Nga Valeria Dedaj
Aktorja rrëfen karrierën e saj artistike. Pavarësisht se për të është shumë e vështirë që të jetojë vetëm me aktrimin, emocionet që merr nga puna në teatër nuk i krahason me asgjë. Prandaj, ka vendosur, që tërë jetën t’ia dedikojë skenës!
Lidhja e saj me artin është e kahershme. Megjithatë, e kujton ende dhe sot, sesi në mënyrë të pafajshme ka dëshiruar që të bëhej aktore. Bëhet fjalë për aktoren Mimoza Marjanaku, e cila në këtë rrëfim për “Shekulli”-n ndalet tek karriera e saj, si aktore në Teatrin “Aleksandër Mosiu” në Durrës, por jo vetëm.
Aktroja ende edhe sot e kujton aventurën e saj, si emigrante në Itali. Ashtu siç nuk harron as arsyen e rikthimit të saj në Shqipëri. “Ika për një jetë më të mirë, si gjithë emigrantët, por magjia e skenës më bëri të kthej kokën mbrapa dhe të mos e tradhtoja teatrin”, tregon aktroja, që jetën e saj e ndan mes skenës dhe familjes së saj, si nënë edhe bashkëshorte.
Ndërsa, nuk lë pa na rrëfyer edhe për rolin e saj, si protagoniste në filmin “Mrekullia”. Ajo na tregon se brenda saj filmin e ka dashur gjithmonë, i cili në ndryshim nga skena e teatrit nuk ka marrëdhënie të drejtpërdrejtë me publikun, por me syrin vigjilent të kamerës kërkon forcë dhe botë të fuqishme shpirtërore për të improvizuar çastin, momentin, qoftë edhe një pikë kulminante, ndërsa në skenën e teatrit emocioni zhvillohet gradualisht.
Zonja Marjanaku, nëse riktheheni në kohë, si ka lindur dëshira juaj për t’u bërë artiste?
Kam përshtypjen që në vegjëli të gjithë fëmijëve u lind në mënyrë inkoshiente një dëshirë për t’u bërë artist apo sportist, domethënë njerëz që janë të famshëm, në qendër të vëmendjes. Besoj që edhe me mua duhet të ketë filluar kështu, sepse pëlqeja artin dhe sportin. Me rritjen time kuptova se kisha lidhje shpirtërore me teatrin dhe me filmin që më dukej në fakt shumë i vështirë për ta arritur për shkak të adhurimit që kisha.
Dalja juaj e parë në skenë ka qenë përkrahë Yllka Mujos. Çfarë kujtimesh ruani sot nga kjo dalje skenike?
Natyrisht që e kam të memorizuar atë vepër të Roberto Bracco me regji të Driada Dervishit ” Të jesh nënë”, për faktin se është dalja ime e parë në skenë, ku kisha partnere Yllka Mujon dhe në krah të saj isha komode.
Ka pasur një periudhë të jetës suaj, që ju morët iniciativën për të qenë emigrante në Itali. Si e kujtoni atë periudhë edhe çfarë u bëri që të riktheheni sërish në Shqipëri, në teatër?
Pyetja juaj e ka përgjigjen brenda! Teatri! Vetëm ai më ktheu! Nuk di konkretisht çfarë lidhje dashurie kanë njerëzit me profesionet e tyre. Sigurisht që duhet të kenë, kjo është e sigurt… Por, vetë ky profesion që është i lidhur me emocionin, me pasionin, me dashurinë për artin, për të bukurën, krijon një magji të jashtëzakonshme te ne që ushtrojmë këtë profesion. Vërtet ika për një jetë më të mirë, si gjithë emigrantët, por magjia e artit më bëri të kthej kokën mbrapa dhe të mos e “tradhtoja” teatrin.
Si nënë, bashkëshorte edhe artiste, sa ja dilni që të koordinoni secilin rol në jetën tuaj?
Unë jam nënë, jam bashkëshorte, jam dhe aktore. E gëzoj këtë status dhe ky është fakt. Dhe nëse e gëzoj ndodh, sepse baza është mirëkuptimi dhe respektimi reciprok.
