Leka Bungo (1944). Regjisor, aktor, skenarist. Lindi ne Vlorë. Ka kryer shkollën e Lartë për aktorë “Aleksandër Moisiu”* dhe më pas një kurs njëvjecar për regjisurë në Institutin e Lartë të Arteve*. Punoi një pjesë kohe si regjisor në teatrin “Bylis”të Fierit*, ku u bë përkrahës i prirjeve të reja në teatër dhe në dramaturgji.
Pas vënies në skenë të dramës Historia e një vajze të K. Dushës më 1973, u kritikua nga organet partiake për qëndrime liberale në art dhe u çua për “riedukim”me punë fizike në Patos. Më pas punoi si regjisor pranë pallatit të kulturës së këtij qyteti.
Në fund të viteve ’80 u emërua regjisor në Estradën e Shtetit *, në të cilën vuri në skenë disa shfaqje, ku u prekën probleme të mprehta sociale të kohës dhe ku satira përbënte elementin e tyre më të pranishëm.
Pas viteve’ 90 realizoi disa emisione televizive, rëndom me humor politik, duke satrizuar dukuri politike të një regjimi e klase tashmë të përmbysur, por që kishte ende ndikime të forta mbi realitetin e ri postkomunist të krijuar në Shqipëri.
Ishte nga të parët që krijoi, në hollin hyrës të godinës së Teatrit Kombëtar*, teatrin privat”Rubairat”, por që shpejt e humbi destinacionin e vet artistik si të tillë, derisa u mbyll më 2001 me rikonstruksionin që iu bë holleve të këtij teatri .
Pas vitit 2002, emigroi SHBA. Pervec punës si regjisor dhe aktor, ka shkruar edhe disa drama dhe skenar filmash, ndër to dramën Pabesia si dhe skenarët Pas fasadës, Gjuetia e fundit etj.