“Në teatër duhet evidentuar më mirë forca shpirtërore dhe fizionomia kombëtare e figurës. Shqiptari është energjik dhe aspak i ftohtë, është i fuqishëm, i gjallë, i transmeton pasionet me forcën e brendshme.
Shqiptarit i rreh pulsi. Nuk është tip i qetë, por me një temperament të zjarrtë dhe këtë nuk kemi të drejtë t’ia ulim në skenë. Ja ç’më preokupon, që temperamenti të jetë kurdoherë jetësor… Jam kundër “mbytjes” së aktorit nga emocionet, (e kam fjalën për ato emocione të tepërta që zbehin mendimet), ashtu siç jam edhe kundër interpretimit racional, pa qëndrim emocional.
Do të isha më tepër për një shkrirje të tyre dhe për një logjikë të shkrirë në emocione të ngrohta. Nuk jam kurrsesi për qëndrimet “qaramane”, “të pakuptueshme”… Unë nuk përpiqem ta mësoj tekstin pa e kuptuar rolin. Kam gjithnjë “frikën” e shtampës. Kërkoj dhe gjej ato veçori që më largojnë nga shtampat.
Nuk më pëlqen matematika në ndërtimin e figurës. Nuk e kuptoj figurën si diçka të ngurtë. Në jetën time skenike kur s’e kam kapur fillin e rolit, më ka shkuar gjithë shfaqja mekanikisht. Kur kam kapur çelësin e kuptimit logjik, emocional, atëhere më ka ecur mbarë, megjithëse më ndërron vazhdimisht ky lloj “çelësi” dhe s’ka gjithmonë të njëjtën ngjyrë.
I jap rëndësi edhe kujtesës emocionale. Tek Hamleti, kur më dilte fantazma, shfaqjen e kisha të realizuar. Nga shfaqja në shfaqje, përpiqem të mos jem i njëjtë. E dëgjoj shumë regjisorin, por dua që edhe ai të më dëgjojë…!”