Intervistoi për “Albanian Free Press”: Albert Z. ZHOLI
INTERVISTA/ Flet “Mjeshtri i Madh” i kinematografisë shqiptare:
“Rruga ime në televizion ishte ajo e artit, pasionit tim. Unë ndërtoja më shumë kinema në televizion, pasi me atë isha i lidhur më shumë”. Kështu e vazhdon rrëfimin e tij për “Albanian Free Press”, “Mjeshtri i Madh” i kinematografisë dhe regjisurës shqiptare, Mevlan Shanaj.
Duke treguar episode të posaçme nga bashkëpunimi i tij ndër vite me të mëdhenjtë e skenës shqiptare dhe ekranit, si Sandër Prosi apo Kadri Roshi etj. Gjithçka, në kujtim dhe nostalgji të atyre viteve, ku sipas tij mbizotëronin pasioni dhe profesionalizmi, të shoqëruar me një miqësi të madhe dhe raport njerëzor të pazëvendësueshëm …
Kam mësuar se që kur mbaruat Akademinë, ju u emëruat si regjisor tek Televizioni Shqiptar. Në ç’vit ka qenë dhe si e morët këtë emërim?
Ka qenë viti 1969 kur jam emëruar si regjisor në TVSH, në një moshë shumë të re. Në atë kohë nuk kishte televizorë në Tiranë, ishin me gishtat e dorës aparatet televizive. Por dua të bëj me dije se kisha hyrë në televizion që kur isha student, si folës i lajmeve.
Ishte viti 1968, ku lexoja në TVSH lajmet me Vera Zhejin ku më afroi Misto Zoto, i cili ishte dhe pedagogu im, por edhe regjisor në televizion. Në atë kohë, TVSH-ja ishte një televizion eksperimental me 25 veta. Ndoshta kam një rast unikal në botë, (qesh…), ma kalon vetëm Çaplini sepse ai është gjeni) pasi kam prekur gjithçka në ekran, që do të thotë shumë.
Të tjerët kanë pozicione të caktuara në ekran; ku njëri është aktor, regjisor, folës, tjetri skenarist, organizator, etj. Unë kam bërë çdo gjë, kam filluar nga folësi i lajmeve, nga drejtues si shou-man, kam bërë koncerte të Radio-Televizionit, kam qenë spiker Festivali, regjisor i tij, kam eksperimentuar sinkronizimin për herë të parë të këtyre spektakleve me superpozim me “play back”, etj… Dhe të gjitha këto i bënim në mënyrë primitive, sepse ishin vitet ‘70 dhe nuk ishte ky modernizim.
Kam bërë reportazhe, dokumentarë, për të cilët jam ndër të parët në televizionin eksperimental, ku bashkë me një grup shokësh kemi dhënë modelin se çfarë është televizioni. Pra, rruga ime në tv ishte ajo e artit, pasionit tim. Unë ndërtoja më shumë kinema në televizion, pasi me atë isha i lidhur më shumë.
Çfarë regjie ke bërë konkretisht?
Të gjitha, pa përjashtim. Shtyp butonat për ty që flet, për atë që tregon përrallën, pastaj biseda në studio. Pastaj filluam të tregojmë që ne mund të bëjmë më shumë, si reportazhe të vogla, pastaj dokumentarë, më vonë nxorëm dramën nga skena në ekran dhe pastaj, unë bëra filmin e parë televiziv “Korrierët” si regjisor. Dhe mendoj kjo është realizuar në vitin 1975 me një grup njerëzish “aventurierë”, ku 7 veta kemi qenë paralelisht në të njëjtin vend xhirimi në Dardhë të Korçës me filmin “Dimri i fundit”.
Pra, realizoheshin dy filma njëkohësisht, ku tek “Dimri i fundit” ishin 25 veta, ndërsa tek “Korrierët” 7 veta. Pra, “Korrierët” mbetet si filmi i parë shqiptar televiziv. Aventura ime me Pali Kuken në kamera dhe Gjergj Shteto në zërin direkt, është unikale për atë kohë.
Pas sa vitesh e realizove filmin “Rrugicat që kërkonin diell”?
