Regjisori Mevlan Shanaj pohon se është fatkeqësi që në Shqipëri mungojnë investimet e duhura për artin dhe kulturën. Në intervistën për “SOT” regjisori Mevlan Shanaj i njohur dhe për rolet e tij në filmat shqiptarë flet për vështirësitë e kinematografisë.
Sipas tij ende në Shqipëri nuk është kuptuar rëndësia e investimit në art dhe kulturë dhe problemet nuk janë të pakta. Në fushën e filmit regjisori pohon se një skenar i mirë në film duhet të ketë të gjitha mjetet e duhura për tu realizuar. Sipas tij sot dhe rrjeti i bashkëpunimit të kineastëve është shkëputur, është pa një mendësi dhe garanci.
Problem për regjisorin e njohur Mevlan Shanaj emrin e të cilit e mbajnë jo pak filma artistikë dhe dokumentarë është sepse sot nuk përsëritet brezi i pasioneve si dikur në kinema, si ai në kohën e Viktor Gjikës.
– Ju ishit i pranishëm në aktivitetin përkujtimor për 80-vjetorin e kineastit Viktor Gjika. E vlerësuat figurën e tij. Për ju çfarë përfaqëson Viktor Gjika në filmin shqiptar?
Viktor Gjika padyshim, që është figura më përfaqësuese e ekranit shqiptar. Figura më përfaqësuese në të gjithë tematikën, filozofinë dhe imazhin. Viktor Gjika është njeriu që poezinë, romantikën për ekranin e ka materializuar në majën më të lartë si askush nga ne të tjerët.
Ai është një poet, një dashnor i ekranit dhe gjithë karakteret dhe personazhet e tij janë krijuar me një poezi që nuk të shqitet nga kujtesa, po ashtu dhe skenat masive. Viktori goditi fuqishëm me njeriun shqiptar, me psikologjinë shqiptare dhe patriotizmin. Ju të rinjtë duhet të kuptoni, që Viktori nuk ka qenë i angazhuar në parti.
Nuk ka qenë asnjëherë anëtar partie, por ai ishte militant i patriotizmit dhe shpirtit shqiptar. Këtë gjë e bëri në mënyrë të përsosur. Nuk po flasim për një njeri që ka ikur, por për një patriot të kombit shqiptar. Viktori e filloi, që nga antologjia e historisë së shkruar për Ismail Qemalin dhe deri në tërë zhvillimin e ngjarjeve historike si “Gjeneral gramafoni” apo kulmin që arrti me “Rrugë të bardha”, që mendoj se është filmi më i arritur i ekranit shqiptar.
Kjo sepse nuk ka ndërtuar një frymë me një fabul të thjeshtë, fabula e njeriut në shërbim të njeriut. Sakrifikimi për ti shërbyer të tjerëve. Nuk ka aty as militantizëm apo të këqij, por ka njerëz, që duan të sakrifikojnë për njeriun.
Pra kjo ishte filozofia për Viktorin, që ti shërbente shoqërisë njerëzore në pikat me deçizive dhe kulmore. Po kështu edhe me filmin e tij dokumentar. Dokumentarët e tij kanë një poezi të patreguar. Për mua maja më e lartë e imazhit shqiptar ka emrin Viktor Gjika.
-U shprehët se filmat e Viktor Gjikës janë të vlerësuar. Për ju në ditët sot sa e vështirë është të bësh filma si ato që janë realizuar dikur në Kinostudio?
Sot janë kohë të tjera. Rrjedh një filozofi tjetër, rrjedhin marrëdhënie të tjera dhe në kohën që ishin filmat në Kinostudio për Viktorin ishte shteti investuesi kryesor. Dhe Viktori vinte nga një shkollë tepër profesionale si ajo e Bashkimit Sovjeti, ku ishte mësuar që në kulm të investimit dhe të ideologjisë së tij ishte porosia shtetërore dhe ajo gjë nuk mund të përsëritet.
Ndaj ne jemi në dy kohë dhe në dy realitete të krejt të ndryshme. Unë po flas për profesionalizmin. Profesionalizmi i tij ishte në majën më të lartë, dhe sot ajo që është kryesorja e sigurimit të mjeteve financiare e dimë që është krejt tjetër.
Mos harrojmë ata erdhën pas Luftës së Dytë Botërore me filozofinë e fitores, të transformimit, të ndryshimit dhe Viktori këtë e materializonte shkëlqyeshëm. Por sot janë interesa materiale, janë disa interesa më egoiste për filmin në kinema. Më vjen keq, që sot nuk përsëritet brezi i pasioneve si dikur në kinema si ai në kohën e Viktorit.
