Monograrafia kushtuar njërit prej etërve të skenës, Pjetër Gjokës. Detaje për origjinën, vendet e fëminisë dhe karrierën 52-vjeçare të aktorit. Gjoka Biri: “Do të botoj edhe shënimet mbi mjeshtërinë e aktorit.
Në skenën e Teatrit Kombëtar, për më shumë se gjysmë shekulli janë ngjitur me dhjetëra aktorë. Ka nga ata që pak herë e kanë përjetuar magjinë e skenës, të tjerë që rezistuan deri në fund të karrierës dhe të pakët janë ata që formuan vargun e perlave të këtij teatri.
Një ndër to mban emrin e aktorit shkodran, Pjetër Gjoka (1912-1982). Për një brez që është mbi të 40-at, ky emër i sjell në kujtesë shumë role, e për një brez më të ri, ndoshta vetëm një rol dhe kjo falë televizionit.
Është roli i Priftit në dramën dhe më pas filmin televiziv, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, një siluetë e zezë, që me gjysmë zëri i tregon Gjeneralit për një “popull të çuditshëm që jeton në një vend të mbushur me male”.
Por ky s’është veçse roli i fundit që Gjoka realizoi, si “punonjës me kohë të plotë” në teatër. Para këtij, plot 115 role të tjerë të dramaturgjisë shqiptare dhe botërore.
Karriera e tij nisi me një rol, që, në fakt, nuk ishte rol.
Ishin vitet ’30-të, sapo kishte kaluar stina e gjatë dhe e thatë e verës, kur Pjetri takohet me një mikun e tij, i cili i kërkon të bëhet pjesë e grupit që po punonte për një komedi të bazuar në përrallën kombëtare “Trimenija e parë”. Aty duhej të luante rolin e një të vdekuri. Për një orë aktori i ardhshëm qëndroi pa lëvizur.
Përkushtimi i tij ishte aq i madh, sa nuk e tradhtoi rolin as nga dhimbja që i shkaktonte gjilpëra, me të cilën miqtë e cysnin nga poshtë skenës. Kjo do të ishte dhe shkëndija e parë e Pjetrit aktor.
Këto kujtime, si dhe disa nga shënimet e tij të punës, i ka përmbledhur në monografinë “Pjetër Gjoka, 52 vjet në skenë”, i biri Gjovalin Gjoka, së bashku me Gjovalin Çunin.
Në këtë monografi, e cila do të prezantohet publikisht së shpejti, dy familjarët (Çuni është nipi i tij) rrëfejnë jetën e Pjetrit që nga rrënjët në katundet e Dushmanit, në lindje të Shkodrës, e deri në fundin e jetës.
Fillesat si një atlet i zoti, (vrapues e futbollist) dhe si një artist i mirë (luante kornon në bandën e qytetit dhe këndonte) dhe ndalja në teatër.
Pas një sërë interpretimesh në teatrot e shoqërive që ekzistonin në atë kohë në Shkodër, Gjoka kalon në Teatrin e Ushtrisë, që do të shërbente si katapultë për në Teatrin Popullor, që formohet pas Luftës së Dytë Botërore. Aty Gjoka luan për 30 vjet dhe i dhuron publikut disa nga rolet më të bukur të realizuar ndonjëherë.
Më 1947-ën, publiku, për herë të parë e sheh në rolin e Kleanthit tek “Tartufi”, Molier. Shumë më vonë, në vitin 1960, interpreton Klaudin në tragjedinë “Hamleti” të Shekspirit. Po nga i njëjti autor, Gjoka, pesë vjet më vonë luan një kryerol, atë të Mbretit Lir, në tragjedinë me të njëjtin emër.
Edhe në kinematografi Gjoka do të linte gjurmë. Në vitin 1955, me rolin e Tanush Topisë, në bashkëpunimin epik ruso-shqiptar, “Skënderbeu”. Më 1957-ën, në moshën 45-vjeçare interpreton rolin e gjyshit, në filmin e parë artistik shqiptar “Tana”.
Lista e roleve në kinematografi nuk shkon më shumë se dhjetë, por personazhet që ai ka krijuar janë unikë. Këtu mund të përmendim rolin e Priftit, në filmin “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, më 1975-ën. Roli i tij i fundit është Vasili, në filmin “I treti” (1977), me regji të Albert Mingës. Gjoka kishte humbur tashmë shikimin.
Por publiku mund ta kujtojë edhe si malësori Bajram te “Tri të shtëna pushke”, Prenga te “Toka e zjarrtë”, Nik Kacurraj tek “Cuca e maleve”, Ali Pashë Gucia te “Besa e madhe” apo Ymer Prizreni te “Epoka para Gjyqit”. Role të cilat, sipas të birit, me kalimin e viteve “filluan ta shqetësonin, sepse ishte kundër stamposjes së aktorit. Atij i pëlqente të thyente vetveten dhe thoshte se nuk ka gjë më të keqe për një aktor sesa kur e prefetishizojnë”.
Gjovalini tregon se i ati “shpesh thoshte që një gjë që e nis duhet ta përfundosh më së miri”. Dhe një praktikë të tillë e ndiqte gjatë punës me rolet. I shkruante e i rishkruante batutat. Kjo procedurë vazhdonte edhe pas premierës. Pasi në këtë mënyrë, sipas tij, roli perfeksionohej.
Disa nga teoritë e tij për aktorin Gjoka, ndonëse vetë nuk u shkollua kurrë për aktor, i ka lënë në dorëshkrime, shumë pak prej të cilave janë përmbledhur në këtë monografi. Këto meditime dhe përkufizime, sipas të birit, janë aq sa mund të bëhet një vëllim tjetër në të ardhmen.
Por a nuk do të ishte më e udhës që të botoheshin fillimisht këto mësime të vyera, e më pas një jetëshkrimi i “Artistit të Popullit”?
Këta bijë etërish të shquar, u kushtojnë më tepër hapësirë momenteve thuajse pa vlerë, e shpesh ndodh që në këto botime të zënë më shumë vend fotot e artistit në plazh me familjen, i kushtohen faqe të tëra origjinës apo fshatrave ku rritet ky personalitet apo edhe momenteve të jetës familjare, se sa artit dhe punës që ky njeri ka lënë pas.
Në të vërtetë, kërshëria e publikut ka të bëjë me atë se çfarë këta njerëz kanë përjetuar, çmuar, mësuar dhe hedhur në letër për brezat pasardhës. Ata janë shkolla e teatrit shqiptar, nëse fjala e tyre nuk shkruhet, nuk do të ketë kurrë një histori të teatrit shqiptar.