Përvjeroret sjellin në kujtesë figurat e shquara që ka nxjerë zona e Korçës. Eleni Qirici, e lindur në vitin 1928 nga një familje me origjinë nga Orgocka e Kolonjës, është një prej atyre shqiptarëve të famshëm që kanë nderuar atdheun jashtë vendit. Studiuesi Nedai Thëllimi që ka shkruar për Eleni Qiricin si e para artiste shqiptare në Hollivud, na tregon edhe për arritjet e saj.
Pas studimeve që në moshë të vogël në Amerikë për balet, Eleni Qirici dhjetë vjeçare kthehet në Korçë së bashku me familjen. Tashmë balerinë, këngëtare dhe akrobate e shkëlqyer. Dha disa shfaqje para publikut korçar, e shoqëruar nga orkestra e prindërve të vet.
Shtypi i kohës u shpreh me ngrohtësi për këtë yll në ngjitje. Nga Korça dhe Shqipëria, Eleni Qirici kaloi në Austri. Dha me sukses shumë shfaqje, duke u njohur si yll I baletit dhe këngës në gjithë Europë. Sukseset e Eleni Qiricit tërhoqën edhe vëmendjen e kineastëve, duke luajtur role fillimisht në Francë krahas artistes së njohur Maria Dubas.
Duke korrur sukses në Evropë, Eleni Qirici u angzhua në Hollivud me shoqërinë ‘ Gollduin Majer’. Brenda një viti xhiroi dy filma ku luajti rolet kryesore. Elena Qirici luajti filma edhe në Itali, ku u vendos deri në vitin 1954 familja e saj. Vlen të theksohet se në vitin 1965 Eleni Qirici u martua me të birin e Presidentit amerikan Ford.
Ajo gjatë gjithë karierës artistike u mburr me origjinën shqiptare. Madje edhe në afishet e shfaqjeve evidentonte këtë fakt. ‘ Porosiste prodhuesit e filmave që patjetër ti dërgonin filmat në Shqipëri’ shkruan studiuesi Nedai Thëllimi. Sipas tij, Elena Qirici është femra e parë dhe në përgjithësi artisti I parë me origjinë shqiptare që luajti në Hollivud. Më pas aty luajtën Xhon e Xhim Belushi, Sten Dragoti e Bekim Fehmiu e së fundi Eliza Dushku.