-Po flisni për filmin, për ju ku është shteti sot për kinematografinë shqiptare. Sa është bërë dhe çfarë ka munguar?
Sot në këtë periudhë tranzicioni përgjithësisht në Shqipëri nuk ka investimet e duhura për artin dhe kulturën. Kjo është fatkeqësi mendoj për të gjithë. Mungon nga shteti ajo vëmendje, që është e domosdoshme dhe e nevojshme për artin dhe kulturën, për teatrin, filmin etj.
Kjo sepse prioritetet e emergjencave të tjera ekonomike kanë bërë që vëmendja ndaj kulturës të jetë në plan të dytë. Për mua sigurisht që kjo është shumë e dhimbshme. Një komb zhvillohet kur kultura udhëheq. Por në vendin tonë kjo gjë në këto vite nuk është kuptuar dhe sot nuk ka vëmendje për artin dhe kulturën. Janë vështirësi të mëdha kur flasim për realizimin e filmit, kur flasim për një shfaqje teatrore etj.
-Realizohen filmat, por diskutohet jo pak skenari. Për kineastët gjithçka fillon nga skenari, për ju ku qëndrojnë problemet?
Puna e imazhit të kinemasë është komplekse. Nuk mund të ndajmë sektorët, pasi është dramaturgjia, ideja, është imazhi, regjia, mjeshtëria e realizimit të imazhit, pra kamera dhe teknologjia. Që të gjitha këto shkojnë në harmoni dhe nuk mund të ketë bukë të mirë pa miell të mirë.
Jemi tek ajo që përsërisin mjeshtrat e kinemasë, çfarë të duhet për tu bërë një film i mirë, skenar, skenar, skenar… Por skenari i filmit nuk mund të vijë në shkretëtirë kur ti nuk e shikon, që mjetet dhe rrjeti i bashkëpunimit të kineastëve është shkëputur, është pa një mendësi dhe garanci. Skenari do garanci që të realizohet, nuk ulet njeri që të shkruajë.
Skenari i filmit nuk është letërsi, por është një zhanër, që është krejt i veçantë dhe delikat. Nuk gjen skenar filmi në pazar apo në bibliotekë dhe librari. Skenari bëhet me grupin e xhirimit, me regjisorin. Por kur regjisori është ende në ajër dhe nuk di nëse do ta realizojë apo jo filmin, do ti sigurojë mjetet financiare apo jo edhe skenaristi si duket ndjehet pak i larguar.
-Ju flisni për filmin, vështirësitë e realizimit të tij, por vijoni të jeni shumë kritik dhe për kinemantë e munguara…
Siç ju thashë që vëmendja ndaj artit dhe kulturës në vendin tonë pothuajse bie në vësh të shurdhër, nga kjo ka ndodhur që edhe kinemaja nuk e ka rrjetin e distribuimit. Një film që nuk distribuohet e ka jetën e shkurtër.
Distribuimi i filmit është mundësi dhe ne fatkeqësisht nuk po arrijmë dot ta krijojmë këtë infrastrukturë të kinemasë shqiptare, që mungon në Shqipëri. Kjo kërkon jo vetëm mendësi, por dhe investime.
-Të realizosh për ekranin mbetet e vështirë?
Çdo gjë që do ta bësh në ekran është e vështirë dhe jo vetëm filmi artistik. Çdo gjë që mban firmën që të dali në ekran është e vështirë nëse je serioz. Por në rast se do të bësh video, të menaxhosh emër fals, ose të menaxhosh mundësi për përvetësimi financiare ato nuk kanë të bëjnë me krijuesin. Krijuesi në art ka vetëm një shenjë, suksesin.
-U zhvillua një aktivitet që ju mblodhi në Kinostudio sot është Ministria e Kulturës…
Ku e di unë se ku është Ministria e Kulturës? E tërë Kinostudio ka humbur. Ish Kinostudio është shndërruar në një lavazh të madh të shpëlarjes së mendjes së njerëzve.
-Jeni shprehur se filmi është jeta juaj…
Filmi, filozofia, komunikimi me publikun është jeta ime. Nuk mund të shkëputen. Kjo do të ndodhë vetëm kur të vdes. Unë di që jam në kontakt për imazhin, për problemet e kinemasë, të televizionit, për problemet sociale. Unë angazhohem dhe për problemet sociale.
Intervistoi: Julia Vrapi