E kam realizuar mbas 5-6 vjetëve të filmit tim të parë, ku ndërkohë kisha bërë edhe disa filma të tjerë, deri te “Rrugicat”. Regjisor ishte Hysen Hakani. Ai e la në mes filmin dhe e morën dy asistentë, Rikard Ljarja dhe Saimir Kumbaro. Kam një respekt shumë të madh për autorin e skenarit, Dhimitër Xhuvanin që e kishte libër dhe që e kthye në një film simbol.
Xhuvani, ky kolos, njeri i thjeshtë, vinte dhe rrinte me ne, me grupet e xhirimit dhe ndërhynte e korrigjonte. Ai ishte një burrë modest, i qeshur, gazmor, komunikues. E kujtoj me nostalgji. Por ah, (qesh)! S’e kam thënë, por unë jam edhe nuni i filmit sepse unë e kam quajtur “Rrugicat që kërkonin diell”, nga “Zgjimi i Nebi Surrelit”, që ishte në libër.
Po si regjisor, cili ka qenë filmi i parë i juaji, qoftë dokumentar, qoftë artistik?
Dokumentari i parë që kam realizuar ka qenë një për Tefta Tashkon, në vitin 1971. Pastaj “Marie Kraja”, “Pandi Raidhi”, dokumentar për qytetin e Korçës për Beratin. Filmi për Beratin nuk është transmetuar, u shfaq në kolektiv dhe morëm vlerësime maksimale, u fol me superlativë, por pas disa ditësh më thirrën duke më thënë që të hiqja një episod.
Unë nuk e hoqa si i ri që isha, ndaj nuk u shfaq kurrë. Në këtë film spikati skenari i Shpëtim Gines, një talent, që fatkeqësisht iku herët nga kjo jetë. Kemi punuar me pasion së bashku me Pali Kuken dhe narratorin Sandër Prosi. Por duke qenë televizion në zhvillim, ne mbulonim shumë fusha. Çdo dokumentar ka historinë e vet.
Më vonë kam xhiruar “Avni Rustemi” si dokumentar. Por eksperimentuam dhe me dramat, teledramat e filmin artistik. Ne arritëm t’i imponoheshim administratës së kohës, pasi realizuam disa filma televizivë nga regjisorët, Albert Minga, Ylli Pepo, Vladimir Prifti me filmin “Udha e shkronjave”, filmi im “Plumba Perandorit”, (një film jetëgjatë, që edhe sot diskutohet), “I paharruari”, “Të shoh në sy”, deri tek “Fletë të bardha”.
Ky i fundit ishte një film që pati shumë diskutime dhe herë pas here u diskutua, pasi për herë të parë në ekran u prekën problemet e kohës, pra, solli një tronditje në administratën e kohës. Ishte një film provokativ.
Duke qenë i vështirë si profesion regjisura, keni patur moment që jeni ndjerë keq?
Jo se jam ndjerë keq. Por për të qenë i sigurt në rrugën time, për të qenë sa më “Mevlan” në këtë rrugë me hapësira të pakufishme, tek “Korrierët” që nuk kisha përvojë, me operator Pali Kuken (me të cilin kam disa punë) kam eksperimentuar që me pak veta mund të bëhet një vepër arti. Dhe me pasion, ia arritëm.
Vështirësi të mëdha kam pasur në krijimin e atmosferës “Plumba Perandorit”, pasi transformuam qendrën e Tiranës për të krijuar skenat e atentatit në rrugën e Elbasanit, të cilat i krijuam me besnikëri të admirueshme aty ku është parlamenti. Një ditë do të mblidhej kuvendi (në sistemin komunist) dhe na u dha urdhër që të sforcoheshim, pasi do vinin deputetët dhe nuk duhej të shihej dekori fashist që ishte krijuar, skenat ku dukeshin figurat e Duçes apo Viktor Emanuelit.
Me një pasion të madh dhe forcë fizike, si Pali Kuke (operator, unë si regjisor dhe Fatbardh Marku si skenograf) i zhvilluam skenat përfundimtare në kohë rekord. Ishin momente shumë të tensionuara, shumë të papa-rashikueshme për një film të tillë.