Sot pas një karriere të gjatë në skenë, a ka momente, që ju i thoni vetes: Përse u bëra artiste?
Sot, por as nesër nuk do t’ia them vetes kurrë këtë thënie që s’dua të përsëris, sepse më dhemb nëse e artikuloj. Kurrë!
Sot artistët e Tiranës janë ende duke kërkuar të drejta, që nuk i kanë, por jo vetëm. Për ju sa e lehtë apo e vështirë ka qenë që të jeni artiste në këto vite të cilat shoqëria?
Është shumë e vështirë të jetosh vetëm me teatrin. Këshilltari i perandorit August Caius Maecenas-atis (protektor me shumë influencë i artistëve) dha gjithë pasurinë e tij në dobi të aktoreve të antikitetit. “Tragjedistët e gaztorët luajnë me jetën e tyre për të na zbavitur ne, prandaj unë i ndihmoj, dëshirë e imja është t’u krijoj jetë sa më të mirë, që kështu t’i kemi sa më gjatë në amfiteatrot tona”.
Për shembullin dhe me sensibilizimin që ky i bëri bizneseve të kohës aktorët u pasuruan shumë dhe filluan rikonstruksionet e amfiteatrove, si dhe ndërtime të reja të tyre.
Numëroni shumë role në teatër, por cili është ai rol, të cilit jo vetëm i keni dhënë shpirtin tuaj, por edhe keni marrë prej tij?
Janë dy role në fakt, Klitemnestra në tragjedinë “Elektra” të Sofokliut, rol që e kam dashur dhe jam përfshirë në mënyrë të jashtëzakonshme. I dyti është Kalipso në dramën “Askushi” të Bashkim Hoxhës. Kur e lexova m’u duk që ishte shkruar për mua dhe po kështu e interpretova.
Keni interpretuar edhe në filmin “Mrekullia” me regji të Bruno Shllakut. Cili është ndryshimi mes kinematografisë dhe teatrit për ju?
Është një film me skenar dhe regji nga Bruno Shllaku, ku isha në pozicionin e protagonistes. Është filmi im i parë me rol të plotë dhe falënderoj pa fund Brunon që më përzgjodhi, mirënjohje pa fund për Brunon, sepse është një nga rolet e mia më të dashura, besoj me të arrira dhe për këtë jam shumë e lumtur.
Unë e dua shumë teatrin ku emocioni është i drejtpërdrejtë, si dhe marrëdhënia me publikun. Por, brenda meje kam dashur gjithmonë filmin, i cili në ndryshim nga skena nuk ka marrëdhënie me publikun, por me syrin vigjilent të kamerës dhe që kërkon forcë dhe botë të fuqishme shpirtërore për të improvizuar çastin, momentin, qoftë edhe një pikë kulminante që mund të fillojë në një fillim skene xhirimi pa u bërë nxehja, që bëhet në skenën e teatrit dhe ku emocioni zhvillohet gradualisht.
Gjithsesi regjisori im ka qenë një kurator shumë i kujdesshëm, duke mos më lënë të kaloj asnjë çast bosh. Në çdo produkt artistik skenik apo filmik mirëfunksionimi aktor-regjisor është vendimtar për një “happy end”. U vendosën ura besimi reciproke, të cilat u respektuan deri në fund.
Cilët janë njerëzit, që të kanë mbështetur më shumë në këtë rrugëtim tuajin?
Familja ime natyrisht është mbështetja ime kryesore që më ka mirëkuptuar mungesat, apo oraret e stërzgjatura të provave.
Dhe së fundmi, cilat janë projektet e ardhshme artistike
Kam dy role në dy filma të tjerë dhe dy komedi secilës, duke i lënë kohën e vet. Bashkëpunëtoret kam dëshirë t’i lë surprizë… Por, një rol të mezipritur dua ta përmend. Një rol shumë të bukur në një nga kryeveprat e Shekspirit “Mbreti Lir”, të cilën do ta vendosë në skenë një regjisor i njohur grek.