Ditët e fundit të aktorit të shquar të rrëfyera nga e bija, Manjola Trebicka, që me çiltërsi flet për njeriun e ndjeshëm dhe të fortë, artistin me vizion, burrin e përkushtuar, atin model.
Kush është Manjola Trebicka
Mbaroi Akademinë e Arteve për piano dhe më pas studioi në Paris ku jeton që prej 20 vitesh. Ka interpretuar në sa e sa koncerte në piano solo, duo, trio, muzikë dhome apo me kanto dhe është vlerësuar me çmime në konkurse ndërkombëtare e me shkrime po vlerësuese të kritikës franceze. Aktualisht punon në Liceun e Legjionit të Nderit, themeluar nga Napoleon Bonaparti dhe që konsiderohet si institucioni më i shquar i edukimit francez. Ka projekte me piano solo, muzikë dhome dhe një turne në Varshavë në fund të tetorit.
Shkrimtari nga Libani, Amin Maalouf, te libri “Netët e një mijë e një netëve” ka shkruar për ata që janë larguar nga kjo jetë, se do duhej të tregoheshin të mëshirshëm me të gjallët, të paktën të mos i torturonin duke u dalë nëpër ëndrra. E para pyetje që të vjen në mendje në nisje të bisedës virtuale me Manjola Trebickën, vajzën e aktorit që u largua nga jeta një muaj më parë, është: Si arriti t’u bëjë ballë ndjesive që la mungesa e babait, mallit, më tej vuajtjes që zinte vend ditë pas dite kur njerëzit rrotull u ktheheshin aktiviteteve dhe asaj vetë i duhet të gjente forca për të vazhduar, kur nga ana tjetër kishte veç zbrazëti.
Pianistja e respektuar në qarqet artistike të Parisit, lë shpejt përshtypjen e një gruaje të përkorë dhe të mençur. Në intervistën e dhënë për “Fenix”, së parës pyetje, asaj “Si ka mundur?” ajo i gjegjet: “Me kujtime. Jam mësuar që prej 20 vitesh kur erdha të jetoj në Paris me këtë mungesë të tmerrshme. Im atë ishte më shumë se një prind, ishte një ikonë për mua. Kujtimet e shumta si dhe besimi se shpirti i tij nuk janë më “larg” nga unë, më ndihmojnë…”.
Manjola ishte njeriu i familjes, që siç tregon, i përktheu diagnozën e mjekut pneumolog, ishte njeriu që kundroi nga afër forcën e modelit të saj për jetën, artistit me të cilin sa e sa netë kishte folur për muzikën, “ishin të dy përballë publikut, ai me fjalën, ajo me tingullin”, që përkushtimin e bashkëshortit, kujdesin e prindit dhe të gjyshit. Në bisedën e ndjerë dhe të çiltër që vijon më poshtë, lexuesit i jepet mundësia të njohë njeriun.
Trebicka në ditët e fundit të jetës, të mësojë nëse e pranoi ndonjëherë që do të ikte, cilat ishin pengjet dhe fjalët e fundit. Pak çaste para vdekjes, fjalët: “Ju lutem të mos qani me kujë se nuk e kam duruar këtë gjë gjithë jetën. Duhet të qëndroni sa më dinjitoze me vajzat, se e di që ju jeni të forta. Kjo është jeta…”
Znj. Trebicka si i përjetoi ditët e fundit të jetës ati juaj? A e ndiente nevojën për t’u shprehur, për të folur për mundimet, ndoshta dhe për frikërat? E zinte në gojë vuajtjen dhe vdekjen?
Qetë, shumë shumë qetë. Ai e dinte se po ikte,ishte i përgatitur. Nuk kishte frikë. Nuk donte që motra, unë apo miqtë e tij, të shqetësoheshin. Porosiste nënën time të mos i thoshte askujt. Ikja ishte e shpejtë. Më 6 shkurt, regjistroi shfaqjen për TV shtetëror dhe mbaroi më 6 mars…
Momenti më i dhimbshëm i historisë që do pasonte ishte kur e mori vesh për sëmundjen e pashërueshme. Si reagoi dhe kush iu gjend pranë?
I kuptoi shenjat e para 2 vjet më parë në Tiranë. Kjo nuk e pengoi të shkonte në Indi me “Berberin e Seviljes”, me një rol të jashtëzakonshëm. Në kthim të turneut i propozova të vinte në Francë për një diagnostikim. Isha unë ajo që i përktheva përballë ekranit të tmerrshëm të kompjuterit, në spital në Paris, diagnozën e mjekut pneumolog. Më kapi dorën dhe vetëm më tha: “Të lutet babi, mos u mërzit”.
Pas kurimit, në kafen historike “Aleanca” pranë Teatrit Kombëtar, Roland Trebicka dëgjohej të bisedonte me miqtë për andrallat e sëmundjes dhe sesa i lehtësuar ndihej për ndihmën ekonomike që i dha shteti. Gjithçka e rrëfyer me çiltërsi dhe grotesk. A është e vërtetë që ishte në gjendje të bënte humor edhe me këto të papritura të jetës?
