Marilda Furxhi: Jeta pa Vangjushin, e mbushur me shumë vështirësi

0

 

 

Ajo  është një grua e devotshme dhe e përkushtuar për familjen dhe profesionin e saj. Gjithë jetën është munduar të përpjesëtojë në gjysmë, jetën si grua dhe jetën profesionale. Ende praktikon këtë metodikë edhe sot, por më e obliguar, sepse tashmë është edhe gjyshe. Kjo është aktorja Marilda Furxhi, bashkëshortja e të ndjerit, artistit të madh, Vangjush Furxhiut.

Prej 35 vjetësh ajo aktron para fëmijëve në Teatrin e Kukullave, një karrierë të cilën e filluar bashkë me bashkëshortin e saj vite më parë. Për gazetën “Shekulli” ajo rrëfen se jeta bashkëshortore nuk ka qenë shumë e lehtë  për shkak të angazhimeve dhe karrierës së tyre artistike. “Çdo ditë Vangjushi kishte shumë angazhime dhe unë u detyrova të përballoja të gjitha vështirësitë ditore të familjes”, shprehet ajo.

Pas vdekjes së aktorit Furxhi ajo u bë një grua që mori përsipër të përballojë jetën në mungesë të “njërit krah”, të rrisë fëmijët, t’i arsimojë dhe të jetojë për ta. “Kur vdiq Vangjushi, nuk mendova vetëm fatkeqësinë, por isha e zhytur në hallet dhe problemet që mund të më dilnin përpara. Vajzën e kishim në gjimnaz dhe djalin më të vogël.

Jeta vazhdon me të mirat dhe të këqijat e saj. Tani kam dy mbesa të vogla dhe një nip, që më mbushin shpirtin tim”, thotë Marilda. Në këtë intervistë ajo na rrëfen momente të jetës me Vangjushin dhe vështirësitë ekonomike që ajo ka kaluar.

 

Si ka qenë Vangjushi si bashkëshort?

Vangjushi ka qenë një njeri, familjar, bashkëshort shumë i dashur. Si çdo artist ka pasur natyrë shumë të ndjeshme dhe për të familja ishte shumë e rëndësishme. Ne jemi martuar të dy shumë rinj dhe me jetën tonë artistike kemi qenë shumë ngarkuar.

Ai ishte një artist në karrierë dhe jeta jonë në çift ka qenë e vështirë. Pothuajse gjithë ditën Vangjushi kishte shumë angazhime dhe nuk ishte në shtëpi. Unë jam detyruar të përballoja të gjitha vështirësitë ditore të familjes. Jetonim bashkë me prindërit e Vangjushit dhe unë u përkushtova shumë familjes, por me pak vështirësi, sepse nuk lashë pas artin.

 

Si ia dolët të bënit jetë artistike dhe familjare njëkohësisht?

Natyrisht unë gjithmonë kam toleruar duke qëndruar më shumë në shtëpi duke iu përkushtuar më shumë familjes, në krahasim me Vangjushin. Kam punuar gjithmonë në Teatrin e Kukullave, në një skenë të vogël dhe më të thjeshtë se puna e Vangjushit dhe e bëja me shumë dashuri. Jam përpjekur që të jem një nënë që përmbush detyrat e saj.

Jam tërhequr paksa nga karriera. Vangjushi, duke qenë se ishte më i talentuar me aftësitë e tij dhe dhuntitë e tij iu përkushtua më shumë jetës artistike. Me pak sakrifica dhe ndihmë nga familjarët mundëm të ecnim para. Ne donim artin dhe përkushtoheshim, por edhe familja ishte shumë e rëndësishme për ne.

 

Çfarë mban mend nga jeta bashkëshortore me Vangjushin?

Kam jetuar rreth 24 vite me të, një martesë me shumë dashuri dhe sinqeritet. Bëmë dy fëmijë dhe kam plot  nipër dhe mbesa. Kanë qenë vite të mbushura plot me punë, aktivitete, jetë aristike, suksese, por edhe shumë të lodhshme. Ende sot mbaj mend shumë momente, të cilat nuk harrohen dhe do ngelen gjithmonë, rolet e tij që i luante me aq shumë dashuri dhe përkushtim.

Edhe sot emocionohem shumë kur shikoj filmat që ka luajtur Vangjushi, kthehem pas në vite dhe përjetoj gjithçka. Këto nuk vdesin kurrë. Kujtoj të gjitha rolet dhe profesionalizmin e Vangjushit dhe secili, në planin e vet, është i arrirë. Kujtoj dhe krenohem përtej sakrificave që kemi kaluar.

 

Si ka vazhduar jeta juaj pa Vangjushin?