Po si aktor, cilin rol do të veçoje si të lodhshëm të stër-mundueshëm?
Çdo film ka tekat e tij. Por, lodhje të madhe kam pasur te roli i Nebi Surelit, jo se ishte me dy seri. Është xhiruar në verë dhe veshja ishte dimërore. Një pallto dhe një karrocë. Aq më tepër kur filluam xhirimet ishim në Korçë, pastaj na zhvendosën në Durrës. Pra, të xhirosh me veshje dimërore në mes të verës në Durrës, vërja vetë emrin.
Lodhja ishte e madhe, por ishte mosha që e përballonte. Gjithë ai qymyr, pisllëqe, djersë, dhe kur mbaronte dubli në çezmën e rrugës bëhej një shpëlarje derisa të vinim në hotel. Ajo karrocë e rëndë që e tërhiqje si kalë. Kishte lodhje fizike, por në fund realizimi me sukses ka dhënë frytet e veta.
Kam punuar me dy nga miqtë e mi shumë të mirë, Rikard Ljarja dhe Sajmir Kumbaro, që e kishin filmin e parë. Më vonë ia ktheva borxhin Rikard Ljarjes, duke i dhënë rolin kryesor te filmi “Fletë të bardha”, me të cilin pata një bashkëpunim të shkëlqyer.
Sa vjet qëndrove tek RTSH-ja?
Gjithë jetën. Nga viti 1969 -2002, (me një shkëputje prej katër vjetësh 1992-1996)
Në cilat festivale ke qenë si folës?
Vetëm një herë kam qenë folës në Festivalet e RTSH, në festivalin e 9-të.
Diçka për regjisorët e TVSH?
Unë, Robert Minga dhe Ylli Pepo, ishim tre regjisorët e parë në televizion, ku kanë kaluar shumë breza, të cilët u edukuan me ekranin dhe dhanë eksperiencat në televizionet e shumtë pas vitit 1990.
Flitet ende për koncertet e Vitit të Ri në sistemin monist, mendimi juaj?
E vërtetë. I veçoj koncertet e Vitit të Ri, ato të famshmet. Në njërin nga më të arriturit shpërtheu humori i Pëllumb Kullës dhe atë vit rastisi të isha unë ai që arrita të nxjerr emrin e tij për herë të parë në ekran, pasi ishte i censuruar, edhe pse me aftësi të përsosura e etiketonin me biografi të keqe (qesh). Edhe sot, ato koncerte transmetohen të copëzuara. Punonim muaj të tërë për t’i realizuar dhe gjurmët ndihen ende.
Po me udhëheqësit e asaj kohe, a ke pasur ndonjë kontakt?
Jo, asnjëherë! Unë kam bërë dokumentar për takimet e Enverit. Kam bërë 4 dokumentar “Gju më gju me popullin” me rastin e 75 -vjetorit. Në televizionin shqiptar më shumë jam marrë me rubrikat serioze të artit dhe të kulturës. Nuk isha te politika.
Edhe te vdekja e Enver Hoxhës kam qenë si regjisor i transmetimit të ceremonisë së vdekjes. Kam xhiruar si regjisor në kongresin, ku Mehmet Shehu u censurua (në nëntor 1981), pas atij momenti në dhjetor 1981, ai ka vrarë veten.
Po nga drejtorët, kush ka qenë më i prerë për atë institucion?
Marash Hajati. Në fillim drejtor ka qenë Thanas Nano, pastaj Todi Lubonja, Thanas Nano përsëri dhe pastaj të tjerë pa fund. Kemi bashkëpunuar në disa programe të Vitit të Ri dhe kam bërë disa dokumentarë me Marashin. Kemi bërë një dokumentar për Komanin, ku morëm edhe çmim. Kishim marrëdhënie të respektuara me njëri-tjetrin, unë nuk e dija se isha mik i tij.
Gjatë viteve në sektorin e kulturës, kam bërë një numër të konsiderueshëm dokumentarësh, mes të tjerëve dua të përmend, Lasgush Poradecin i vetmi dokumentar ku Las-gushi flet në intervistë me zë.
