse, xhanëm, të jetë kështu ? Të ishte ndryshe, fare ndryshe. Pastaj Mato Grudën e pushtoi përsëri dëshpërimi tek vështronte mullarin që tymonte. Si nuk e qëllova të paktën me një gjyle ! Për dy-tri metra gjë më shpëtuan Fizët ! Edhe vdekja duhet, se pastron njerëzit nga shpirtrat e këqia. Ajo nuk i lë të shtohen shumë e të mbulojnë shpirtrat e mira.

Skema e përgjithshme logjike e këtij filmi ngjan me filma të tjerë të epokës të cilët zhvillojnë një farë propagande kundër kanunit, pushtetit të priftit katolik dhe vrasjeve mes njerëzve. Për shembull, pushteti i prifti katolik që shfaqet te filmi « Komisari i dritës (Dhimitër Anagnosti, Viktor Gjika, 1966) zëvendësohet te  Njeriu me top nga pushteti i hoxhës dhe i fesë islame, i materializuar në normat shoqërore e sidomos te figura e gjyshit të madh të Fizëve.

Dritan Shkaba është mësuesi, komisari dhe i ndriçuari që sjell rrezet e dijes në malësinë e sunduar nga bajraktarët e kleri katolik. Mësuesi që lufton me pushkë e penë, e prandaj ai është edhe komisar, edhe dritë-uri. Mato Gruda është njeriu i verbuar nga hasmëria, i pashkolluar e i pakultivuar, i mbërthyer mes ndjenjave të hakmarrjes dhe dëshirës apo presionit për të dalë në krah të partizanëve. « Ehhh, rron plaku Mere Fizi, rron.

Rron me të dymbëdhjetë nipërit e tij. Thonë se ka Zot. Hëhh, hiç nuk ka Zot. Po të kishte do ta kishte marrë plakun Mere për të gjithë të këqiat që ka bërë.» – janë fjalët e Mato Grudës në fillim të filmit. Interes personal kundër interesit kombëtar, ky është tensioni pothuajse i kundondodhur në kinemanë tonë, kurse zgjidhja e propozuar është harresa e marrjes së gjakut dhe dalja në luftë përkrah partizanëve.

Mllefi pohues se Hiç nuk ka Zot, formulë e sanksionuar në Kushtetutën e 1976 (Neni 37). Shteti nuk njeh asnjë fe dhe përkrah e zhvillon propagandën ateiste për të rrënjosur te njerëzit botëkuptimin materialist shkencor ia heq Zotit atributet e tij si etalon universal dhe i përjetshëm i nocioneve të së mirës, shpëtimit, e të drejtës hyjnore dhe tokësore. Zoti vdiq dhe bashkë me të e gjithë tradita e vjetër.

Vdekja e Zotit i hap rrugë lindjes së një drejtësie tjetër, institucionale, moderne, pushtetore, burokratike. E kur dhe këto vdesin, katrahura e madhe që shoqëron njerëzit, është ajo e dilemës mes vetëgjyqësisë dhe ankimit në institucione me shpresën e vakët se një ditë gjërat do të ndryshojnë.

Njeriu me topin e vjedhur fashistëve, jeton ditët e tij me urrejtjen ndaj Fizëve. Shpërfillës i ngjarjeve madhore kombëtare, simpatizant besues profan i komunizmës, Mato Gruda i qëndron gjithsesi fiksimit të tij për të shlyer peshën e hakmarrjes që rëndon prej kohësh e ku hedhin valle hijet e të vdekurve të tij.

Rruga prej shtëpisë sime deri tek Fizët është vaditur me gjak. Asnjë s’mund të mbijë aty veç hakmarrjes. Gjaku s’bëhet ujë. Vetëm pasi ndodhet përballë ballafaqimeve në sheshin e fshatit midis Ballit dhe Partizanëve ku hetohet se kush ka qëlluar me top mbi Fizët, Mato pushtohet nga një ndjenjë sikleti e turpi.

Nisma e tij hakmarrëse i ka vënë miqtë e tij partizanë para akuzës se janë ata që kanë shtënë me top, si njerëz që bëjnë krime, që qëllojnë shtëpitë e popullit e që duan gjak dhe derdhje gjaku. Mato nguron të thotë të vërtetën në mes të fshatit.

Tekefundit, të mbijetuarit e hasmit kanë të drejtë të dinë se kush ka qëlluar mbi fisin e tyre. Fshehja dhe heshtja është një akt frikacak i Matos i cili kërkon të dalë pa lagur, madje ky akt orvatet të interpretohet sikur është bërë nga partizanët. Po ky akt është gjithashtu prishje e normave të hakmarrjes apo shkelje e të drejtës për të ditur se nga vjen plumbi.

Në këtë orvatje ai përpiqet të korruptojë edhe Muratin duke i pohuar se zotëron një send, diçka e cila do i rregullojë punët me Fizët. Një ofertë për t’a bërë Muratin bashkë-frikacak. Për një çast ndërgjegjia i flet me zë të ulët duke ia pohuar vetvetes se është ai njeriu që ka shtënë me top mbi Fizët, se partizanët janë të pafajshëm e se Tosun Baçi si akuzator është një gënjeshtar.

Si të gjithë frikacakët që kanë në dorë fuqinë e marrëzisë së vdekjes mbi të tjerët, personazhi i Mato Grudës pluskon në këto konflikte të brendshme të lidhura sa me aspektet më humane tek ato ngushtësisht personale, të mbajtura në tension nga ankthi, frika dhe dëshira. Njeriu me top është një prodhim i kinostudios “Shqipëria e Re” i vitit 1977. Regjisor: Viktor Gjika, Skenari: Viktor Gjika, Producent: Shqipëria e Re, Muzika: Limos Dizdari.

Aktorët në role Timo Flloko (Mato Gruda),  Elida Cangonj (Zarja, gruaja e Matos), Stavri Shkurti (Murat Shtaga), Drita Pelinku (hallë Esmaja), Zef Bushati (Agushi), Kadri Roshi (plaku Mere), Sandër Prosi mullixhiu), Thimi Filipi (Faredini, nipi i plakut Mere), Birçe Hasko (Tosun Baçi), Enea Zheku (Ziguri), Pandi Siku (Adnand Pinxho), Alfred Bualoti (Nevzati), Piro Qiqi, Mehmet Bela, Thoma Pesha, Drini Hila, Petraq Xhillari, Nikolla Llambro. Në episode: Arben Imami (Abazi, nipi i plakut Mere), Lida Hoxha (Shega, mbesa e plakut Mere), Enver Dauti (hoxha i fshatit).

 

 

SHARE

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here