Në kamerën e Spartak Papadhimitrit

0

 

 

Në historinë e kinematografisë shqiptare emri i Spartak Papadhimitrit do të lidhet gjithnjë me njeriun që i dha jetë kameras dhe diti t’i shndërronte personazhet në karakteret që kërkonte skenari i një filmi.

Historia e hyrjes së tij në kinostudio, u ngjason historive që nisin herët si një pasion, pastaj në një mënyrë a një tjetër, ti e gjen veten të mbërthyer në të. Ashtu ndodhi dhe me Papadhimitrin, i cili mbaroi studimet për ekonomi në Universitetin e Tiranës, pa e ditur se e ardhmja e tij do të lidhej me diçka krejt të kundërt nga arti i shifrave.

Fillimi punë në Kinostudion Shqipëria e re, do të zgjonte tek djaloshi dëshirën e heshtur për kinematografinë, duke zbuluar kohë pas kohe, se, kamera ishte më shumë se dashuri për të. Janë të pafund dokumentarët dhe filmat që janë realizuar nga kamera e Papadhimitrit. Me modestinë që e karakterizon, Papadhimitri arriti të krijonte atë që tashmë quhet shkolla e kameras shqiptare.

 

Kjo, pasi aftësia për të zbuluar se kamera është rruga e parë drejt ndërtimit të një filmi, ishte e natyrshme për të, një kombinim i talentit me kulturën e kultivuar, duke punuar e lexuar fort. Kontributi i tij nuk është vetëm në historinë e kinemasë shqiptare para viteve 90-të, por dhe në dokumentimin e shumë materialeve filmikë, që bëjnë historinë e Shqipërisë në këto dy dekadat e fundit.

Rënia e bustit të ish diktatorit Enver Hoxha, greva e studentëve, apo momente të tjera të rëndësishme në historinë e Shqipërisë së re, janë pjesë e arkivit të Papadhimitrit, duke ndërtuar kështu me vizionin e një artisti, strukturën që do ti duhet më vonë historisë. Dhjetëra personazhe të njohur të politikës apo kulturës, apo njerez te zakonshëm, kanë qënë pjesë e kërkimit të tij, për të ruajtur të gjallë në kamera mëndje të ndritura të këtij vendi.

Suksesi i filmit “Gjokela djali i Abazit”, përveç mendjes së Anagnostit, i dedikohet dhe kameras së Papadhimitrit. Pamjet e jashtëzakonshme që na çojnë në mentalitetin shqiptar të pas viteve 90-të, janë ndërtuar lehtë nga Papadhimitri, duke e bërë këtë film të mbetet gjatë në mëndje edhe për shkak të fotografisë dhe karaktereve. Në fillim të viteve 1980-të, ai do të jetë kameramani kryesor në filmin “Mëngjese të reja”, nën regjinë e Muharrem Fejzos dhe skenar të Nasi Lerës.

 

 

Të gjithë i kujtojmë portretet e dy të rinjve partizanë të cilët ngarkohen me detyra të rëndësishme. Ata së shpejti do të martoheshin, ndërsa Nora vuante nga glaukoma. Mjeku që e kuron Epaminonda nuk e ndihmon të kalojë sëmundjen sepse Nora është përfaqësuese e pushtetit popullor. Nën intepretimin e Marta Burdës dhe Kastriot Caushit, filmi do të shkëlqente nën kameran e Papadhimitrit dhe Gavrosh Haxhihysenit.

“Syri magjik” është një tjetër film ku artisti bashkëpunon me regjisorin Kujtim Cashku, i cili i beson Papadhimitrit fotografinë. Në vitin 2008 ai ka punuar për filmin “Dita e parë e shkollës”, më 1993-shin me “Zemra e nënës”. Eshtë i njohur bashkëpunimi i tij me regjisorët më në zë të kohës, si Fehmi Oshafi, Dhimitër Anagnosti apo Saimir Kumbaro me të cilin vazhdon të bashkëpunojë në realizimin e një sërë dokumentarësh e karakter historik apo regjisorin Kujtim Gjonaj.

Një ndër prodhimet e fundit të Papadhimitrit është filmi “Gruaja pa kohë”, i regjisorit Donard Hasani dhe skenar të Shaban Sinanit. Një tjetër kontribut i Papadhimitrit është dhe një artin e fotografisë, ku një sërë fotosh të publikuara nga ai, të fusin në magjinë e një arti për të cilin flasim aq pak, por që ka një dominim të madh publik siç është fotografia.

 

 

SHARE

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here