Marika Kallamata: Mbi 35 vite në teatër, si na anuloheshin pjesët teatrore gjatë provave gjenerale

0

 

 

 

Aktorja e mirënjohur Marika Kallamata për disa dekada ka dhuruar tek publiku role dhe personazhe nga më të ndryshmit. Jo vetëm në skenën teatrore që është angazhuar që në vitin 1950, por dhe në filmat shqiptarë ajo ka spikatur për rolet e saj. Një jetë e gjatë artistike, dje ajo mbushi 89 vjet, për aktoren ka qenë një punë e madhe por që i ka falur shumë kënaqësi.

Në intervistën dhënë për gazetën, aktorja që në vitin 1950 shkeli në Teatrin Popullor, kujton jo pak momente të veçanta dhe emocionuese. Rolet ndër më të suksesshmit janë: Ortensia, Aspasia, Mara, Fallxhesha, Nina, Ana, Nekija, dhe në mjaft role të tjera episodike ka qenë një aktore shumë e mirë. Edhe pse ishte e rrethuar nga dhjetëra aktore të suksesshme, Marika ruajti individualitetin e vet. Aktorja tregon se ajo doli në pension, në tetor 1985, por nuk u shkëput nga skena.

Në vitin 2004 ajo u ngjit me kolegët e saj në skenë pas shumë vitesh në dramën “Streha e të harruarve”, ku korri sukses me rolin e saj. Veç kontributit të saj në teatër dhe në kinematografi, ajo njihet nga të gjithë edhe si “gjyshja e përrallave”, gjë për të cilën tregon se ndjehet shumë e kënaqur. Aktorja Marika Kallamata lindi më 17 nëntor 1930 në qytetin e Fierit.

Fëmijërinë dhe rininë e kaloi në qytetin e lindjes dhe gjatë viteve 1947-1950 ka punuar si edukatore kopshti. Gjatë kësaj kohe aktivizohet në Shtëpinë e Rinisë, në grupin e valleve dhe atë të teatrit. Viti 1950 e gjen në Tiranë për prova si proviste. Dy vjet më vonë pranohet si aktore e roleve të vogla dhe episodike pranë Teatrit Popullor.

Në vitet 1958-1963, diplomohet në degën e dramaturgjisë, në Tiranë. Më 1982 merr urdhrin “Naim Frashëri”, fill pas dy vjetësh merr titullin “Artiste e Merituar”. Në vitin 1985 del në pension, por pas vitit 1990 interpreton në komeditë: “Shtëpia me dy porta”, “Nesër është vonë” dhe “Një baba tepër”. Karriera e saj artistike, numëron më shumë se 100 role.

 

Keni një jetë të pasur artistike ndër vite. Me dhjetëra role në teatër dhe në kinema. Sa vite karrierë numëroni në jetën tuaj artistike?

Karriera ime artistike ka nisur që në vitet ’50. Ka qenë e mbushur me momente të bukura dhe emocionuese, me role dhe shfaqje të ndryshme. Tani më 17 nëntor unë mbush 83 vjeç. Jeta ime artistike ka nisur shumë herët me trupat amatore të qytetit, dhe më pas në 1950 unë erdha në teatër.

 

Thatë që ka qenë viti 1950 kur ju keni filluar të aktivizoheni pranë Teatrit Kombëtar, atëkohë Teatri Popullor. Si i kujtoni vitet kur nisi dhe jeta juaj artistike në teatër?

E kujtoj ashtu si mund ta kujtojë një provinciale, që vjen në qendrën më të madhe të kulturuar të vendit. Në fillim isha shumë e druajtur, ishin fillimet e mia, por më pas dalëngadalë çdo gjë kaloi. Jeta ime artistike në teatër filloi me role të ndryshme, por fillimet sigurisht që kishin vështirësitë e tyre.Në vitet ‘50, të gjithë ishim të rinj, të vrullshëm për punën që bënim gjatë atyre viteve. Ishim entuziastë dhe të dashur për atë që na besohej të bënim.

 

Në jetën tuaj artistike që ka nisur që nga viti 1950 janë më shumë se 100 role. Veçoni ndonjë prej tyre?

Janë shumë role, por unë s’i dalloj dot. Unë jam aktore e roleve të karakterit apo dhe role të tjera të vogla, dhe për të gjithë këto role kam dashuri, kështu që nuk mund të veçoj asnjë prej tyre.Në çdo premierë, unë kisha rolet e mia. Kam pasur role, sepse e fusja kokën kudo. Kuptohet role të vogla episodike apo dhe role pa fjalë. Për shembull kam pasur rolin e një japonezeje që nuk fliste, por vetëm përshëndeste japonezët me mimikë.

Në teatër ka pasur shfaqje të suksesshme gjatë atyre viteve. Përmend këtu shfaqjen “Halili dhe Hajria”, që është vënë mbi 200 herë në skenë, “Familja e peshkatarit”, “Shtatë Shaljanët”, “Toka jonë”, etj. Në vitin 1985 unë dola në pension, por dhe më pas kam pasur aktivitet. Kam pasur dhe role të tjera në teatër, pas daljes sime në pension dhe më vjen mirë që jam angazhuar dhe gjatë atyre viteve me role.

 

Interpretimi juaj i fundit në skenën teatrore ka qenë në veprën “Streha e të harruarve” në vitin 2004. Si e kujtoni rolin tuaj të fundit në teatër?

