Ndarja nga jeta në moshën 78-vjeçare e legjendës së njohur të humorit, Fadil Hasa, pas një sëmundje të rëndë, ka pikëlluar mbarë opinion publik, por dhe vetë personalitetet më të njohura të artit e kulturës shqiptare.
Përmes një statusi në “Facebook”, aktori i madh i popullit, Mirush Kabashi, ka shprehur ngushëllimet e tij për humbjen e humoristit të dashur shqiptar.
Teksa e cilëson si mjeshtër të rrallë të humorit, Kabashi thekson se Hasa e ktheu thjeshtësinë e tij në art, me batutat e tij origjinale dhe jo banalitet ordiner siç bëhet sot masivisht.
Mesazhi i plotë
Sot ndërroi jetë njeri prej atyre mjeshtrave të rrallë të humorit që thjeshtësinë e ktheu në art. Ai ishte komediani dhe humoristi që të qeshurat tek publiku i shkaktonte me batutat origjinale dhe jo me banalitet ordiner siç bëhet rëndomë sot. Të gjithë popullit i kujtohet kur dilnin skeçet e tij me rastin e programit të Vitit te Ri dhe e gjithë familja nga fëmija deri tek gjyshi, qeshnin me shpirt.
Fatkeqësisht të tillë njerëz po i mbarohen Shqipërisë dhe humorit shqiptar, duke ua lënë vendin ca pseudo-humoristëve nga rruga që bëjnë humor burgu e u duket vetja të mëdhenj. Respekt për këtë figurë të paharrueshme që aq shumë na bëri të qeshim me origjinalitetin e tij!