Kam qenë vetëm 43 vjeçe kur Vangjushi është larguar nga jeta. Kam rritur fëmijët e vetme. Më është dashur të sakrifikoj me forcën time fizike dhe psikologjike. Unë kam bërë edhe punë të tjera si dublime, punë dytësore, jo punë me shumë vlera, thjesht për të marrë të ardhura për të mbajtur familjen time. Jam marrë edhe me shoqata grash, me projekte të ndryshme, duke lëvizur nga një rreth në një tjetër. Nuk është se kisha një dëshirë shumë të madhe, por ishin të vetmet mundësi për të përballuar jetën.

Jeta më ka detyruar që të bëj shumë punë, sepse kisha dy fëmijë për të rritur, të cilët ishin në një moshë delikate dhe kishin nevojë për mbështetjen time. Vajza dhe djali ishin në moshën e adoleshencës kur Vangjushi u nda nga jeta. Kishin nevojë për mua, jo vetëm morale dhe shpirtërore, por edhe ekonomike.

 

 A është trashëguar arti në familjen tuaj?

Fëmijët e mi janë rritur me edukimin kulturor dhe artistik. Gjithmonë kanë ndjekur jetën artistike të qytetit, teatrin, ekspozitat, muze, kinematografinë. Të dy fëmijët e mi kanë botën tonë artistike. Janë të ndjeshëm, janë të dashur, artdashës, kanë temperamentin e Vangjushit dhe timin.

Ata nuk kanë ndjekur studimet për art dhe nuk janë artistë. Unë nuk e di nëse nipërit dhe mbesat do të jenë artistë në të ardhmen. Duke qenë se kemi kaluar një jetë të vështirë me shumë ngarkesa dhe strese, por edhe me vështirësi ekonomike, nuk kemi pasur dëshirën për t’i bërë artistë. Arti nuk është se vlerësohet shumë në vendin tonë.

 

Vangjush Furxhi, aktor dhe themelues i regjizurës

Vangjush Furxhiu, aktor i madh shqiptar, lindi në qytetin e Korçës më 24 mars 1943. Ai studioi në shkollën e lartë pranë Teatrit Kombëtar në Tiranë. Mbas përfundimit të shkollës punoi si aktor për 6 vite me radhë në Teatrin e Korçës dhe më pas si pedagog në institutin e Lartë të Arteve, ku ishte edhe një nga themeluesit e katedrës së regjizurës. Vangjushi, që në moshë të re u martua me aktoren shkodrane Marilda Furxhi, ku nga kjo martesë lindën dy fëmijë.

Gjatë karrierës së tij artistike interpreton një sërë rolesh në skenën e teatrit, si dhe mbi 15 role në kinematografi, ku mund të përmendim rolin e Arifit në filmin “I Teti në Bronx” (Viktor Gjika 1970), Peliçeli tek “Malet me blerim mbuluar” (Dhimitër Anagnosti 1971), si edhe rolet e spikatura në filmat televizivë: Xanini tek “Plumba Perandorit” (Mevlan Shanaj 1980), Latif Bora “Agimet e stinës së madhe” (Albert Minga 1981). Për shumë nga këto role është vlerësuar me çmime në festivalet kombëtare të filmit. Për meritat e tij artistike, Vangjush Furxhi është nderuar me titullin e lartë “Artist i Popullit”.

 

Shkodranja e ëmbël që luan 35 vite më kukullat

Sapo nxjerr fjalën e parë nga goja, e identifikojmë se cila është vendlindja e saj. Dialekti është një shenjë dalluese për të përcaktuar se është një artiste shkodrane, por prej moshës 18-vjeçare, ajo jeton në Tiranë. Artistja   Marilda Furxhi, dikur studentja e shkëlqyer e Akademisë së Arteve, tashmë është kthyer një profesioniste dhe personazh shumë i dashur për të gjithë fëmijët. Rrudhat në fytyrën e saj na tregojnë sakrificat e jetës, një e nga një, dhe punën prej 35 vitesh në Teatrin e Kukullave. Ajo ka luajtur me dhjetëra role në skenën e teatrit, në qindra shfaqje. Ajo i kujton një nga një këto role, me shumë emocion.

“Kam luajtur shumë role, por më i dashuri për fëmijët është roli i Hirushes në përrallën “Hirushja”.Të gjithë vogëlushët, edhe kur më shohin në rrugë, kështu më thërrasin dhe më pyesin se, kur do vihet përsëri në skenë. Këtë rol e luaj me shumë emocion, duke prezantuar te gjitha virtytet dhe mirësitë e këtij personazhi. Ata e duan kukullën dhe teatrin”, shprehet ajo. Por Marilda ka luajtur edhe shumë role të tjerë, që janë shumë të pëlqyeshme nga spektatorët.