Një pjesë të mirë, gati 30 minuta i lashë jashtë dokumentarit të sinkronizuar, duke menduar se ishin të patransmetueshme për atë kohë censure. Mendova të rrinte aty në arkiv pa u dhënë. Mbas vitit ‘90 shkova i kërkova ato materiale dhe nuk i gjeta. Edhe doku-mentarin për Beratin nuk e gjeta.
Fole për shumë artistë të mëdhenj që ke bashkëpunuar, me kë ke pasur miqësi dhe situata të veçanta?
Nuk ka artist në Shqipëri që ka emër, si në teatër, ekran, humor, muzikë të asaj kohe, që nuk kam punuar duke filluar nga Naim Frashëri, të cilin e kisha mik shumë të mirë, pas punës si pedagog, por edhe nga adhurimi im për të si një ndër më të mëdhenjtë e skenës shqiptare.
Kur vuri në skenë shfaqjen “Pushkët e nënës Karrar” pashë se më çmonte dhe kur më emëruan në televizion, më tha se “nuk duhet të shkosh në televizion, pasi ti je artist dhe do të vish në teatër, nuk ke punë në tv”.
Pas disa ditësh shkoi tek Fadil Paçrami, i cili ishte sekretar i Tiranës dhe kishte lidhje shumë me teatrin. I shtroi problemin, por Fadili “iu përgjigj se përderisa e ka marrë Thanas Nano, unë nuk ndërhyj”.
Si regjisor në televizion ke pasur rastin të punosh siç më thatë edhe me këngëtarë, jo vetëm me aktorë. Kujton ndonjë rast të veçantë?
Mbi të gjitha, është mikja ime Vaçe Zela (i përjetshëm kujtimi i saj), edhe ajo që ka mbetur në arkiv dhe jepet shumë herë, që është Vaçja me kitarë. U regjistrua në një nga programet e Vitit të Ri, ku punoja së bashku me Vera Grabockën. Shkova e mora Vaçen në shtëpi, pasi na duhej prezenca e saj dhe u improvizua ajo që tashmë ka mbetur.
Po ashtu, kujtoj që kam xhiruar Fatime Sokolin në Dragobi, apo Liri Rashën ende nxënëse shkollë në Zall-Dardhë të Peshkopisë, apo me Kleoptara Skarcon në Vlorë, me të cilën realizuam provën e parë më 19700n me superpozim apo “play back”, por pa aparaturat e përshtatshme. Vullneti dhe pasioni, na shtynte të provonim gjithçka.
Kemi xhiruar me film në këtë rast, por operatori i ri pa eksperiencën e duhur e ngatërronte futjen e filmit në kamera dhe ishte shoferi, një njeri praktik që mbushte kasetën me film, duke e ndihmuar operatorin, ndërsa mjeshtri Gjergji Shteto që kishte në këtë rast punën më të vështirë ne studio, nuk tha asnjëherë që nuk bëhet.
Diçka për humor… Kur shkuam në hotel tek Uji i Ftohtë, Vlorë, do flija në një dhomë me Gjergj Shteto, inxhinier zëri. Nxjerrim pasaportat në sportel dhe Gjergji kishte marrë pasaportën e të shoqes, jo të tijën. U regjistruam dhe nuk u ndjemë se mos nuk na pranonte sportelisti dhe më pas e kaluam me humor me Melpon, të shoqen duke i thënë se ke fjetur në një dhomë me mua (Mevlanin).
Ky ishte material i mjaftueshëm për divorc, (qesh). Pra, me këtë dua të them se kishim miqësi të pastër në ato vite, që e kujtojmë me nostalgji.
Në shumë biseda më keni përmendur shumë Sandër Prosin, cilat ishin marrëdhëniet e tua me të?
