Një poezi nga At Vinçens Prendushi, e recituar nga aktorja Roza Anagnosti në Al Pazar Show

0

 

 

Kjo është një poezi nga At Vinçens Prendushi, e recituar nga aktorja Roza Anagnosti në Al Pazar Show (Vizion Plus), e njohur ndryshe nga këta të fundit si “Gruaja shqiptare” (Grueja shqyptare), e atribuar Mjedës gjatë kohës së diktaturës…

Ka ra rrezja nder bajama!
T’ bin e vet kshtu e pvetë e ama:
– C’ke, moj bi, qi kjan e fshan?
Kjan e fshan, e vetllat vran? –
– Kjava shum, mori lum nana,
Tuj qindisë e m’ ra gjylpana;
M’ ra gjylpana nen balkue,
E jam ulë tash me e kerkue. –
– Po cka kje qi lodt t’ i xori?

Ku kje dhima, a ku kje zori?
A por, drue, mos m’je harlisë,
Qysh se kjan – o tuj qindisë.
Pasha nanen nuk mund t’ bari,
Qi të me ndezet bija zhari!
Do t’ a dije e zeza nanë,
Pse ti vetllat shpesh m’ i vranë;

Pse c’ kah mot, moj, buza s’ t’ qeshet
E n’ argtime zemra s’ t’ ndeshet. –
– Nuk a’ gja, moj nanë s’ a’ gja;
Por po t’ tham, se as kot s’ jam vra:
Dicka vlon n’ ket cerdhe zanash;
Vlon dashtni, si n’bija nanash!
Nane, dashtnija m’ ka molisë,
Prandej kjaj – o tuj qindisë! –
– T’u thafët goja, bi, c’ po thue?

A kaq shpejt ti m’ je terbue?
Po shikjo, moj bi kercuna,
Se, po bana ‘i herë e t’ xuna,
Bana e t’ pava tuj m’ dalë n’ derë,
Nuk m’ ke pshtim, jo metsha e mjerë! –
– Jam shqyptare e bi shqyptari,
E ato fjalë, nanë, s’ mund i bari:

S’ ke me m’ pa, jo, tuj dalë n’ derë,
Si kujton, pse m’ ke per nderë;
As, moj nanë, nuk jam harlisë
Vec pse kjaj – o tuj qindisë,
E shka n’ zemer m’ ka pengue,
Asht gja e dejë, o nanë, per mue. –
Fillon nana tash me u vra:
Dicka nakel së mjerës i asht ba;

Don me cilë të ngriten gojë;
Por dro e mjera mos t’ gabojë:
– Fol, moj bi, mos m’ len nder grepa,
Mos më mshef gja, moj, se do djepa
I kam luejtë der tash e m’ ke
Dhelpen t’ vjeter: Ty sot be
T’ paca lshue, tash me m’ diftue,

Se pse zemra peshë t’asht cue. –
– Nanë, dashtnija m’ ka molisë,
Prandej kjaj – o tuj qindisë. –
Bindej nana, gja s’kuptote,
Por, te miren kah i a dote
Muer me t’ amel e i tha e mjera:

– Mori bi, moj si prendvera,
Pash njat diell e pash njat hanë,
Pash njat Zot, qi kthiell e vranë,
M’ difto sot, c’ sokol ke xanë? –
– C’ farë sokolit thue, moj nanë?
T’ thacë, moj, t’ thacë se s’ m’ a ban ndera,
S’ m’ a ban shpija, as s’ m’ a ban dera

Me luejtë mendsh, moj nanë, mas kuej:
S’ i kam dhanë, jo, fjalë kurrkuej.
E po t’ tham: Se n’ t’ endun t’ motit,
Po t’ tham, po, me besë të Zotit,
Ty due fjalët me t’ i ndigiue,
As s’ kam mend me t’ u largue.

Zemren dysh un s’ mund e daj:
M’ len t’ qindisi, m’ len të kjaj! –
U ngri nana, lodt i pshtuen;
Para s’ bis fort syt i u xuen.
Kaluen dit e kaluen net,
Vajza ma me gojë s’ po flet:

Me gojë s’ flet edhe na a’ smue,
Rat e mjera a’ tuj lingue:
Lingon keq n’ at shtroje deket
E shpesh paket edhe meket.
Ftyra e sajë porsi flok bore;
Mndash, gjylpanë s’ i hjekë prej dore;

Por punon e tuj punue,
Shef pelhuren se a’ marue:
I lshon syt mi te me mall
Edhe e puthë e e ven në ball.
Nana vajzen tuj dihatë
Shpesh e ndien e: – Mori e ngratë,
A njimend s’don me m’ diftue,
Se pse zemra peshë t’ asht cue? –

– Nanë, dashtnija m’ ka molisë;
Kjava mjaft-o tuj qindisë!
Kjava mjaft… – Ma desht t’ligjrojë,
Por i u kput ksajë fjala n’ gojë.
Si fjalë tjera nuk mund të xori,
Mndash, gjylpanë prap n’ dorë i mori;
Por dy duerët, porsi florini,

Mi pelhurë deka i a ngrini.
– Kuku nana kjan me lot,
Se c’ me gjet mue t’meren sot!
Se c’ e gjet të zezen nanë
Nen ket diell e nen ket hanë! –
Merr pelhuren, qi pat enë
Bija e sajë; kishte pasë kenë
Kuq e zi e m’ te qindisë
Gjet dashtnin qi e kisht’ molisë.