Te përralla “E bukura dhe Bisha”, aktorja Furxhi luan rolin e personazhit Derë, që pëlqehet shumë.“Kur dal në skenë përpara tyre me këtë rol, ata brohorasin dhe janë shumë të emocionuar , nuk duan që unë të largohem nga skena”, shprehet ajo. E ndërsa rrëfen për këto role, ajo përmend edhe shumë aktrime të tjera, të dashura për fëmijët, si tek përralla “Veza Magjike”, personazhi Vesa e Marsit, tek përralla “Princi i vogël”, personazhi Dhelpër dhe tek përralla “Ulërimat e Pyllit”, personazhi Lepurusha.

 

Çfarë e emocionon Marildën

Është e ndjeshme dhe shumë e dashur, këtë na i reflekton që nga sytë e saj plot dritë dhe nga buzëqeshja që i mbizotëron në fytyrë. Ajo është shkodrane fisnike në tipare, ndërsa na thotë se pika e saj e dobët janë fëmijët. Përlotet dhe zëri i dridhet kur përmend vogëlushët spektatorë, të cilët ajo i do shumë.“Ata janë ndryshe, ndryshe nga spektatorët e mëdhenj”, thotë ajo.

Sipas saj, të aktrosh përpara fëmijëve për të është një emocion i veçantë, sepse përplasesh me një naivitet, me sy plot dritë dhe shkëlqim që të shikojnë me habi, padurim dhe kureshtje. “Janë spektatorët më të sinqertë dhe duartrokitjet e tyre janë më të zjarrtat që më mbushin zemrën time.

Jam mësuar me ta dhe kur punoj, i mendoj ata”, tregon aktorja. Sipas saj, fëmijët janë spektatorë që kërkojnë shumë nga ana profesionale, interpretimi e skena dhe aktorët duhet të bëhen një për të përcjellë mesazhin e duhur.“Është art kolektiv, nga i cili fëmija lind dhe krijon shijen mbi artin, një shije që do ta shoqërojë gjithmonë në jetë”, u shpreh ajo. Për aktoren, çdo fëmijë e do teatrin, do kukullën në skenë , ka nevojë për të, sepse që aty fillon të kuptojë botëkuptimin e jetës.

 

Jetën ia kushtova një qyteti tjetër

E lindur dhe e rritur në një familje të thjeshtë shkodrane, nga dy prindër nëpunës, në një qytet ku artit i kushtohej një vëmendje shumë e madhe, ajo na tregon se nuk vjen nga një familje artistësh. Megjithatë prirjet drejt artit i ka nisur që kur ishte 7 vjeç.

I pëlqente aktrimi dhe vazhdimisht angazhohej me aktivitetet e “Shtëpisë së Pionierit”e të “Rinisë Shkodrane”. Gjithçka mori një kthesë për të, kur filloi studimet për aktrim. Që nga ky moment u shkëput nga Shkodra, duke kaluar gjithë jetën në qytetin Tiranës.

“Përpiqem gjithmonë të kontribuoj në art, jo vetëm me anën ideore të personazhit, rolin e tij, por t’i përcjell spektatorit rolin e vërtetë të figurës sime. Nuk ika kurrë nga ky teatër, edhe fëmijët e mi i kam rritur këtu. Unë aktroja dhe ata më prisnin mbrapa skenës sa të mbaroja.

Kam punuar pa orar dhe asnjëherë nuk kam drekuar fundjavave me të afërmit  e mi. Shtëpia për mua ka qenë skena. Pushimet i kam të rralla”, rrëfen Marilda, bashkëshorte e artistit të madh, të ndjerit Vangjush Furxhi. Por për të, kontributi për artin në qytetin e Tiranës nuk mbaron këtu.

“Gjatë viteve të fundit kam bërë eksperimente, si personazh në filma me metrazh të shkurtër, në reklama, klipe dhe së fundmi, jam bërë pjesë e projektit “Edukim përmes Artit”. Jam bërë pjesë, me qëllimin e vetëm për të kontribuar në edukimin muzikor të brezave të rinj dhe për formimin e tyre artistik, që të krijojnë shije mbi muzikën dhe baletin”, tha ajo.

Marilda shprehet se, nuk është vetëm një profesioniste në aktrim, por edhe një mikeshë e dashur.“Nuk dua t’i humbas miqtë e vjetër, me ata kam kaluar jetën, por dua të fitoj edhe të rinj, përpiqem çdo ditë”, na rrëfen ajo.

 

Intervistoi Janula Vila

 

SHARE

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here