Sandër Prosin e kam pasur mik të madh. Sandri pati peripecitë e tij në jetë, pasi kishte një ndjeshmëri të madhe njerëzore. Kur xhiruam tek filmi “I teti në bronz”, më vinte tek krevati që të bisedonim sipas skenarit. Në ndërtesë, po bëheshin disa rregullime dhe kishte shumë zhurmë. Sandri që të mos dëgjonte zhurmën vuri pambuk në vesh dhe po bënte dialog me mua.
Unë e pashë që vuri pambuk dhe për ta ngacmuar nuk i nxirja zë, po hapja vetëm gojën dhe ia jepja tekstin pa zë. Pra, sa hapja gojën dhe nuk nxirrja zë. Ai buzëqeshi, e kuptoi humorin tim dhe ky ishte xhesti që ne u bëmë miq. Në një film tjetër kemi diskutuar mbi detajin e kapelës të cilin ma propozoi ai që ta bëja.
Po xhironim për filmin “Plumba Perandorit”. Ishim te “Vollga” në Durrës dhe aty në lokal hynë disa vajza, ku njëra nga ato ishte shumë e bukur dhe Sandri e ndërpreu bisedën dhe i iku koka duke e parë vajzën. Sandri nuk ishte për këto punë, nuk ishte i dhënë pas femrave, por ajo vajzë e goditi. Pas atij momenti, ne e kërkuam atë vajzë dhe e futëm në film.
Unë kam qenë regjisor tek ky film dhe Sandrin e kam pasur aktor. Një tjetër moment. Po xhiroja filmin “I paharruari” dhe në një moment vjen Sandri dhe shikon kur ishim në Korçë për xhirim. Shikonte detajet. Fliste pak dhe gjurmonte atë të voglën që pakkush e kap. Duke parë veshjet diçka nuk i pëlqeu.
Vjen dhe në mënyrë miqësore më thotë se distinktivët që kanë në gjoks personazhet janë shumë të mëdhenj, bëji më të vogla. Kishte të drejtë, e korrigjova menjëherë gabimin. Një episod tjetër me Sandër Prosin. Kur ishte ndërtuar i famshmi 15-katësh, një ditë e shikoj që ishte në tavolinë me një njeri tjetër, të cilit i buzëqeshte dhe i tundte kokën.
Pasi ai tjetri iku i them: “Si shumë i buzëqeshje atij njeriu”. “I buzëqeshja kot, -tha, – se më lavdëronte dhe më hyjnizonte”. Një episod tjetër është kur ai tentoi për vetëvrasje. Një ditë kur po bëhej apeli në teatër, personi përgjegjës që bënte apelin siç duket nuk e pa Sandrin, apo s’i kushtoi vëmendje në apel dhe nuk ia përmendi emrin.
Sandri shtangu pse nuk iu përmend emri. Ishte shumë i ndjeshëm. Menjëherë më tha se “duket më paskan hequr nga teatri”. U hutua. Ishte ajo lufta që bëhej herë pas here brenda qenies së tij, për të qenë më shumë se i përpiktë. Pas apelit shkoi në shtëpi. Ishte vetëm, në gjendjen e depresionit se e kishin hequr nga teatri që e donte aq shumë, mori thikën dhe ia futi vetes.
Përfundoi në spital. Sa e mora vesh, shkova në spital dhe i fola ashpër për atë që kishte bërë. “Rri, – më tha, – se për dy gisht kisha mbaruar punë, por nuk mbarova”. Shpëtoi. Jo më vonë se një muaj, në një mbledhje Enver Hoxha tha që “kemi artistë të mëdhenj si Sandri, etj”. Kjo e qetësoi, por dhe e mobilizoi.
Çfarë zakoni të veçantë kishte Sandër Prosi në raport me aktorët e tjerë?
Ai e kishte zakon se cigaren e parë e ndizte me shkrepëse dhe të tjerat i ndizte cigare me cigare. Gishtat i kishte të verdhë nga cigarja. Nuk mund ta kuptoje Sandrin pa cigaren. Një episod tjetër me Sandrin. Ishim në një zonë nga Burreli, ku xhironim filmin “Guximtarët” në vitin 1970.
Sandri rrinte me tuta dhe bluzë, “këmishën nuk e vesh thoshte se në male jemi, këmishën e ruaj për në Tiranë, se vetëm këtë këmishë kam”. Ai kursente shumë.
