Ndahet nga jeta gazetarja e Radio Tiranes Stoli Beli

0

 

Ditën e shtunë më 11 Janar 2020 u përcoll për në banesën e fundit Stoli Beli, ish gazetarja e Radio-Tiranës dhe më pas e Televizionit Shqiptar, ku punoi derisa doli në pension.

Puna e saj e madhe dhe me shume vlerë në shërbim të informimit, edukimit dhe argëtimit të publikut të gjerë mori përshëndetje dhe vlerësime të herë pas herëshme nga strukturat e kohës, por edhe nga publiku i gjerë që e ndiqte atë nëpër programet e ndryshme radiotelevizive. Por, Stolia me sharmin e saj, me natyrën shumë të butë e femërore tërhiqte vëmendjen e kujtdo që e shihte.

Cilësitë e saj fizike, përcjellja e saktë e fjalës dhe mendimit në mikrofon, si dhe kultura në të folur, bënë që ajo të zgjidhet si folësja e parë e Televizionit Shqiptar, e cila i drejtua shqiptarëve me përshëndetjen: Mirëmbrëma. Po fillojmë transmetimin e programeve të Televizionit në Shqipëri. Ishte një ngjarje e rëndësimshme për kohën, kur aparatet televizive tek ne numëroheshin me gisht.

Më pas koha bëri të vetën dhe arritjet në këtë fushë kanë ngjitur shkallë të paimagjinueshme. Por, gjithsesi, ne dhe kushdo tjetër, nuk duhet ta harrojmë Stolinë e mrekullueshme e cila bëri përshëndetjen e parë nga ekrani në Shqipëri. Kohët e fundit Stolia vuajti prej sëmundjeve, të cilat nuk arriti t’i përballojë dot.

Ishte mbesa e saj, Raimonda Gjençaj e cila iu gjend pranë gjithmonë, duke u kujdesur për të deri në frymën e fundit. Madje edhe në përcjelljen e përherëshme të Stolisë, Raimonda u gjend me fare pak njerëz që t’i qëndronin në krah. Ishte një pakujdesi, e cila tashmë nuk vlen që të diskutohet, pasi Stolia meritonte shumë më shumë për t’iu bërë nderet ashtu siç i takonin asaj.

Të paktën, institucioni ku ajo punoi tërë jetën duhet të gjendej pranë në këto momente të fundit, për ta nderuar e përcjellë me nderimet që i takonin. Gjithsesi, tashmë nuk korigjohet asgjë. Stolia shkoi në prehjen e saj të përhershme, duke lënë pas një ndjenjë trishtimi të natyrëshme, por pa iu zbehur ai imazh i krijuar ndër vite tek të gjithë ata që e ndoqën nëpër programet e ndryshme radiotelevizive.

Me këtë rast, i shprehim ngushëllime Raimondës që i qëndroi pranë deri në çastet e fundit, si dhe të gjithë atyre qe janë prekur nga kjo ndarje e përherëshme me Stoli Belin. Qoftë i përjetshëm kujtimi i saj.

SHARE

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here