Kjo ka qenë vepra e fundit, që kam interpretuar në skenën teatrore. Roli im ishte ai i gruas rome. Këtë rol ma dha regjisori Mihal Luarasi, dhe unë si aktore bëra punën time me shumë kënaqësi. Mendoj se solla një rol të realizuar, ishte një rol i bukur.

 

Gjatë këtyre viteve e ke ndjekur teatrin dhe kinemanë?

Jam munduar ta ndjek aktivitetin artistik me filmin dhe teatrin, por sigurisht jo të gjithë prodhimtarinë artistike.

 

Çfarë vlerësoni nga bashkëpunimi juaj me artistët e tjerë në teatër?

Ka qenë një bashkëpunim shumë i mirë me regjisorët dhe me aktorët. Kam pasur një plan krejt të veçantë, ku në secilën premierë siç ju thashë dhe më lart unë kisha rolet e mia. Me të gjithë kolegët kam kaluar shumë mirë.

 

Po vështirësitë, ku i keni hasur ato në aktivitetin tuaj artistik?

Për çdo aktor kur merr rolin ka vështirësi deri sa ai arrin ta krijojë. Pa punë nuk mund të sjellësh një rol të bukur, nuk krijohet kollaj roli. Prandaj dhe aktori ka si detyrë që ta sjellë personazhin të plotësuar nga ana artistike, të realizuar si duhet.

 

Sa e vlerëson dramaturgjinë shqipe në teatër?

Gjithmonë më kanë pëlqyer pjesët nacionale në skenën teatrore, më shumë se sa klasiket. Kjo sepse vetë jeta, gjithmonë duke vëzhguar, janë bërë shumë drama dhe komedi të bukura. Unë si aktore jam munduar që të bëj diçka në ato role që më kanë dhënë.

 

Angazhimi juaj nuk ka munguar dhe në kinematografi, madje dhe pas viteve ‘90 jeni angazhuar. Si ka qenë kjo pjesë e aktivitetit tuaj artistik?

Jam angazhuar në kinema, kam lozur në filma, por gjithmonë me role të karakterit. Tjetër gjë është teatri, dhe tjetër gjë është filmi. Në teatër e përsërit sërish rolin, ndërsa në kinematografi kjo nuk ndodh. Rolin në teatër e punon, ke një kohë shumë të gjatë për të punuar, ndjen dhe kënaqësi dhe më shumë. Në kinema është diçka tjetër, xhiron, ndërsa në teatër ka shumë kohë për një premierë, ke dhe tre muaj kohë. Nëse nuk të pëlqen ajo skenë mundohesh ta bësh ndryshe, por për mua të dyja janë të mira, si kinemaja dhe teatri.

 

Jeni nga aktoret e para të teatrit, por nuk keni munguar dhe me shkrime, ku së fundmi keni promovuar dhe librin tuaj “Të dashur kolegë”, i cili përmban dhe kujtimet tuaja për kolegët. Pas kaq vitesh, pse e sollët tani këtë botim?

Ndër vite kam shkruar kujtime, përshkrime karakteri, janë vargjet që unë kam shkruar. Libri im titullar “Të dashur kolegë” u shkrua, sepse gjatë gjithë kohës në raste të ditëlindjeve, për premierat, shkruaja gjithmonë me humor, dhe këto i kisha mbledhur pa pasur ndërmend se do ta botoja ndonjëherë. Mirëpo u bënë shumë, dhe më thanë që këto duhet të botohen dhe një ditë mua mu mbush mendja, që ti botoja të gjitha, ku më pas libri u promovua dhe mes miqve dhe kolegë të mi.

 

Jo pak role mbajnë emrin tuaj, sot pas kaq dekadash a keni pengje në jetën artistike?

Edhe mund të kem pengje, sepse shumë pjesë teatrore që kanë qenë shumë të mira nuk kanë pasur jetë artistike. Janë anulluar që në provën gjenerale në teatër, dhe kjo ndodhte për arsye ideologjike. Në këto pjesë teatrore kam pasur role shumë të mira, por fatkeqësisht veprat nuk u dhanë në skenë.

Kam pasur dhe shumë role në vepra të ndryshme artistike, që fatkeqësisht nuk janë regjistruar, sepse atë kohë nuk kishte televizion. Edhe kjo gjë është një nga pengjet e mia në jetën artistike. Aktori gjithmonë ka dëshirë që çdo rol i tij të mbetet, të jetë i regjistruar, por në vitet e para në teatër ne nuk e patëm këtë mundësi.

 

Ju thërrasin gjyshja e përrallave. Si ndiheni nga kjo?

Pas teatrit mua më pëlqente ai emision, dhe unë e bëja me shumë kënaqësi. Më ka dhuruar shumë momente të bukura ai emision, ndjehem shumë e kënaqur.

 

Sot jeni në moshën 83 vjeçare. Si kalojnë ditët për ju?

Ditët e mia kalojnë shumë mirë. Kalojnë duke lexuar, duke parë televizor, bëj vizita në shoqet e mia, tek ato që janë afër, pasi ato që janë larg nuk i ndjek dot sepse nuk eci dot nga këmba. Por flas dhe me telefon me ato, sepse të gjitha ne nga brezi jonë që jemi ende gjallë komunikojmë me telefon. Pyesim njëra-tjetrën për shëndetin, nganjëherë kemi ankesa, ndonjëherë nuk kemi.

 

Intervistoi: Julia Vrapi

SHARE

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here