N’ krye t’ flamurit kisht’ punue,
Per rreth shqypje, m’ dorë prarue,
Fjalët e hershme, fjalët e të Parve:
Se Shqypnia asht e Shqyptarve;
E nder skaje fjalët “liri”.
Merr nanë-shkreta e pshtiell at bi,
Qi, pa njofët tjeter dashtni,
Ishte shkri vec per Shqypni.

Eni bija, zana malit,
Ju qi kjani n’ dekë t’ njij djalit,
E, permysë mi ket bujare,
N’ te nderoni bin shqyptare;
E tuj puthë e mall e vajë
Njat flamur, qi dora e sajë
Diejti aq bukur me qindisë,
Pse dashtnija e kisht’ molisë;
Lidhniu tok: Per herë dashtnija
Per vend t’ uej t’ u jet stolija;

Pe, po kje qi, si kjo bi,
Rriten vashat në Shqypni,
N’ vend do të shkojë-o fjala e t’ Parve,
Se Shqypnia asht e Shqyptarve.
Lidhniu tok, si bajshin motit
Ato bijat e Kastriotit,
E broh’ritni n’ gzim e n’ vajë:
Rrnoftë Shqypnija e flam’ri i sajë

Vinçens Prennushi lindi në Shkodër më 4 shtator 1885, në një familje modeste, në Lagjen Rus, në rrugicën e Makajve. Eseist, publicist, poet, folklorist e përkthyes, ka përkthyer romane nga Wisman, Sinkieviç, Weber dhe Pelico.

Hapja e procesit në dioqezën për lumnimin e tij, u shpall më 10 nëntor të viti 2002, nga prefekti i asokohshëm i Kongregacionit për Ungjillëzimin e Popujve, kardinali Kreshencio Sepe, gjatë kremtimit të Eukaristisë, në katedralen e Shkodrës. Lumnimi dhe pranimi si shenjtor ndodhi më 5 nëntor 2016, në sheshin para katedrales së Shën Shtjefnit në Shkodër.

Në vitin 1940, u emërua Argjipeshkëv i Durrësit. Më 19 Mars 1936, Selia e Shenjtë e emëron ipeshkëv i Sapës, detyrë që e mban deri në vitin 1940, kur emërohet Argjipeshkëv Metropolitan i Dioqezës së Durrësit, duke pas nën administrim kryeqytetin, Tiranë.

Pas vdekjes së Imzot Gaspër Thaçit, në Shkodër më 26 Maji 1946 dhe arrestimit të Don Mikel Koliqit, famullitar i Shkodrës, Imz. Prennushi ngarkohet me detyrën e Primatit Katolik të Shqipërisë.

Për të mos u harruar, pas vitit 1940, ai ishte edhe administrator i Tiranës, përkrah Imz. Luigj Bumçi, Don Shtjefën Kurtit, At Pjetër Meshkallës, At Anton Harapit, At Mati Prennushit dhe Don Lazër Shantojës, të cilët kanë lanë mbresa të pashlyeshme në jetën e kryeqytetasve.

Gjendja e keqe shëndetësore e Bumçit, në vitin 1945 ndoshta, rëndoi punën e Imzot Prennushit, por fatmirësisht kreu me nder detyrën e klerikut të devotshëm, si në fushën politike dhe pikërisht, në fazën më delikate të historisë përballë pushtimit fashist italian, atij gjerman dhe së fundit, atij sllavo-komunist jugosllav e rus, të vitit 1944.

Prennushi mblodhi këngët e vallet e “Dasmës Shkodrane” dhe pikërisht këtu ai tregoi më mirë se askund tjetër kumbimin “e ambël” të fjalës shkodrane. Në fakt, trajtat janë me të vërtetë shkodrane, por, përmbajtja është mbarëkombëtare.

Në vitin 1945 Enver Hoxha, i kërkon një takim Imzot Prennushit dhe ky e pranon. Në atë takim ishte prezent edhe Imzot Gaspër Thaçi.

Më datë 19 maj 1947, Imzot Prennushi, arrestohet dhe si të tjerët fillon kalvarin. Më datë 18 dhjetor 1947, Gjykata Ushtarake e Durrësit e përberë nga: Kryetari, major Gjon Banushi, anëtarë, major Zhule Çiriako, kapiten Halim Ramohito dhe prokuror, kapiten Petrit Hakani, hapën gjyqin.

Vendimi i Gjykatës së Durrësit përcillet për shqyrtim në Gjykatën e Naltë të Tiranës, bashkë me një relacion të prokurorit të Durrësit, i quajtur Sotir Qiriaqi (datë 1 dhjetor 1947).

Gjykata e Naltë Ushtarake Tiranë e përberë nga: Kryetar, major Niko Çeta, anëtarë, kapiten Nexhat Hyseni, kapiten II-të Mustafa Iljazi dhe sekretar aspirant Thoma Rino, më datë 23 shkurt 1948, mbasi shqyrtoi çështjen e të pandehurve….”refuzon kërkesën e tyre”….

Vinçenc Prennushi deklaron se “lufta ime ishte kundër komunistëve të Partisë Komuniste që të mos ekzistonte, kur të formohej Pushteti që mendonim me zbarkimin e amerikanëve”. Më 19 mars 1949, vdes nga torturat më çnjerëzore në burgun e Durrësit. Shpallet “Martir i Demokracisë” më 8 maj 1993 në Durrës.

Vepra
Gjeth e lule, përmbledhje lirike.
Prej robnijet në liri, Dramë.
E trathtuemja.
Guri i mshehtë e fort i çmueshëm.
Nder lamijet e demokracis’.
E panjohuna (përkthim).
Kangë popullore gegënishte.

Përshtati: Edmond Prifti/Konica.al

SHARE

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here