Punonte gjatë verës kur ne kishim pushim në verë, ndërsa ai vinte dhe merrte një rrogë plus në kinema. I varfër dhe korrekt. Viktor Gjika e kishte Sandrin në çdo film në episode të ndryshme. Kur ia kam thënë këtë fakt Viktor Gjikës, ai u habit nuk i dinte këto, se ato ishin personale.
Sa role ke si aktor?
Nuk e di, nuk kam shumë dhe nuk e di.
Po si regjisor?
Në televizion janë pa fund. Kam eksperimentuar i pari të marr nga skena komedinë “Pallati 176”, për ta transmetuar në televizion. Kam eksperimentuar muzikën me “Play Back”. Në televizion mund të jenë më shumë se 10 dokumentarë, filma artistikë janë rreth 8, drama janë pa fund, koncerte pa limit. Kujtoj dramat “Orët e Kremlinit”, “Bernarda Alba”, “Epoka para gjyqit”, “Vdekja e komisionarit”, “Fernando Krafti” e shumë të tjera.
Filmi i fundit juaj artistik?
Është filmi “Lule të kuqe, lule të zeza”, një film i suksesshëm jo vetëm brenda por edhe jashtë vendit, një film që kritika e vlerëson ende. Ky film është realizuar në vitin 2003.
VLERËSIMI: “S’ka aktor më të fuqishëm në skenë se Kadri Roshi”
“Me Kadriun unë isha njohur që kur isha student në teatër. Mund ta kishim parë më shumë se 20 herë Ezopin. Një aktor i jashtëzakonshëm, nuk ka aktor më të fuqishëm në skenë se Kadri Roshi. Për mua, rival ai ka pasur vetëm Naim Frashërin, të gjithë të tjerët janë distancë me kilometra dhe jo me metra.
Ai mbizotëronte dhe kontrollonte në mënyrë të jashtëza-konshme marrëdhënien me partnerin e me publikun. Dinte të shikonte edhe se kush po kollitej në sallë. Ka qenë aktiv në veprim, aktor i zgjuar. Po xhironim te filmi “Malet me blerim mbuluar”, ku një pasdite ishim në Libohovë.
Ditë dimri kur ja, del një rreze dielli të mirë tek kalaja ku ne po pinim raki. Papritmas Kadriu ia merr këngës. Ai këndonte bukur dhe recitoi në mënyrë të përsosur. Në këtë bisedë tha se “unë jam nga Mallakastra”. Edhe unë i them nga ai vend jam. “Ik more “cjap”, më thoshte mua.
A e dini se çfarë do të thotë për mallakastriotët, ta thotë Kadri Roshi në Libohovë këtë gjë?! Në filmin “Malet me blerim mbuluar” ne kishim një moment kur Kadriu duhet të më qëllonte me pëllëmbë. Regjisori i tha “qëlloje vetëm me një pëllëmbë”, por ai më qëlloi dy herë dhe fort.
Madje, ai në çdo dubël më fuste nga dy të forta dhe pas tyre më thoshte “a të dhemb?” dhe më përqafonte. Kemi pasur marrëdhënie konfidente, miqësore, profesionale. Pastaj si regjisor, unë e mora në një rol shumë të bukur tek filmi “Fletë të bardha”. Në atë film kemi punuar në mënyrë të shkëlqyer.
Një herë tjetër, ne po xhironim në Divjakë dhe Kadriu ka pasur pasion peshkun. Në Divjakë, çdo natë ne ia shtronim për të pirë dhe për të ngrënë peshk dhe njeriu që hante më pak peshk ishte Kadriu, i cili i zinte.
Kur isha i ri kam xhiruar Mentor Xhemalin, Naim Frashërin, Piro Manin, Prokop Mimën, Hysen Pelinkun, në Lezhë dhe në vitet 1971-1972 kam një episod fantastik sesi ata zënë peshk, besoj se diçka nga këto materiale duhet të ketë Stefan Gajo, një ndër bashkëpunëtoret e mi shumë të afërt në ato vite.