Kthimi nga Parisi ishte i tmerrshëm. Për të ishte një jetë e dytë. Çdo ditë që jetonte e konsideronte si një bekim, një mrekulli. Ishte shumë mirënjohës ndaj qeverisë dhe kryeministrit për vendimin që morën. I falenderoi me një letër sapo erdhi në Tiranë.
Si mund të përshkruhet marrëdhënia juaj at-bijë? Po me nënën? Nipërit dhe mbesat si e mbajnë mend?
Pa konfidenca të tepruara, por më shumë parime, edukim të vlerave të artit, të lirisë, të së drejtës. Të njëjtën marrëdhenie kishte me të gjithë. Nënën time e adhuronte, zinte një vend të veçantë në zemrën e tij. Ata nuk ndaheshin kurrë. Nuk e di nëse në 130 role të tij, ajo të ketë munguar një premierë. I mbaj mend një jetë bashkë, kudo. Familja për të ishte e shenjtë…Nipërit dhe mbesa e adhuronin. Bëhej si fëmijë përpara tyre, u plotësonte çdo tekë, gjë që s’e kishte bërë kurrë me mua dhe motrën…
Çfarë mendonte për zgjedhjen që ju bëtë për ta jetuar jetën jashtë vendit, aty ku edhe do punonit? A bisedonit bashkë për muzikën?
Ai ishte përparimtar në shumë aspekte. Mendoi se më takonte mua të zgjidhja jetën time. Kisha trashëguar nga ai (kështu thonë të gjithë) një vullnet dhe pasion të çmendur. Më kishte përkrahur gjithmonë. Do të ishte kundër karakterit të tij të më ndalonte. Por e dinte se megjithëse larg, isha po ajo, e pandryshuar. Kjo është ajo që quhet “edukatë” apo “kulturë” në familje. Preferonte gjithçka që unë luaja. Ishte “fansi”im më i madh…
Po ju i flisnit për teatrin, bënit komente, sugjerime? Çfarë ju ka rrëfyer për marrëdhënien që kishte me teatrin? A kishte ndonjë peng, një rol më të parealizuar ndoshta dhe çfarë mendonte për gjendjen aktuale të tij duke e krahasuar me kohën e artë kur edhe ai ka qenë në majat e suksesit?
Po,sigurisht. Shumë,shumë. Ishim të dy përballë publikut; ai me fjalën, unë me tingullin. Bisedonim për karaktere, detaje. Ishte i dashuruar pas literaturës ruse, autorëve të mëdhenj francezë…E di që donte shumë të vizitonte Moskën, Shën Petersburg-un. Ai ka luajtur në shumë e shumë vende të Evropës, Egjipt, Indi e gjetkë…Përpinte gjithçka, te çdo regjisor i huaj që vinte.
Folëm gjatë e gjatë për regjisorin francez që vuri shfaqjen “Berberi i Seviljes”, për mënyrën e punës, të konceptimit, kulturën franceze. Bënim krahasime me profesorët e mi në Paris. Ishte një kënaqësi. Kishte një aftësi përqendrimi, përshtatjeje dhe memorie të jashtezakonshme. Donte të luante sa e sa role të tjerë, kishte shumë projekte…
A kishte nostalgji për të interpretuar me ndonjë aktor që nuk ishte më? Cilat ishin modelet e tij të teatrit, shqiptare dhe botërore?
Adhuronte aktorin Naim Frashëri, e konsideronte si idhull. Besoj se do të ishte krenar po të luante ende në krah të tij. Ai kishte një respekt të jashtëzakonshëm për të gjithë partnerët e tij, jo vetëm për aktorët më të shquar, por edhe më të rinjtë. Për të skena ishte e shenjtë. Nuk nguronte aspak të thoshte atë që e mendonte si të drejtë. I donte të gjithe ata që punonin shumë. Karakteri dhe e vërteta e personazhit ishin gjërat më kryesore në vlerësimin e aktorëve shqiptarë apo të huaj.
Cili është kujtimi më i çmuar që ju ka lënë babai? A keni ndonjë korrespondencë nga koha kur ju u larguat jashtë vendit që mund ta bëni publike në këtë intervistë?
Kujtimi më i çmuar ishte kur u bë gjysh për herë të parë dhe arrita në Tiranë me djalin tim 6 muajsh. Gjysh…Nuk ka fjalë, film apo foto që mund të përshkruajë atë moment kur ai e mori në krahë për herë të parë, me lot në sy dhe me krenari. Si dhe kujtimet e pas shfaqjes,kur salla buçiste nga duartrokitjet për rolin e tij dhe unë isha aq krenare, aq krenare…Kam korrespondenca me të, por ky është “NOTRE JARDIN SECRET”, lulishtja jonë sekrete, siç i thonë francezët.
A ka lënë ndonjë amanet me gojë, ose në dorëshkrim, ndoshta kujtim?
Amaneti i fundit ishte me gojë: “Ju lutem të mos qani me kuje se nuk e kam duruar këtë gjë gjithë jetën. Duhet të qëndroni sa më dinjitoze me vajzat, se e di që ju jeni te forta. Kjo është jeta…”